A mund ta bllokojë Hashim Thaçi formimin e Qeverisë? Ja si përgjigjet Albin Kurti

Politika

A mund ta bllokojë Hashim Thaçi formimin e Qeverisë? Ja si përgjigjet Albin Kurti

Nga: P.R Më: 13 qershor 2017 Në ora: 21:08
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat u mbajtën në Kosovë, kanë nxjerrë fitues koalicionin PDK-AAK-NISMA, së bashku me një numër të partive të vogla, por kjo fitore e tyre është tronditëse për ta ,duke pasur parasysh që të gjitha partitë së bashku në këtë koalicion kanë marr vetëm 34 përqind të votave.

Sipas kësaj përqindje ata do të kenë vetëm 39 deputetë, dhe Qeverinë nuk mund ta formojnë pa koalicion me LDK-në dhe subjektet që ka në koalicion, ose me Vetëvendosjen. Por, të dyja këto kanë mohuar kategorikisht që të hyjnë në koalicion me PAN-in, të cilën e konsiderojnë si e keqja e vendit.

Por, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parasheh që qeverinë ta formoj partia apo koalicioni fitues në zgjedhje, dhe në rast se nuk arrihet të formohet qeveria, atëherë mandati i takon partisë së dytë që ka siguruar shumicën, shkruan “Bota sot”.

Duke e parë që Vetëvendosje ka siguruar 31 deputetë, i nominuari për kryeministër nga kjo Lëvizje i ka bërë ftesë LDK-së, së bashku me subjektet që ka në koalicion që të formojnë qeverinë së bashku me VV-në.

“Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ne i kemi dëgjuar mirë dhe qartë zërin e tyre. Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të  koalicionit LDK-AKR-Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-NISMA, që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të ‘klanit Pronto’, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re polit ike të vendit,  pas këtyre zgjedhjeve, si dhe për programin politik të një qeverie të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë sot Kurti.

Por, duke e ditur që president i vendit është Hashim Thaçi, ish kryetar i PDK-së, Kurti është pyetur për mundësinë që Thaçi të mos ua jep mandatin.

Sipas Kurtit, pas dështimit të krijimit të pushtetit të ri apo Qeverisë së re nga regjimi i vjetër, radha i vjen VV-së dhe se  këtë nuk mund ta pengojë askush. 

“Nuk mund ta ndal asnjë person i veçantë kushdo qoftë ai dhe çfarëdo qoftë emri i tij,  vullnetin e popullit. Nuk mundet dikush këtu të thotë se lejon apo s’lejon të bëhet dikush kryeministër. Pra duhet të dështojë partia e regjimit të vjetër. Ndërkaq Qeveria e re progresive vjen, nuk  mund ta ndalë këtë gjë z. Thaçi”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat