Struktura paralele në Komuna me shumicë shqiptare, ky është rreziku më i madh nga Serbia

Politika

Struktura paralele në Komuna me shumicë shqiptare, ky është rreziku më i madh nga Serbia

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 24 tetor 2017 Në ora: 14:50
Foto ilustrim, Policia e Kosovës

Ish zëvendësministri  në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj javën e kaluar ka kritikuar ashpër kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli duke ia përkujtuar atij që strukturat paralele janë pothuajse aktive në gjitha komunat dhe ketë e dinë mirë edhe zyrtaret e SHIK-ut për të cilët thotë Gecaj se mos të shesin “kopalla”.

Postimi i Bajram Gecaj ka qenë ky: Zotëri Veseli, struktura paralele ka thuaja në të gjitha komunat, i dimë të gjithë ku janë dhe ku i kanë zyrat, posaçërisht mirë këtë e dinë zyrtarët e SHIK-ut, prandaj mos na shitni kopalla sepse nëse dëshironi ti largoni apo ti nxirrni para gjykatave mund t’ia filloni menjëherë.

Kadri Veseli: “Kudo që ka struktura paralele, të cilat janë të identifikuara, do të largohen nga Kosova...Dhe, në të njëjtën kohë, do të përgjigjen penalisht...Përgjegjësinë për këtë e mban Beogradi, dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas tyre”.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Struktura paralele edhe në Komuna me shumicë shqiptare

Në lidhje më këtë, gazeta ka kërkuar përgjigje shtesë nga z. Bajram Gecaj sa i përket strukturave paralele që sipas tij veprojnë në Kosovë dhe që udhëhiqen nga zyrtarët serbë. Gecaj ka insistuar në atë SHIK-u posedon informata. Kujtojmë që SHIK-u si organizatë, zyrtarisht është e shuar.

“Nuk është sekret publik se strukturat paralele veprojnë në të gjitha komunat te cilat udhëhiqen nga zyrtarë serbe, por struktura të tilla ke edhe në vendbanimet më të vogla, pra në fshatra në kuadër të komunave më shumicë shqiptare. Ndërsa ish zyrtaret e SHIK-ut jam mese i sigurte se i posedojnë këto informata, pasi që së paku në letër është dashtë të ishin struktura të "inteligjencës", ka thënë ai.

Sipas Gecaj arsyeja kryesore pse Kosova është në dialog më Beogradin, është shtrirja e autoritetit në të gjithë territorin e Republikës se Kosovës dhe shpërbërja e strukturave paralele.

“Pra, gjithsecili, por posaçërisht ata te cilët merren me politike dhe te cilët pretendojnë ti kenë takuar disa strukturave te inteligjencës, do te duhej ta kishin të qartë se strukturat paralele ekzistojnë dhe veprojnë ende në terë territorin e Kosovës.

“Deklaratat se do ti shpërbejnë nëse i vërejnë janë vetëm se një retorike bajate dhe, siç thotë populli, e pakripe” ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Është koha që të hetohet SHIK-u

Analisti Faton Mehmeti  në lidhje më këtë ka pohuar se nuk ka më ironike se sa Kadri Veseli të flet për shuarjen e strukturave paralele, strukturave të kriminalizuara. Kjo për faktin se vetë Veseli  sipas Mehmetit është shef i këtyre strukturave, “i këtyre klaneve mafioze që janë të sintetizuara nenë ombrellën e SHHK-ut”.

“Më duhet të pajtohem më deklaratën e Gecajt, i cili deklaron se ka në çdo vend të Kosoves këso struktura. Është fakt i pamohuar se PDK-ja ka shtrirë në terë Kosovën këto struktura kriminale, e cila shtantazhon njerëz për të marr pushtetin, pasi e kanë të lidhur fatin e tyre më pushtet, dhe vetëm mbetja në pushtet i amniston nga drejtësia dhe është koha që të hetohet SHIK-u, dhe të gjithë  organizatat që veprojnë në Kosovë e të cilat nuk kanë qëllime te mira ndaj Kosovës dhe të ardhmes se saj. SHK-u është i gjallë, Kosova ka nevojë që të çlirohet nga këto hiena” ka thënë Mehmeti.

Image
Mentor Tahiri

Rreziku më i madh nga Serbia

Kurse, sipas politologut Mentor Tahiri përgjegjësinë për funksionimin e strukturave paralele në Kosovë e mban Beogradi. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për struktura paralele komunash, por edhe për një sërë organizmash dhe organizatash të cilat veprimin e tyre nuk e kanë të kufizuar vetëm në veri, por përkundrazi shtrihet anembanë viseve ku ka prezencë të komunitetit serb si dhe në fshatra të Dragashit të populluara nga komuniteti goran.

“Fatkeqësisht, përkundër faktit se sot komuniteti serb në Kosovë është i integruar në jetën politike të vendit dhe madje është pjesë e pushtetit aktual në nivel qendror me goxha pjesëmarrje si pasojë e kompromiseve politike,  Kosova ka dështuar që funksionimin e strukturave paralele ta adresojë si duhet te mediatorët ndërkombëtarë të procesit të bisedimeve Prishtinë – Beograd. Sa i përket zotimeve elektorale për identifikimin e strukturave paralele, kjo edhe mbetet në domenin e fushatës dhe është jo reale në përputhje me ambientin faktit. Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë veprojnë vetëm në ilegalitet juridiko-kushtetues, por jo edhe ilegalitet fizik. Ato funksionojnë hapur si në planin politik, ashtu edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, sportit, etj” ka thënë për “Bota sot” Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat