Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë, “peng” i procesit të transformimit të FSK-së dhe problemeve financiare

Politika

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë, “peng” i procesit të transformimit të FSK-së dhe problemeve financiare

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 mars 2024 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Bota në vazhdimësi po kërcënohet nga një luftë e tretë botërore, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit të Ukrainës. Shumë shtete evropiane, por edhe më gjerë, kanë filluar hartimin e një strategjie për rritjen e kapaciteteve ushtarake. E shteti i Kosovës në vazhdimësi është i kërcënuar me luftë nga fqinji i saj, Serbia.

Krejt kjo, po nxit thirrjet që Kosova ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Edhe pse partia në pushtet, Vetëvendosje e kishte në programin e saj planin për shërbimin ushtarak të kombinuar në 3+3 muaj për të rinjtë, por deri tash nuk ka pasur asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Shërbimi ushtarak apo Xhandarmeria?

Image
Drizan Shala

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, përballë situatës aktuale politike që po kalon e gjithë bota, Kosova dhe të gjitha shtetet duhet të përgatiten për gjithçka.

“Përballë një bote, ku po ribëhet rendi botëror duhet të përgatitesh për gjithçka. Të paktën, Serbia, një nga vendet tona në Ballkan, që mban fort aleancën strategjike me Rusinë, këtë e ka rreshtuar në planet afatshkurtër. Kurse, në NATO ka gjithnjë e më shumë artikulime për kthimin e tij. Serbia e ka në planet e veta dhe Ministri i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq e shpreh hapur nevojën që ka vendi i tij për ushtarë dhe, jo më kot, serbët po punojnë, ani pse ende s’kanë kolauduar”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, në këtë drejtim edhe Kosova nuk ka qëndruar heshtur, por ka marr masat e saja.

“Kosova përballë këtij realiteti nuk ka qëndruar e ulur, por ndërkohë ka sjellë idenë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ( 2021 nga deklarimi i Kryeministrit) që shërbimi i detyrueshëm ushtarak të zgjasë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Kosova tani para vetit ka planin e saj gjithëpërfshirës që përfundon në 2028 dhe deri atëherë një nismë e tillë do të duhet analizuar mirë në dy drejtime”, shprehet Shala.

“Nën 1, që ky proces i shërbimit të detyrueshëm ushtarak të mos afektojë procesin e transformimit të FSK-së në FAK në çdo nivel qoftë profesional ushtarak, qoftë edhe në nivel politik të rrugës se Kosovës në NATO dhe nën dy, që ky proces si do të afektojë impaktin në sistemin financiar të shtetit respektivisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK”, shpjegon Shala.

Më tej, eksperti Shala thekson se edhe nëse nuk mund të realizohet shërbimi ushtarak i detyrueshëm, Kosova duhet ta themelojë Xhandarmërinë e saj.

“Pra nëse këto llogariten, atëherë mund të dilet me një përfundim të saktë se a është më mirë një shërbim i detyrueshëm ushtarak apo të ndërtohet një kapacitet /agjension i ri siç është Xhandarmëria e Kosovës, e cila do të ipej një impakt të shpejt në arkitekturën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit dhe në këtë forcë kufizimi i moshës mos të jetë relevant, duke mundësuar një forcë stabile operacionale jo në periudhën 6 mujore, por në planin afatgjatë”, përfundon Drizan Shala.

Fuqia ekonomike, pengesë për shërbimin ushtarak

Image
Nexhat Haziri

Kurse njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhat Haziri thotë se kapacitetet ushtarake që ka tani Kosova, janë në raport me fuqinë e saj ekonomike.

“Ushtria e Kosovës, pra FSK-ja ka 5000 pjesëtarë aktiv dhe një komponentë rezervë prej 3000 pjesëtarësh, gjë që mendoj se është më se normale dhe e nevojshme në raport me kapacitetet ekonomike dhe financiare që ka Kosova si shtet për t’i përballuar financimet që kërkon ushtria për t'i përmbushur kapacitetet e veta tekniko-ushtarake por edhe për t'iu siguruar një standard të mirë jetës pjesëtarëve të saj, pra ushtarëve të FSK-së”, thotë Haziri.

Si pengesë për realizmin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Kosovë, Haziri e sheh mungesën e fuqisë ekonomike.

“Dhe bazuar fuqinë ekonomike që ka Kosova aktualisht, nuk besoj se ka mundësi për një shërbim ushtarak të detyrueshëm, kur kemi parasysh investimet që kërkohen për ta realizuar dhe mirëmbajtur forcat ushtarake”, thekson Haziri.

“Përkundër tensioneve në rajon, ajo që duhet dhe që është e domosdoshme është bashkëpunimi i afërt me aleatet tanë perëndimor që Kosova sa më shpejtë të anëtarësohet në NATO, dhe ky anëtarësim do ta bëjë Kosovën më të sigurt, por edhe investimet në FSK për t’i rritur dhe forcuar kapacitetet e saja ushtarake”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat