Zgjedhjet lokale në Maqedoni, shqiptarët të zhgënjyer

Politika

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, shqiptarët të zhgënjyer

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 tetor 2017 Në ora: 15:49
ilustrim

Njohësit e çështjeve politike, e konsiderojnë si shqetësues pjesëmarrjen e ulët të votuesve shqiptarë në zgjedhjet lokale në Maqedoni. Ata kanë thënë për gazetën “Bota sot”, se pjesa më e madhe e votuesve kanë humbur shpresën se nëpërmjet politikës, sidomos partive të reja, do të mund të ketë ndryshime pozitive në kuptimin e përmirësimit të standardit jetësor apo të zgjidhjes së problemeve praktike.

Të dielën në Maqedoni janë zhvilluar zgjedhjet lokale. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këto zgjedhje po konsiderohet jo e kënaqshme në krahasim me numrin e shqiptarëve që jetojnë atje. Në bazë të rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga mbi 98 për qind të votave të numëruara nga 3.418 vendvotime, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev ka arritur të sigurojë fitore në 37 komuna që në raundin e pare. Në bllokun politik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim prin në 12 komuna, por do të shkojë në balotazh (rrethin e dytë) me Aleancën për Shqiptarët në pesë komuna, kurse në shtatë komuna do të shkojnë në balotazh me Lëvizjen Besa dhe disa kandidatë të partive politike maqedonase.

Image
Xhenis Sulimani

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoni gazetari Xhenis Sulimani ka thënë për gazetën “Bota sot” se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit lokale në Republikën e Maqedonisë është rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme të politikanëve për t’ia dal me sfidat dhe nevojat elementare të qytetarëve.

Sipas tij, edhe pse kishte parti të reja, prapë kjo nuk ndikoi në rritjen e daljes në zgjedhje, tregues kjo që apatia është e rrënjosur.

“Nga ana tjetër është shqetësues edhe hovi i madh që shqiptarët të votojnë parti jo shqiptare. Edhe ky fenomen, njëjtë, si rezultat i mos përmbushjes së premtimeve që politikanët shqiptarët i japin gati për dy dekada. Ende gjatë fushatës te shqiptarët flasin për kanalizime, ujë të pijshëm dhe infrastrukturë elementare. Elektorati, definitivisht, nëpërmes apatisë tregoi se është i stër-lodhur”, është shprehur Sulimani.

Image
Xhelal Neziri

Pafuqia e partive të reja

Ndërkaq, analisti Xhelal Neziri ka pohuar se pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve në zgjedhje vjen si rezultat i fushatës jo kreative dhe i humbjes së besimit te partitë politike.

“Një faktor tjetër është edhe pafuqia e partive të reja - BESA dhe ASH - të mobilizojnë votuesit e pakënaqur nga BDI-ja dhe PDSH-ja. Pjesa më e madhe e votuesve kanë humbur shpresën se nëpërmjet politikës, sidomos partive të reja, do të mund të ketë ndryshime pozitive në kuptimin e përmirësimit të standardit jetësor apo të zgjidhjes së problemeve praktike”, është shprehur Neziri.

Kurse sipas analistit Zudi Xhelili,  zgjedhjet parlamentare të një viti më parë sollën ndryshime të mëdha në skenën politike në Maqedoni. Për këtë arsye, ai ka thënë se pritej që ndryshimet të vazhdojnë edhe në zgjedhjet lokale.

Image
Zudi Xhelili

Sipas tij, në bazë të rezultateve të para ashtu ndodhi, pasi kishte shumë ndryshime dhe se VMRO kishte numrin më të madh të komunave dhe kjo ishte humbja më e madhe.

“Në bllokun politik shqiptar numri më i madh i komunave ishin të udhëhequra nga kuadro të BDI -së, mirëpo në këto zgjedhje dhe te komunat shqiptare ka ndryshime të mëdha dhe këto ndryshime do të vulosen pas dy javësh në balotazh. Janë tri parti shqiptare që do vazhdojnë në rrethin e dytë (Balotazh), BDI e Ali Ametit, Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës që doli në vendin e dyte sipas numërimit dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit. Pra konkurenca është më prezentë se në 15 vitet e fundit”, ka thënë Xhelili.

Shqiptarët e zhgënjyer

Megjithatë, Xhelili vlerëson se pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve që ishte brenda ditës u përmirësua në orët e vona.

“Shqiptarët edhe pse të dëshpëruar nga politika përsëri në komunat ku rrezikohen nga pala tjetër, partitë shqiptare arritën të bashkohen në dobi të interesit kombëtar  si në Kërçovë, Manastir, Bervenic dhe në Butel. Në këto vende shqiptarët janë në numër më të vogël dhe vendosen të përkrahin një kandidat shqiptar dhe lista të përbashkëta për këshilltar komunal“, ka thënë Xhelili.

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, sipas opionistit Nexhat Haziri tashmë ka një ndryshim në hartën politike në nivel të pushteti lokal në Maqedoni, sidomos në kampin maqedonas.

“Sa i përket partive shqiptare dhe komunat me të cilat do të qeverisin ato në mandatin e ri katër vjeçar nuk shihet ndonjë ndryshim i madh, se paku jo tani, pasi thuajse pjesa dërmuese e tyre do të jenë në balotazh. Dhe në këtë ka ndikuar gjithsesi edhe pjesëmarrja e ultë e shqiptarëve në votime, e cila ka ardhur si rezultat i pakënaqësisë së shqiptarëve me partitë e tyre politik”, ka thënë Haziri.

Zgjedhjet e rregullta

Sipas tij, ky do të duhet të ishte një shqetësim serioz për të gjitha partitë politike shqiptare, të cilat në vend që gjithë energjinë e tyre ta zbrazin duke u marrë me njëra-tjetrën me deklarata e debate të thata dhe të pakuptimta.

“Do të duhet që këtë energji ta kanalizojnë në drejtim të ofrimit të alternativave dhe gjetjes së mundësive për zgjedhjen e problemeve të shumta që kanë shqiptarët në komunat ku qeverisin partitë shqiptare, duke filluar nga infrastruktura rrugore, uji, kanalizimi, arsimi, shëndetësia dhe sferat e tjera. Se sa është venitur shpresa e shqiptarëve tek partitë e tyre nacionale, tregon më së miri fakti i fitores së një kandidatja maqedonase në Komunën e Haraçinës, ku një pjesë e shqiptarëve serish ia ka besuar votën një partie maqedonase, pra LSDM-së. Ajo që duhet vlerësuar në këtë proces zgjedhor është se ka kaluar pa incidente serioze, gjithnjë sipas raportimeve të organizatave vëzhguese dhe kjo përbën një lajm të mirë për gjithë qytetarët shqiptar por edhe të tjerë në Maqedoni”, ka thënë opinionisti Haziri.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani ka thënë se në Maqedoni pak a shumë po fillon një demokraci qytetare dhe jo etnike.

Sipas tij, atje ka koalicione të çuditshme, pasi ka shqiptar të shumtë të cilët nuk besojnë në këto ndryshime që kanë filluar.

“Ka pasur koalicione të partive shqiptaro -maqedonase që vlerësohet pozitivisht për stabilitetin e shtetit. Andaj dalja është dashur të jetë shumë më e lartë në mënyrë që të mos ketë koalicione me partitë maqedone dhe të varen komunarët shqiptar edhe nga vota e maqedonasve. Sidoqoftë gjendja politike duket stabile atje dhe pa reflektime tjera”, ka thënë Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat