“Vendosëm sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit”/ A do të dorëzohet BE edhe një herë ndaj Serbisë?

Politika

“Vendosëm sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit”/ A do të dorëzohet BE edhe një herë ndaj Serbisë?

Nga: P.R. Më: 4 mars 2024 Në ora: 20:25
Ilustrim

Pavarësisht veprimeve të Serbisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, kjo e fundit nuk po sanksionohet nga Bashkimi Evorpian dhe bashkësia ndërkombëtare.

E për këtë, Eurodeputeti Thijs Reuten në Komitetin e Punëve të Jashtme, tha se duhet të ndërmerren veprime vendimtare kundër destabilizuesve si Aleksandar Vuçiqit dhe Millorad Dodikut

“Shumica e parlamentit serb është shumë kritik me Bashkimin Europian. Pavarësisht kritikave të shumta që ka pasur muajt e fundit, kemi një situatë ku kemi vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor për destabilizimin dhe provokimet, që nuk i kishim parë prej shumë kohësh. Prej vitesh jam lodhur me politikën e Bashkimit Europian duke u dorëzuar para destabilizuesve si Vuçiq dhe Dodik. Të dy po cenojnë qëllimisht sundimin e ligjit dhe po nxitin konflikte etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që mbajnë lidhje me [presidentin rus Vladimir] Putin. Kjo duhet të ndalet. Por kjo nuk ka për të ndodhur derisa BE-ja të heqë një vijë të kuqe të qartë, jo të angazhohet në dialogë që nuk sjellin fryte. Deklarata ‘ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor’ duhet bërë me njëfarë përgjegjësie. Duhet t’i vendosim fjalët në praktikë dhe të bëjmë diçka”, tha Reuten.

Image
Gani Qarri

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit, Serbia në vazhdimësi ka shkelur të githa marrëveshjet që lidhen me Kosovën.

“Në fakt edhe pas dakordimit të marrëveshjes në marsin e vitit të kaluar në Bruksel, për vetëm mese një viti nga dakordimi, Serbia ka shkelur hiq më pak se tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj, si dhe nene të Aneksit Implementues të Ohrit, dhe në kohën kur marrëveshja në fjalë do duhej të ishte në rrugën e zbatimit të plotë, Vuçiqi jo vetëm që ende refuzon ta nënshkruajë, por në dhjetor të vitit të kaluar, përmes letrës me shkrim të kryeministres Brnabiq  drejtuar Bashkimit Evropian, Serbia konfirmoi edhe zyrtarisht Refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe siç dihet nën masa ndëshkuese, nga BE, u vendos Kosova, e jo Serbia hegjemoniste. Në anën tjetër, është shumë interesante, se përderisa zëdhënësit e BE-së trumbetojnë publikisht, pothuajse çdo ditë, se përshtatja e shteteve kandidate, me qëndrimet e politikës së jashtme dhe ato të sigurisë së Baskimit Evropian, është kërkesë bazike dhe pjesë e procesit për t’u bërë vend anëtar i BE-së, vetëm Serbia ka luksin, tu kundërvihet këtyre masave, duke nxitur konflikte të hapura në Kosovë, mos dënuar okupimin rus, në Ukrainë, as duke mos u solidarizuar me BE-në, për ti vendosur sanksione Rusisë”, shprehet Qarri.

Sipas tij, përkundër të gjitha këtyre Serbia nuk u sanksionua asnjëherë, po po avancon bujshëm në rrugëtimin drejt integrimit në BE.

“Ishte vetëm ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ai që gjithmonë ka pasur guximin ti vejë në shënjestër, këto sjellje agresive të Serbisë dhe kritikon edhe sot-hapur, veprimet luftënxitëse të kriminelit Vuçiq, i cili stimulonte dhe stimulon nga Beogradi bandat kriminale serbe, terroristin Milan Radojçiq dhe"listën srpska", për pengimin e integrimit të pakicës serbe në institucionet e Republikës së Kosovës dhe bënë minimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura për më tepër se një dekadë në dialogun Kosovë -Serbi, deri te agresioni i hapur territorial i Serbisë hegjemoniste në Kosovë me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, në Banjë të Zveçanit. Edhe me rastin e dorëheqjeve të porositura nga Beogradi, të përfaqësuesve të minoritetit serbë nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masave të padrejta ndëshkuese nga BE, ndaj Kosovës, ish ambasadori holandez Robert Bosh, ishte nga zërat e rrallë, për të mos thënë edhe të vetëm, që kritikonte publikisht Vuçiqin, për minimin e gjithçkaje që ishte arritur për më tepër se një dekadë, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, regjimi i të cilit po tregonte fytyrën e tij të vërtetë duke dëshmuar se nuk ka vullnet për pajtim me Kosovën, as dëshirë për ruajtjen e paqes në rajon”, dekalron Gani Qarri.

“Madje, ai u  shpreh publikisht para BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, se është shumë e padrejtë dhe e paqartë, se pse e gjithë kjo po ndodh kundër Kosovës kur Serbia është shteti shkaktar i problemeve në veri, por dënohet dhe vihet nën masa ndëshkuese Kosova. Edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, njëjtë si bashkëkombësi i tij, ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i cili kundërshtonte publikisht masat e padrejta ndaj Kosovës, dhe ia kujtonte BE-së, të gjitha rastet, se si ajo sillet butë me Serbinë, përveçse është treguar politikan real dhe i paanshëm, ai mbron dhe i del në krah vendit tonë, duke vlerësuar drejt dhe pa koloritin negativ të animeve politike, se “Kosova ka punuar me përkushtim në përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE-ja, andaj për të vazhduar me zgjedhje të reja komunale në veri, masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, nënvizon Qarri.

“Njëkohësisht gëzon shumë fakti, që duke qenë se vendimi për mbajtjen në fuqi, të masave të padrejta ndëshkuese kundër Kosovës, nuk ishte i drejtë, as i balancuar, eurodeputetët si Thijs Reuten në Parlamentin Evropian të nxorën edhe një Rezolutë,  ku përherë të parë, theksohet fort dhe qartë, se Dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke në mes të dy vendeve, bëhet thirrje publike për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe vendosjen e tyre kundër Serbisë, si dhe balancimin e qëndrimit të BE-së në dialogun Kosovë Serbi, në mënyrë që BE të mos e humbë kredibilitetin si ndërmjetësues dhe  të çojë në përparimin e dialogut te lehtësuar nga BE, ngase dështimi i dialogut do të kishte pasoja të padëshirueshme edhe për rolin e BE-së, si aktor i “besueshëm” i politikës së jashtme”.

Më tej, Qarri thotë se rezoluta e Parlamentit Evropian dëshmon se shumica e vendeve të BE-së, përfundimisht janë vetëdijesuar për veprimin e gabuar të vendosjes së masave të padrejta ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës.

“Pasi që shumë shpejt u konstatua se tensionet e vitit të kaluar, në veri, ishin të inskenuara nga grupet kriminale serbe, dhe të telekomanduara nga qendra e tyre mafioze në Beograd, nën orkestrimin e presidentit kriminel serb Aleksandër Vuçiq. Kështu që edhe eurodeputeti Thijs Reuten në Komitetin e Punëve të Jashtme, tha se duhet të ndërmerren veprime vendimtare kundër destabilizuesve të vërtetë të Ballkanit Perëndimor, që nuk është Kosova, por Aleksandar Vuçiqi dhe Millorad Dodiku, të cilët me veprimet e tyre, po kërcënojnë shpërthimin e luftërave të reja për territore, me shtrirje në disa shtete, që nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi e deri në Kosovë me mundësi të përhapjes së konfliktit edhe në vende tjera, si Kroacia e Shqipëria dhe rrezikimin e paqes në mbarë rajonin”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat