Kryemadhi: Unë fallxhorja, e shoh të ardhmen e ndritur pa Ramën Kryeministër

Shqipëria

Kryemadhi: Unë fallxhorja, e shoh të ardhmen e ndritur pa Ramën Kryeministër

Më: 4 maj 2019 Në ora: 13:21
Monika Kryemadhi

Nga Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se kjo është mbledhja e parë pa mandat deputeti.

Ajo tha se LSI është si doktori që do të shërojë të sëmurin e përhershëm, për të shëruar sëmundjen kronike që Shqipëria ka 30 vjet në tranzicion që e kalon.

“Edhe si doktoreshë edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë, të ndritur të begatë, pa Edi Ramën Kryeministër”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo u ndal edhe në reformën në drejtësi, duke thënë se qëllimisht vendi ka mbetur pa Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, me synim që të shkatërrohen shumë prona dhe të vidhet hapur.

Sipas saj, ka ardhur koha që t’i jepet fund tranzicionit të zgjatur 30-vjeçar, që Shqipëria të bëhet europiane me djem dhe vajzat e reja plot energji, për të zhdukur bandën kriminale në pushtet.

Ajo shtoi se sa më parë të shembet ky regjim aq më shumë shanse do të kenë shqiptarët për një integrim europian.

“Falë këtij regjimi humbën sërish shansin për hapjen e negociatave, po rrezikojmë edhe rikthimin e regjimit të vizave. Mori në qafë edhe vëllezërit tanë kosovarë. Krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen tonë. Ramës i mjaftojnë vetëm këto, nuk i hyn më në punë as PS”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo e cilësoi si trishtim të madh për të si ish-anëtare e Partisë Socialiste që të shikonte Kryeministrin në një Samit të rëndësishëm dhe në krah të tij nuk kishte njerëz me reputacion serioz dhe me eksperiencë, qoftë edhe të PS-së.

“Shqipëria është e varfër, por njerëzit nuk i kanë munguar, aq më shumë Partisë Socialiste. Egocentrizëm i një kryeministri dhe kryetari partie në ikje që krijon vetëm dëshpërim për shqiptarët”, tha kryetarja e LSI. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat