Nuk ka arbitrazh për demarkacionin, zgjedhje të reja në pranverë?

Politika

Nuk ka arbitrazh për demarkacionin, zgjedhje të reja në pranverë?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 tetor 2017 Në ora: 12:49
ilustrim

“Unë mendoj se deri në pranverë duhet të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme se s`ka kurrfarë zgjidhjesh Kosova gjendet në ngërç politik , kjo dihet e shihet, Kuvendi do të jetë organ jo funksional pa nxjerr vendime të mëdha që kërkohen për të nxjerr qytetarët e Kosovës nga balta që kanë bërë vet kjo klasë politike”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar në televizionin publik të Kosovës se nëse nuk do të rinegociohet çështja ndërkufitare me Malin e zi, atëherë kjo mund të përfundoj në arbitrazh.

Por, kjo çështje nuk mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit pasi që duhet të jenë të dy palët dakord, ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi. E nga Mali i Zi, tashmë janë shprehur që për ata, kjo çështje është e përfunduar.

Sinjale të qarta nga Mali i Zi

Lidhur me këtë, analisti Hidajet Ahmeti ka thënë për “Bota sot” se Mali i Zi ka dhënë sinjal të qartë se çështja e Demarkacionit ka përfunduar, por Qeveria e Kosovës ka bazë ligjore që mund ta dërgojë demarkacionin në Gjykatën e Arbitrazhit.

Image
Hidajet Ahmeti

“Ka bazë ligjore të mjaftueshme për  Qeverinë e Kosovës që versionin aktual të demarkacionit  ta dërgoj në Gjykatën e Arbitrazhit. Por bazuar me deklaratat zyrtare të zyrtarëve të Qeverisë së Malit të Zi, fillimisht duhet  të kemi  një dakordim zyrtar me këtë të fundit. Deklaratat  zyrtare të Malit të Zi na japin një sinjal të qartë  se çështja e demarkacionit është pune e kryer, pasi që Mali Zi e ka përmbyllur këtë çështje në Parlamentin e Republikës”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, qeveritarët e vendit duhet që të tregohen të matur në çështjen e Demarkacionit, e të mos marrin vendime të njëanshme.

“Gjykoj se institucionet përgjegjëse të Kosovës duhet të tregohen me vigjilente e më të matura, dhe çështjen e demarkacionit ta zgjidhin përmes mjeteve institucionale e jo ta marrin vendime të njëanshme që nuk prodhojnë zgjidhje të pranueshme në raport me shtetin që bëhet demaskimi”, ka shtuar Ahmeti.

Ndërsa, deklaratën e Haradinajt, ai e sheh si të pa matur dhe se pavendosmëria e tij mund të prodhojë zhgënjim qytetar për demarkacionin.

“Haradinaj në deklaratat e tij zyrtare ka qenë i pamatur dhe euforik, por jo racionalist e pragmatik të cilat deklarata mund të gjykohen nga qytetarët e Kosovës. Mos konsistenca në qëndrimet e tij mund të prodhoj një situatë të re në raport me qytetarët e Republikës, duke prodhuar një zhgënjim qytetar  dhe krijim një realiteti të ri sa i përket çështjes së demarkacionit”, është shprehur analsiti Ahmeti.

Vërejtjet për marrëveshjen për demrkacion

Ndërsa, eksperti dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fatmir Arifi ka deklaruar për “Bota sot” se të dy palët edhe ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi janë për vërejtje serioze.

Image
Fatmir Arifi

 “Procesin e demarkacionit e karakterizojnë disa defekte të njëpasnjëshme që nga fillimi. Që të dy palët, sipas mendimit tim, ajo malazeze dhe kosovare janë për vërejtje serioze: Së pari, malazezët në komisionin e tyre kanë pasur influencë pro serbe me qëllim që të lihen problemet ndërshtetërore për llogari të interesave të tyre. Minoriteti serb në Malë të Zi nuk është i pa influencë në qeverinë e Podgoricës dhe gjithnjë ka ndjekur linja për të krijuar kriza ndërshtetërore. Në këtë segment Mali i Zi mund të them se ka rënë viktimë e kësaj influence.  Së dyti, po ti referohemi kushtetues së vitit 1974, delitimimi i kufijve që ka ndodhur me marrëveshjen e viti 1946, e cila marrëveshje ka qenë për kufijtë administrative të ish republikave të Jugosllavisë, nuk është aruzhuar në vitin 1974”, ka deklaruar Arifi.

Për të gjetur një zgjidhje të pranishme për të dy palët, sipas Arifit duhet që Mali i Zi ta dërgojë këtë çështje në arbitrazh

“Së treti, komisioni i Republikës së Kosovës ka qenë tërësisht pa përvojë dhe ndoshta mund ta quajmë dhe jo profesional. Në këtë kuadër dua të theksojë se ne si shtet kemi treguar mungesë të njohjes së praktikave ndërkombëtare për çështjen e demarkimit të kufijve që bazohen mbi njësorë parimesh për demarkimin e kufijve.  Së katërti, lidershipi i Republikës së Kosovës është nxituar me komentime të këtij procesi që në fakt e ka këto komentime e humben profesionalizmin dhe faktografinë. Së pesti, procesi e demarkacionit ka ende hapësirë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, por nëse Mali i Zi do ta dërgojë në arbitrazh këtë proces, atëherë unë besoj që Mali i Zi nuk ka për të arritur t’i provojë faktet në favor të tyre”, ka shpjeguar ai.

Në  fund, Arifi ka thënë se në marrëveshje ka mungesë të profesionalizmit të cilat duhet të korrigjohen që të kalohet në fazat tjera.

“Dhe për fund, po që marrim analizojmë marrëveshjen e nënshkruar aty, keni për të gjetur një mungesë të profesionalizmit dhe si e tillë ajo duhet fillimisht të korrigjohet mandej të kalohet në faza tjera. Më lejoni të ju them se në marrëveshje nuk parashihet askund se në rast të kontestit ndërkombëtarë palët kujt ti drejtohen, por vetëm parashihet parimi i vullnetit të  mirë në mes dy palëve. Pra kjo është një mungesë e dijes për sa i përket demarkimit të kufijve”, ka përfunduar Arifi.

Nuk ka arbitrazh

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova nuk mund ta dërgojë në arbitrazh Demarkacionin pa dijeninë e Malit të Zi.

Image
Blerim Burjani

“Jo, s`ka Arbitrazh fare pa dy palë, nuk mund të shkojë lënda në Arbitrazh pa pranimin e dy palëve kjo është kot, këtë ia ka bërë me dije Mali i Zi Kosovës, tjetër temë është kur nuk marrin vesh në rregulla ose nuk i pranojnë ato. Pa dy palë s`ka Arbitrazh”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për Malin e Zi, kjo temë ka përfunduar dhe se nuk ka nevojë komision të ri, pasi sipas tij, kjo punë ka përfunduar.

“Mali i Zi ka qenë i qartë se ata kanë përfunduar këtë temë dhe nuk do të merren më fare. Për të bërë punë koti dhe humb para të taksapaguesve është themeluar një komision për demarkacion, por nuk ka kurrgjë në të. Këta njerëz nuk po marrin vesh, se këtu gjë s`ka këtu nuk ka nevojë, as komision e as me asgjë, kjo punë ka përfunduar”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk duhet të mbahen qytetarët e Kosovës peng dhe të izoluar brenda Kosovës pa liberalizim të vizave.

Ai ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje në pranverë, pasi që sipas tij Kosova gjendet në një ngërç politik.

“Unë mendoj se deri në pranverë duhet të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme se s`ka kurrfarë zgjidhjesh Kosova gjendet në ngërç politik , kjo dihet e shihet, Kuvendi do të jetë organ jo funksional pa nxjerr vendime të mëdha që kërkohen për të nxjerr qytetarët e Kosovës nga balta që kanë bërë vet kjo klasë politike”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat