Spitali i Fierit përdor oksigjen industrial për pacientët me Covid

Shqipëria

Spitali i Fierit përdor oksigjen industrial për pacientët me Covid

Më: 18 mars 2021 Në ora: 19:35
Ilustrim

Oksigjeni industrial është përdorur edhe nga spitalet në Fier dhe Ballsh. Kjo zbulohet nga dosja e prokurorisë së Fierit e cila nisi hetimet menjëherë pas lajmit që “ABC” publikoi në nëntor të vitit të kaluar për tregtimin e bombolave te oksigjenit industrial për të sëmurët me Covid nga firma Brakaj.

Hetimet kanë zbuluar se pika e tregtimit të gazeve ka licencë  vetëm për oksigjen industrial, por nga ana tjetër zbulohet se Spitali i Fierit dhe ai i Ballshit janë furnizuar gjithashtu në këtë subjekt  me oksigjen.

Për të hedhur dritë mbi këtë skandal, prokuroria ka kërkuar informacion edhe nga shoqëria “Messer Albagaz”, nga e cila furnizoheshin dy spitalet.

Fundjavave kur shoqëria “Messer Albagaz” nuk kryen furnizime, spitali i Fierit dhe i Ballshit kur kanë nevojë, furnizohen me oksigjen te subjekti Brakaj.

Në janar të këtij viti, prokuroria e Fierit nisi hetimin në gjendje të lirë për pronarin dhe shitësin e “Brakajt”, për veprën penale “importim, prodhim dhe tregtim te ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Ndërsa në prokurori përfaqësues të firmës deklaruan.

“Nuk e dinin që bombolat e oksigjenit që e shisnin përdoreshin për pacientet me Covid. Ligji nuk na detyron ti kërkojmë blerësve ndonjë certifikatë apo licencë përpara shitjes së bombolave me oksigjen industrial.”

Ky i fundit përdoret në industrinë ushqimore dhe për saldim.

Pacientët me Covid që trajtohen në shtëpi i përdorin këto bombola si aparat oksigjeni. Aktiviteti i kësaj firme u pezullua deri në fund të hetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat