Holanda letër KE-së për vizat me Shqipërinë, ambasada: Vlerësimin e jep Komisioni Europian

Shqipëria

Holanda letër KE-së për vizat me Shqipërinë, ambasada: Vlerësimin e jep Komisioni Europian

Më: 31 maj 2019 Në ora: 13:37
Ilustrim

Holanda ka dorëzuar sot zyrtarisht në Komisionin Europian projekt-rezolutën e miratuar pak kohë më parë në parlamentin e saj, ku kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët. Në letrën drejtuar komisionerit për Migrimin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e liberalizmit të vizave për shtetasit shqiptarë.

Top Channel i kërkoi një reagim ambasadës së Mbretërisë së Holandës pas letrës që qeveria holandeze i nisi Komisionit Europian për rikthimin e vizave shtetasve shqiptarë.

Në reagimin e saj, ambasada holandeze, shpjegon se në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Më tej ambasada holandeze sqaron se tashmë i takon Komisionit Europian që të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim, e të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.

Gjithashtu qartësohet edhe se deri në një vendim të dytë politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Reagimi i plotë i ambasadës holandeze
Parlamenti Hollandez i kërkoi Qeverisë hollandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.

Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Hollandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.

Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Hollanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.

Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat