Hipokrizia e klaneve Mustafa dhe Kurti

Politika

Hipokrizia e klaneve Mustafa dhe Kurti

IDRIZ ZEQIRAJ Nga IDRIZ ZEQIRAJ Më 20 nëntor 2018 Në ora: 15:38
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Eksponentët skllevër të shefave partiakë, Mustafa e Kurti, përkatësisht, Lutfi Haziri dhe Albulenë Haxhiu, shpërfaqen hipokrizitë e tyre banale, në emër të LDK-së dhe të VV-së. Luta thotë se LDK-ja e kushtëzon koalicionin me njohjen e vlerësimin e personalitetit të Ibrahim Rugovës nga VV-ja. Ndërsa, Albulena, një zogëz e inkubatorit enverist, deklaron se Albini nuk shkon ke varri i Rugovës.

Shtrohet pyetja: Pse i duhet Lutës vizita e Albinit ke varri i Rugovës, gjoja, për t`i hapur rrugë koalicionit ndërpartiakë?! Asgjë. Hipokrizi e kulluar. LDK-ja, përkatësisht, klani brenda Kryesisë, ka bërë koalicion me PDK-në, madje, është i gatshëm të koalicionojë edhe tani me atë, edhe pse ia ka listuar dhe ekzekutuar, madje, ngeshëm, me "pushkë hekuri", meshkujt më të mirë LDK-së.

Ndërsa, Albulenë Haxhiu përrallisë hipokrizinë, se Vetëvendosja nderon e viziton dëshmorët e luftës, duke "harruar" se Ibrahim Rugova është - Hero i Kosovës -, është mësuesi, udhërrëfyesi dhe, me urtësinë politike e diplomatike, projektuesi dhe realizuesi i Pavarësisë së Kosovës. Rugova është themeluesi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës.   

Arsyet janë më thellë. Kur akademikët komunistë të Kosovës dhe idolët e Kurtit përkuleshin, turpshëm, para varrit të diktatorit Hoxha, vrasës të mijëra shqiptarëve atdhetarë, Ibrahim Rugova e injoronte përbuzshëm, edhe të vdekur, Enver Hoxhën, duke e tejkaluar atë, për të nderuar dëshmorët e kombit, tek Përmendorja "Nënë Shqipëri".

Anatema e sivëllezërve ideologjikë të Albin Kurit, ndaj Rugovës, do të çimentohej, për ta transmetuar, anakronisht, tek ai dhe klani i tij. Kjo mund të konsiderohet si hakmarrje e Albinit kundër Rugovës, edhe pas amësimit në përjetësi. Megjithatë, vizita e Albinit, ke varri i Rugovës, me gjithë atë llum ideologjik sllavist, do të ishte jo nderim, por, përdhosje e tij.

Është pikërisht dogma ideologjike staliniste, skajshëm anakronike, e Albinit,  si survejimi, përgjimi, denigrimi konspirativ, ndaj "shokëve" partiakë, që dëmtoi, madje, pakthyeshëm, Vetëvendosjen. Dhe, po të ishin kohë të tjera, do t`i ekzekutonte Aida Dërgutin e Dardan Molliqaj me shokë, njësoj si Enver Hoxha kuadrot e luftës: Semiha Sinamatin e Et`hem Gjinishin me shokë.

Rrënimi i parimeve bazike të LDK-së

Është hipokrizi e klanit Mustafa, të thirret në emrin e kryetarit Rugova, ndërkohë që ky klan ka rrënuar të gjithë trashëgimin e tij, parimet bazike të LDK-së:  

1) Ka krijuar rrethin vicioz, klanin brenda LDK-së, për interesa vetjake e grupore;

2) Ka shkëputur lidhjen me anëtarësinë, duke injoruar tërësisht në marrjen e vendimeve, në kundërshtim me vullnetin e saj. Për rrjedhojë, fshatrat madhorë, dikur bastione të LDK-së, si Zhuri i Prizrenit, Dobërçani i Gjilanit, Vrella e Istogut, Isniqi i Deçanit dhe të tjerë kanë bojkotuar, në një masë të madhe, klanin në Kryesinë Qendrore, duke abstenuar edhe në votime zgjedhore;

3) Ka anashkaluar, deri në largim, gardën e përkushtuar rugoviane. Dhe, tani, bokoton e bllokon brezin e ri;

4) Ka bërë koalicione, hiç parimore, për interesa, thjeshtë, vetjake e grupore;

5)Ka rrënuar sistemin zgjedhor demokratik brenda-partiak, duke ndaluar debatin, konkurrencën zgjedhore dhe braktisur votimin e fshehtë e demokratik;

6) Ka humbur të gjitha zgjedhjet qendrore e lokale, pas shuarjes fizike, amshimit të Presidentit Rugova;

7) Ka favorizuar infiltrimin e SHIK-ut, brenda strukturave të partisë;

8) Me gjithë kërkesën, në vijimësi, të anëtarësisë, për zgjedhje të menjëhershme brenda-partiake, klani brenda Kryesisë pengon, nga frika e goditjes të klanistëve dhe të SHIK-istëve brenda LDK-së!

Lista e të "bëmave" dhe prapësinave tjera, të klanit brenda Kryesisë të LDK-së, është e gjatë. Por, këtu cituam vetëm disa syrësh

Koalicioni parazgjedhor LDK-VV, domosdoshmëri

Anëtarësia e LDK-së "e njeh si paren e kuqe"Albin dogmatikun, me klanin e tij, i cili, njësoj si Isa, nuk përfillë fare anëtarësinë. Por, qëllimi dhe mundësia e vetme, për ta shporrur nga pushteti bandën vrastare e hyjneshën zyrtare të shqiptarëve, PAN-in kriminal, është koalicioni i LDK-së me Vetëvendosjen.

Dërdëllitjet e klanorëve, brenda LDK-së, "pse ta ndajmë pushtetin me të tjerët, kur mund t`i fitojmë zgjedhjet edhe të vetëm", janë të zgjyrosura, të dala boje. Kjo është thënë para të gjitha zgjedhjeve dhe rezultati ka qenë humbës, fatal për LDK-në. Edhe tani e njëjta gjendje. Pavarësisht vetëqejfbërjës të klanorëve, anketimet e nxjerrin LDK-në me një ngritje të papërfillshme, deri më 24 %, që nuk do të thotë asgjë, për t`u ngritur në pushtet. Pra, "hopa e në kokërr shpine"! Edhe slogani i të gjitha partive se "kemi aleancë me popullin", tashmë, është bërë bozë.

Hipokrizinë e përbashkët klanorët e LDK-së dhe të VV-së, e shfaqin lidhur me mosbashkëpunimin me Listën Serbe, për ta rrëzuar qeverinë, zhvatën më të madhe të buxhetit shtetëror, "prej se ka mbirë Lisi", edhe pse, së fundi, LDK-ja duket se e ka zbutur këtë qëndrim. Megjithatë, siç flitet në Qarshi, këto dy parti nuk e kanë seriozisht rrëzimin e qeverisë, sepse, pengesë është SHIK-u, brenda Kryesive të LDK-së dhe VV-së. Bilëz, Albini i ka thënë njëherë Dardanit, "të mos shkëputemi nga PDK-ja, se është fituese konstante!"

Sjellja sa hipokrite, aq edhe e vrazhdët karshi Listës Serbe, ka edhe elemente të idiotësisë brenda. Ndërkombëtarë janë këtu, janë monitorues të sjelljeve partiake. Kur dëgjojnë "xhevahiret" albinkurtiste, i konsiderojnë rrenë e pallavra deklaratat e zyrtarëve, për integrimin e bashkëjetesën me komunitetet pakicë në Kosovë.

Vërtet, serbo-sllavët , veç krimeve tjera, kanë vrarë edhe 800 dëshmorë. Por, edhe banditët e PAN-it në pushtet, kanë ekzekutuar 1.820 shqiptarë të pafajshëm dhe, megjithatë, opozita nuk ka "vija të kuqe" për PDK-në apo  PAN-in.

Sidoqoftë, për ta larguar krimin, nga kupola e shtetit dhe pushtetit, lëvizja e të gjitha levave është e përligjur. Gjithherë, për një ndryshim pozitiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat