Selektori i kombëtares së Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave, Lorik Ilazi, ka përzgjedhur volejbollistet më të mira, për të zhvilluar një ndeshje miqësore me kombëtaren e Shqipërisë, e cila zhvillohet në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Synimi i Ilazit është që të shoh formën e secilës volejbolliste dhe të komponojë një kombëtare sa më të fuqishme për të ardhmen. “Selektori Ilazi ka bërë publike listën e lojtareve në të cilat do të llogarisë në ndeshjen miqësore të 16 shkurtit ndaj Shqipërisë. Bordi i FVK-së ka vendosur më herët që Kombëtarja të grumbullohet për një ditë me ardhjen e sportisteve vetëm për stërvitje.
Stërvitjet do të mbahen me datën 14 shkurt në Prishtinë, kurse ndeshja do të zhvillohet me datën 16 shkurt, në orën 15:00 në palestrën e sporteve ‘Shani Nushi’ në Gjakovë”, bëhet e ditur nga Federata e Volejbollit e Kosovës. Kombëtares tonë i mungojnë tri volejbolliste të dëshmuara, si ajo e Skenderajt Egzona Geci, e cila është e lënduar, pastaj Ronita Leka që është në SG Prinz Brunnenbau Volleys të Bundesligës së Austrisë dhe Venera Kadriu që gjendet në SHBA te North Wood University. Pa dyshim se mungesa e këtyre lojtareve ka lënë një zbrazëti, por gjithsesi se Ilazi do të orvatet që t’i zëvendësojë ato me të tjerat që ka përzgjedhur për sfidën e mirëseardhur me kombëtaren Shqiptare.
Lista e Kombëtares së Kosovës:
Lojtare pasuese: Blina Jaha (Drita), Zyla Kadriu (Drita), lojtare anësore: Adelajda Prenga (Drita), Dhura Sylejmani (Kastrioti), Entela Muqolli (M-Technologie), Florentina Deliu (Skenderaj), Nazmije Ibrahimi (Kastrioti), Rukije Muja (Skenderaj), lojtare të mesit - qendër: Bleona Kadriu (Skenderaj), Elvira Bajraktari (Skenderaj), Fjolla Shabani (Drita), Valmira Ramadani (Kastrioti) dhe libero: Fjolla Hyseni (Drita e Majlinda Abazi (M-Technologie). Selektor: Lorik Ilazi, trajnerë: Ylli Kadriu e Valon Zymeri.