“Deklarata e Boltonit i jep fund debatit për shkëmbim apo korrigjim të territoreve me Serbinë”

Politika

“Deklarata e Boltonit i jep fund debatit për shkëmbim apo korrigjim të territoreve me Serbinë”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 gusht 2018 Në ora: 14:49
John Bolton.

Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu deklaroi dje këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton në Kiev.

“Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne. Prej kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë, ka pasur shumë tensione dhe rreziqe. Mirëpo ka pasur edhe zhvillim”, ka thënë ai duke iu referuar kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, derisa u pyet nga Radio Evropa e Lirë se çfarë mendon për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mosmarrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar. Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja Qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”, është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë deklaratë, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se interesimi i Serbisë për shkëmbim territoresh vjen për shkak të pasurive natyrore që ka Kosova por që sipas tij një gjë të tillë nuk do ta lejojnë fuqitë e mëdha.

“Interesimi i Serbisë për shkëmbim territoresh nuk vjen nga interesi i saj për popullsinë serbe që jeton në veri të Kosovës, por pikërisht për faktin e pasurive të mëdha natyrore me të cilat disponon pjesa veriore e Kosovës. Por fuqitë e mëdha nuk do të lejojnë një gjë të tillë, edhe nëse Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq do të tentonin të futeshin në aventura të tilla, sepse në këtë mënyrë do të hapej Kutia e Pandorës dhe do kishte devijime demografike në gjithë botën”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, deklarata e Bolton i jep fund debatit për shkëmbim apo korrigjim të territoreve dhe çdo debat i mëtejshëm është debat shterpë i presidentit Thaçi.

“Edhe deklarata e Këshilltarit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton se Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, i jep fund debatit për shkëmbim apo korrigjim të territoreve. Prandaj çdo debat i mëtutjeshëm për këtë temë, nuk është gjë tjetër veçse një debat shterpë i presidentit Thaçi, i cili në këtë mënyrë po tenton të faktorizohet në skenën politike vendore dhe atë Ballkanike”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat