​Disa arsye joligjore për pushimin e punonjësve nga puna në Kosovë

Puna

​Disa arsye joligjore për pushimin e punonjësve nga puna në Kosovë

Më: 8 prill 2021 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Vendimi për ta pushuar nga puna një punonjës nuk mund të merret pa arsye të qëndrueshme. E, aq më pak kur punëdhënësi për ndonjë pakënaqësi nuk komunikon me punonjësin, por vendosë aty për aty që ta largojë atë. Shumica e shteteve e kanë të rregulluar ligjërisht çështjen e punësimit e me këtë edhe të shkëputjes së kontratës. Disa prej tyre e kanë të ligjshme që t’i pushojnë punonjësit nga puna vetëm se ashtu duan, por kjo deri në momentin kur ato arsye nuk përkojnë me arsyet e ndaluara me ligj.

Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi.

Raca është arsye jo ligjore për ta pushuar dikë nga puna

Nuk mund të pushoni një punonjës të një kombësie vetëm për ta liruar vendin për një tjetër kombësi. Po ashtu edhe në Kosovë si në disa vend të tjera kompanitë nuk mund ta punësojnë një punonjës të huaj, nëse ai nuk ka leje të punës. Por, në rastet kur ai/ajo është i pajisur më të nuk mund të diskriminohet vetëm pse është i një kombësie tjetër.

Gjinia është një arsye tjetër

Sipas nenit 5, të Ligjit të Punës punëdhënësi është i obliguar që në rastin e punësimit të punonjësve, për të njëjtin vend pune të përcaktojë kritere dhe mundësi të barabarta si për femra ashtu edhe për meshkuj. Kështu që, është jo ligjore të pushohet një punonjës vetëm pse është mashkull apo femër.

Pushimi nga puna për shkak të religjionit

Pavarësisht se cilit besim i takon punonjësi, besimi fetar është i mbrojtur. Përjashtim ka vetëm në rastet kur dikush nga pjesëtarët e bashkësive fetare ndërron besim. Ose në rastet kur keni të punësuar një punonjës me një besim të atillë, i cili nuk dëshiron t’i prekë pijet alkoolike, në ndërkohë që biznesi juaj është bar, ku shërbehen klientët. Përndryshe, në një kompani ku i vetmi rast kur punonjësit mund të konsumojnë pije alkoolike është në festën e fundvitit, punëdhënësi duhet të jetë i kujdesshëm për t’i akomoduar edhe punonjësit e besimeve që nuk përdorin pije të tilla.

Paftësia apo personat me aftësi të kufizuara

Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, i punësuari tek i cili paraqitet aftësia e kufizuar, ka të drejtë të punojë në punën e tij ose sipas përshkrimit të punës ose punë tjera përkatëse, nëse sipas aftësisë së mbetur për punë mund ta kryejë atë punë pa rehabilitim profesional.

“I punësuari të cilit i është zvogëluar aftësia shëndetësore për punë pas rehabilitimit profesional është aftësuar të kryejë punë të caktuara, konsiderohet i aftë për kryerjen e atyre punëve”, thuhet në nenin 47, paragrafi i dytë.

Në raste të tilla, punëdhënësi ka për detyrë që të punësuarit t’ia sigurojë atë lloj pune për të cilën është aftësuar pas rehabilitimit profesional.

Por, nëse i punësuari refuzon t’i pranojë punët në bazë të këtij ligji, punëdhënësi me paralajmërim mund t’ia shkëpusë kontratën e punës së të punësuarit. Ndërsa, në të gjitha rastet e tjera punëdhënësi nuk mundet në asnjë formë që t’i largojë këta punonjës nga puna.

Pushimi për shkak të moshës

Punëdhënësit mund ta pushojnë nga puna një punonjës i cili ka “mashtruar” me moshën, duke qenë më i ri sesa parashikohet që mosha e tij të punojë në një punë të tillë, por jo edhe për të qenë i moshuar.

Për shembull, sipas Ligjit të Punës i punësuari nën moshën 18 vjeçare nuk mund të punojë në punët e rrezikshme, si në vijim:

5.1. në nëntokë, nën ujë, në lartësi të rrezikshme apo në vende të mbyllura,

5.2. me makineri të rrezikshme, në pajisjet dhe veglat, të cilat duhen shfrytëzuar, dhe në transportimin e ngarkesave të rënda;

5.3. në mjedis jo të shëndoshë, i cili për shembull i ekspozon të rinjtë në substancat e rrezikshme, faktorëve ose proceseve, temperaturave, zhurmave dhe dridhjeve që dëmtojnë shëndetin e tyre;

5.4. nën kushte posaçërisht të vështira siç është puna me orar të gjatë, apo në rrethana të caktuara gjatë natës, puna në mjedis të mbyllur.

I vetmi rast i shkëputjes së kontratës për shkak të moshës është në kohën e pensionimit kur punonjësi ka arritur 65 vjet.

E, nëse po mendoni që ta pushoni nga puna një punonjës, për shkak e ai/ajo i ka kaluar të dyzetat atëherë, mos harroni që edhe ju një ditë do t’i keni po kaq vjet.

Shtatzënia është po ashtu arsye e paligjshme

Ligjërisht në Kosovë gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë dhe mungesës në punë për shkak të përkujdesjes së veçantë ndaj fëmijës, punëdhënësi nuk mund t’ia shkëpusë kontratën të punësuarit dhe t’ia ndërrojë vendin e punës, përveç në rastet e shkëputjes së kontratës për shkak të largimeve kolektive nga puna.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat