Nga 1 gushti, 300 studentë nisin praktikat pranë drejtorive të Tatimeve dhe Inspektoriatit të Punës

Shqipëria

Nga 1 gushti, 300 studentë nisin praktikat pranë drejtorive të Tatimeve dhe Inspektoriatit të Punës

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 20:22
Ilustrim

”Nga 1 gushti, rreth 300 studentë do të nisin praktikat për 6 muaj, pranë drejtorive rajonale të Tatimeve dhe Zyrave të Inspektoriatit të Punës në gjithë vendin”, deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Në një takim me studentë praktikantë, ministrja Denaj u shpreh po bëhet një punë e madhe për të ndërlidhur nevojat e tregut të punës me kërkesat për t’u punësuar.

“Është shumë e rëndësishme praktika dhe përdorimi i praktikës në mënyrë të vazhdueshme ndihmon në zgjedhjen tuaj afatmesme. Ju duhet ta shikoni këtë si një pjesë procesi post-studimi. Ju ftoj të aplikoni për vendet vakante në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj”, – tha Denaj.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sipas Denaj, “ka në total 5800 punonjës, 10% e të cilëve vijnë nga ekselenca, por ka mundësi edhe për praktikantët që zgjedhin të hyjnë në tregun e punës”.

Vetëm në 6 muajt e fundit, sipas Denajt, MFE punësoi 119 praktikantë. “Ne jemi ndër të parët si ministri, ndoshta edhe për potencialin që kemi, që e kemi treguar me vepra që mundemi dhe duam më shumë. Procesi ynë drejt integrimit europian kërkon dinamizëm, ekspertizë, ekselentë. Ju ftoj të jeni pjesë e të gjitha ftesave që ne bëjmë si për praktikantë edhe për ekselentë”, – tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat