“Patatja e nxehtë” që po ndahet ndërmjet komunës së Deçanit dhe Qeverisë - kush ka guxim ta zbatojë vendimin për 24 hektarët?

Politika

“Patatja e nxehtë” që po ndahet ndërmjet komunës së Deçanit dhe Qeverisë - kush ka guxim ta zbatojë vendimin për 24 hektarët?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 mars 2024 Në ora: 20:04
Manastri i Deçanit

Ditë më parë u raportua se Qeveria e Kosovës ka zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës në komunën e Deçanit me qëllim zbatimin e vendimit që ia jep 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit dhe kjo synohet të ndodhë përpara sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që mund të mbahet në muajin maj.

Nga ana tjetër, Komuna e Deçanit ende nuk ka dhënë përgjigje në kërkesën e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i njihet pronësia e 24 hektarëve tokë, ashtu siç kishte vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2016.

Jo zgjidhje të njëanshme

Image
Adem Lushaj

E lidhur me këtë gazetari dhe anëtari i Shoqërisë Civile në Deçan, Adem Lushaj, thotë se pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk mund të ketë një zgjidhje të njëanshme.

“Nuk jam në dijeni se qeveria komunale dhe qendrore kanë biseduar për këtë çështje. Kjo thuhet përmes medieve e nuk di çfarë të themi. Zgjidhja që ndërkombëtarët, qeveria e Kosovës dhe komunale të gjejnë zgjidhjen e pranueshme pa dëmtuar zhvillimin e Deçanit. Nuk mund të bëhen zgjidhje të njëanshme, sepse duhet menduar edhe për raportet me popullatën vendëse, e jo veç të plotësohen apetitet e Kishës Ortodokse Serbe dhe të Serbisë”, thotë Adem Lushaj për “Bota sot”.

Kompromiset e Kosovës

Image
Enver Bytyçi

Kurse, profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi deklaron se gjatë gjithë kohës që është diskutuar rreth temës së Manastirit të Deçanit, ka pasur kompromise nga ana e Kosovës.

“Së pari marrëveshja me palën serbe për pronat tokësore të Manastirit të Deçanit është nënshkruar nga autoritetet e Kosovës. Pra Kosova ka pranuar që kjo sipërfaqe toke prej 24 hektarësh t’i jepet Manastirit të Deçanit. Dikush e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë vendosi në vitin 2016 në favor të kërkesës së Manastirit të Deçanit. Vetëvendosja e ka kundërshtuar vazhdimisht zbatimin e saj dhe nën presionin e Vetëvendosjes pushteti i para vitit 2020 nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, ndërkombëtarët kanë qenë unikë kur bëhet fjalë për tokën 24 hektarësh.

 “Ata kanë kërkuar e në disa raste kanë bërë presion që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet nga qeveria dhe pushteti lokal. Madje moszbatimin e këtij vendimi kushtetues ata e kanë konsideruar dhe interpretuar, ndoshta me të drejtë, si mungesë të shtetit të se drejtës. Kosova në këtë rast u ndodh para një dileme. Ndërsa kundërshtoi zbatimin e një vendimi të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, u justifikua për moszbatimin e asociacionit, pikërisht duke u mbrojtur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Argumenti në njërin rast i kundërvihej argumentit në rastin tjetër dhe diplomacia është argument. Përfaqësuesit e Evropës dhe SHBA-ve u shprehën pa dilema në rastin e Deçanit: - Toka duhet t’i kthehet Manastirit me të njëjtin emër. Këtë e ka kërkuar ekskluzivisht edhe Joe Biden që kur ishte zv. President i SHBA-ve”, thekson Bytyçi.

Më tej, ai shprehet se Kosova është e detyruar ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të saj dhe t’ia japë Manastirit të Deçanit ato 24 hektarë tokë.

“Këto ditë kjo çështje është përditësuar. Arsye është bërë kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës. Kërkesa e qeverisë për komunën dhe kadastrën e Deçanit që t’i regjistrojnë këta 24 hektarë në pronësi të Manastirit përkatës është e motivuar pikërisht me nevojën që ka Kosova të bëhet anëtare e këtij Këshilli, i cili konsiderohet si autoriteti i dytë ndërkombëtar pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por çfarë fiton dhe humb Kosova? Çfarë humb gjithashtu Vetëvendosja? Kosova është e detyruar ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të saj dhe t’ia japë Manastirit të Deçanit ato 24 hektarë tokë. Sepse është vendim i saj, i organit suprem të drejtësisë së saj, organ që detyron edhe sovranin, pra parlamentin, të zbatojë vendimet e tij. Nuk ka asnjë shans që t’i iket kësaj”, deklaron Bytyçi.

“Qeveria Kurti po më duket se është kujdesur që zbatimi i këtij vendimi të shërbejë për të përfituar diçka të rëndësishme. Në rastin konkret po bëhet fjalë për pranimin në Këshillin e Evropës. Uroj që të bëhet kjo me kaq kompromis. Pra që KE të mos listojë lëshime të tjera. Sepse edhe mund të ndodhë. Nëse mbyllet anëtarësimi në KE me kompromisin e këtij vendimi të kushtetueses për Manastirin e Deçanit, unë do ta konsideroj fitore. Por qeveria Kurti moralisht do të humbë diçka në pikëpamje të opinionit. E kam fjalën politikisht si Vetëvendosje. Sepse opozita do ta shfrytëzojë këtë për ta ballafaquar me premtimet elektorale dhe presionin e dikurshëm ndaj qeverisë Thaçi ose Mustafa. Opozita nuk do të mbajë përgjegjësi për të se ishte ajo që kishte pranuar kërkesën serbe për kthimin e kësaj toke për Manastirin e Deçanit”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thekson se ajo që Kosova duhet të evitojë sa i përket kësaj prone dhe ndonjë tjetre për Kishën Ortodokse, ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve me manastiret dhe kishat ortodokse në Kosovë.

“Dritan Abazoviç para disa ditësh bënte thirrje që Kosova të nënshkruajë një marrëveshje me KOS në Beograd. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera duhet ta evitojnë këtë me çdo kusht. Sepse marrëveshja me KOS të Beogradit, edhe nëse nuk e specifikon, legjitimon pushtetin e saj në kishat e manastiret e Kosovës. Ndërkohë që gradualisht kisha ortodokse dhe manastiret ortodokse në këtë vend duhet gradualisht të shkëputin nga lidhjet hierarkike me Kishën Ortodokse të Beogradit. Duhet të shkohet drejt autonomisë së saj në pikëpamje të administrimit. Nëse nuk nënshkruhet marrëveshje që mban peng, atëherë kjo mund të arrihet”.

“Sa i përket tokës prej 24 hektarëve që do të marrë Manastiri i Deçanit, kjo duhet bërë në përputhje me ligjet e Kosovës. Asnjë lëshim nuk duhet për këtë. Ndërkohë autoritetet e shtetit duhet të mendojnë për hartimin e miratimin e një ligji përkatës për komunitetet fetare dhe administrimin e pronave që ato posedojnë, ligj në të cilën këto prona të cilësohen si prona të territorit shtetëror të Kosovës dhe mbi to të ligjësohet sovraniteti i shtetit. Dhe këtë sovranitet duhet ta njohin të gjitha këto komunitete, përfshirë dhe kishat e manastiret serbe në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat