Debate të forta në KQZ, shtyhet për nesër vendimi për fletët e votimit

Shqipëria

Debate të forta në KQZ, shtyhet për nesër vendimi për fletët e votimit

Më: 30 mars 2021 Në ora: 20:21
KQZ

Shtyhet për nesër vendimi për miratimin e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit, përshkak të debateve në KQZ. Në mbledhjen e sotme të Komisionit Rregullator, Ilirjan Celibashi paraqiti tre variante, por palët u ndanë për kompetencat, por edhe faktin që prisnin nga kryekomisioneri një variant, që më pas ta kalonin ose ta rrëzonin.  Për këtë arsye, Celibashi u tërhoq për të risjellë një tjetër propozim. Mbledhja e radhës do të zhvillohet nesër.

Diskutimet në mbledhjen e Komisionit Rregullator

Ilirjan Celibashi: Ju jam sjellë tre variante. Dy me emra kandidatësh dhe një ku kandidatët përfaqësohen me numra. Ju takon juve të vendosni.

Eridjan Salianji, PS: Për këtë gjë të mos vendosë Rregullatori, duhet të vendosë vetë kryekomisioneri Celibashi. Nuk është kompetencë e juaja. Të pushojë mbledhja.

Helga Vukaj, anëtare e Rregullatorit (e propozuar nga PD): Është kompetencë e Rregullatorit. Komisioneri duhet të na sillte një propozim të vetëm, jo tre variante. T’i lëmë kohë për të na sjellë një version përfundimtar.

Shqiptarët kanë votuar në sondazhin e KQZ se kush është fleta më e përshtatshme prej tyre. Njëra ka marrë 79% të votave. Mund të ishte një orientim i mirë.

Iv Kaso, PD: Kthejani komisionerit për saktësim aktin. Të jetë i saktë dhe i qartë akti.

Muharrem Çakaj, anëtar i Rregullatorit (propozuar nga LSI): PS është njohur me materialin, dhe nuk ka pasur asnjë pretendim deri tani. Komisioni Rregullator i ka këto të drejta. (Të miratojë fletën e votimit). Celibashi të na sjellë një model konkret flete votimi, në mënyrë që ne ta miratojmë ose ta rrëzojmë. I japim kohë më shumë nëse atij i duhet për të na sjellë një variant konkret.

Ervin Salianji, PS: Nuk dua të shtyhet mbledhja. Çohuni ju nga tavolina, të ulet Celibashi aty dhe të miratojmë po sot fletën e votimit.

Helga Vukaj: Celibashi është kosheint dhe i vetëdijshëm se ne jemi kompetentë për të miratuar fletën e votimit. Ai ndaj na e ka sjellë neve në tryezë.

Ilirjan Celibashi: Unë e kam shprehur çështjen e kompetencës. E kam sjellë ta shqyrtojë Rregullatori. Le të marrim kohë sic tha përfaqësuesi i PD, ta saktësoj unë aktin, do ta risjell më një propozim konkret se si e konsideroj unë fletën e votimit, pastaj ju vazhdoni me debatin nëse e keni ose jo kompentencë. E tërheq këtë akt me tre variante, dhe jua sjell me një.

Ilirjan Celibashi: Aktin e tërheq për ta sjellë me një propozim konkret si do të jetë përmbajtja e fletës së votimit. Kjo nuk i përjashton variantet, që komisioneri ka bërë me faktorë të tjerë apo veçmas. Riparaqitja do të jetë jo më vonë së 24 orë nga ky moment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat