Sot jepet pretenca për Salianjin, ish-deputetët e PD-së në pritje - Bota Sot
Sot jepet pretenca për Salianjin, ish-deputetët e PD-së në pritje

Shqipëria

Sot jepet pretenca për Salianjin, ish-deputetët e PD-së në pritje

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 14:21
Foto

Në orën 13:00 ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji; ku Prokuroria e Tiranës do të shpallë pretencën e saj.

Ish-deputetët e PD-së po tregojnë solidaritetin e tyre, ndërkohë që ish-deputeti Salianji akuzohet për kallëzim të rremë në çështjen që njihet si “Babalja”.

Ju kujtojmë se ish-deputetëve të Partisë Demokratike iu kërkua që të organizoheshin dhe të ndiqnin nga afër seancën gjyqësore që do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj kolegut të tyre.

Në mesazhin e dërguar nga nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, thuhej se ish-deputetët duhet të mblidhen, pa asnjë mungesë, në selinë blu, në orën 12:00, dhe më pas në mënyrë të organizuar do të shkojnë pranë ambienteve të Gjykatës penale të shkallës së parë, në orën 13:00.

PD e konsideron procesin ndaj përfaqësuesit të saj si të montuar politikisht.

Audiopërgjigjimi “Babalja”, shkaktoi bujë të madhe për shkak se në të përmendej Agron apo Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe pretendohej se ai ishte i lidhur me çështje të trafikut të drogës. Vëllai i ish-ministrit, pasi depozitoi në prokurori fragmente nga zëri i tij, u vetëdorëzua pranë autoriteteve italiane, për të vuajtur një dënim të shumë viteve më parë.

Aktualisht, i vetmi që po mbahet në burg, është Fredi Alizoti, i cili pretendon se është ai personi që ka imituar zërin e Agron Xhafës.

Ndërkaq, ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, të lidhur me dosjen Babalja, akuzohen se kanë kryer kallëzim të rremë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat