“Rrezikojmë seriozisht një konflikt tjetër”/ Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare jep paralajmërimin: Nëse BE-ja nuk..

Politika

“Rrezikojmë seriozisht një konflikt tjetër”/ Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare jep paralajmërimin: Nëse BE-ja nuk..

Nga: M.L. Më: 13 mars 2024 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Ai ka bërë të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

Kryeministri Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Rasti dhënies së 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit tregon edhe njëherë se Qeveria e Kosovës nuk është jo-bashkëpunuese sa i përket edhe përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Njohësi i marrdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka treguar se kur mund të jetë i suksesshëm dialogu Kosovë-Serbi.

“A është e mundur të ketë një dialog serioz ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Po. Pasi Serbia pranoi krimet e saj të luftës dhe gjenocidin. A është e mundur të bëhet ky dialog duke insistuar në faktin se serbët e Kosovës nuk trajtohen me dinjitet? Jo, sepse është një gënjeshtër e hapur. Problemi i serbëve të Kosovës është Serbia, jo Kosova”, ka thënë Shabani.

Image
Amir Shabani

Sipas analistit, të thuash se serbët e Kosovës nuk kanë të drejta të mjaftueshme është injorim i realitetit në terren.

“Serbët e Kosovës gëzojnë më shumë të drejta se çdo pakicë tjetër në Kosovë dhe janë vetëm 2%. Deklarata se qeveria e Kosovës po shkatërron trashëgiminë kulturore serbe është një tjetër gënjeshtër e hapur. Merrni shembullin e kishës kryesore ortodokse në Prishtinë. Është ende aty, ende në qendër, askush nuk e prek dhe është i mbrojtur. Të thuash se institucionet e Kosovës nuk i njohin të drejtat e serbëve të Kosovës është një gënjeshtër tjetër. Kuvendi ka mandate të rezervuara për ta. Ata nuk shfaqen kurrë. A është faji i qeverisë? Jo, ata kanë të drejta por nuk i përdorin ato. Të thuash se serbët e Kosovës do të ndiheshin më mirë nëse më afër Serbisë është një tjetër gënjeshtër. Serbia po bën absolutisht gjithçka për t'i bërë ata të ndihen të frikësuar dhe të trishtuar. Ata thjesht duan të jetojnë në paqe në vendet e tyre (Kosovë) dhe të integrohen”, ka thënë ai.

Shabani ka treguar edhe atë se çka duhet të bëjë BE-ja në këtë situatë.

“Në vend që ta shtyjnë Kosovën të shpikë asociacione të çuditshme që kujtojnë Republikën Srpska (një dështim i plotë), ata duhet të insistojnë që Serbia të respektojë të drejtën e serbëve të Kosovës për t'u integruar në Kosovë. Mos i përshkruani serbët e Kosovës si viktima të mjera. Numri i tyre po zvogëlohet?! Shikoni rënien e përgjithshme të popullsisë në të gjithë Evropën! Nuk ka të bëjë me propagandën mbi masat e dukshme të qeverisë, por me faktorë të tjerë”, ka potencuar ai.

Pra, nga ky këndvështrim, eksperti thotë se duhet që ose BE-ja fillojë ta shohë realisht realitetin, duke folur edhe me zyrtarët e Kosovës dhe jo vetëm me miqtë e Vuçiqit, ose rrezikojmë seriozisht një konflikt tjetër.

“Këtë herë e nxitur nga vet BE-ja, për faktin e neglizhimit të mbarëvajtjes së procesit.

Një narativë e tillë, e vonuar pa arsye të qëndrueshme, s'ka dyshim se e rrezikon edhe më shumë qasjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pasi që mungesa e anëtarësimit të Kosovës në NATO ia mundëson "satelitit" të Rusisë në rajon, Serbisë që të nxisë tensione dhe të krijojë destabilizim”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat