Leonita Hoxha: Synimet e mia janë të mëdha - Bota Sot
Leonita Hoxha: Synimet e mia janë të mëdha

Volejboll

Leonita Hoxha: Synimet e mia janë të mëdha

Nga: Kemajl Goca Më: 29 gusht 2019 Në ora: 13:13
Leonita Hoxha

Nuk e kishte të lehtë Leonita Hoxha që ta përcillte kampionatin nga tribuna, jo me fajin e saj por që klubi Ulpiana nuk ia kishte lëshuar fletlëshimin që të kalojë në KV Prishtina F.  

Volejbollistja e talentuar, që nuk ka më shumë se 20 vjet, e gjatë 183 centimetra, luan në pozitën e qendrës, po kthehet fuqishëm, të cilës ia mohuan të drejtën e lojës për një kohë! Ajo premton maksimumin në fanellën e Prishtina F, ekip që pretendon të luftojë për katër vendet e para.  

Image

KV Prishtina F

Leonita flet për ambiciet, si ndihet në klubin Prishtina F dhe si e përjetoi në lëkurën e saj që për një kohë mbetet jashtë fushës së lojës!

“Bota sot”: Që sa kohë merreni me volejboll dhe si iu lindi dashuria?
Leonita Hoxha: 
Me volejboll merrem që nga viti 2014. Dashuria për volejboll ka qenë qysh herët, duke filluar me garat komunale dhe ato regjionale në shkollën fillore në komunën e Lipjanit, ku për shumë vite radhazi kemi qenë kampion. Aty patën rastin që të me shohin edhe trajnerët e klubit të volejbollit Ulpiana nga Lipjani. Aty fillova hapat e parë si një sportiste e re por me ambicie të mëdha në këtë fushë.

“Bota sot”: Tash e një kohë në Prishtina F. si po ndjeheni, sa jeni e kënaqur dhe çka iu motivon më shumë? 
Leonita Hoxha:
Këtë vit, që nga janari jam pjesë e klubit Prishtina F, por për shkak të pengesës së transferit që bënë trajnerët e ekipit që lash pas, nuk mu mundësua që të jem pjesë e kampionatit. Ekipi me ka pritur shumë mirë, si trajnerët ashtu edhe vajzat. Të gjitha janë të mrekullueshme dhe kanë qenë ato që më kanë motivuar që mos ta ndjej mungesën e lojës edhe pse isha jashtë saj.  Besoj që gjatë kësaj sezone do të jap maksimumin nga vetja që të shkëlqejmë si ekip.

“Bota sot”: A jeni të demotivuar nga kjo pengesë që iu bë nga ana e klubit, që iu la jashtë fushës për 6 muaj?
Leonita Hoxha:
Në fillim ka qenë diçka shumë e rëndë me qenë një lojtare si unë jashtë kampionatit, por trajneret e Prishtina F kanë qenë ata që me kanë dhënë motiv dhe kanë punuar me mua në atë mënyrë që unë të mos humbi gjatë kësaj periudhe por të kthehem më e fuqishme se kurrë. Si këshillë për të gjithë trajnerët e të gjitha klubeve për situata të tilla, që të mos i pengojnë sportistet që të depërtojnë më shumë dhe të shprehin talentin e tyre që nesër këta mund të jenë e ardhmja e vendit dhe pa dyshim këta trajner do të mburreshin me ta.
 
“Bota sot”: Cilat janë synimet e Leonitës?
Leonita Hoxha:
Synimet e mia janë të mëdha në përgjithësi si sportiste, pasi që edhe jam studente e edukimit fizik dhe sportit, veçanërisht në volejboll. Sa i përket këtij viti shpresoj t’i përfundoj me sukses studimet duke qenë njëherazi edhe bursiste sikur vitin e kaluar. Synimi tjetër është të paraqitem sa më mirë me klubin e volejbollit Prishtina F dhe të korri një rezultat të mirë në fund, po ashtu shpresoje që edhe me punën e palodhshme që bëjë të jem edhe pjesë e kombëtares.

“Bota sot”: A synoni që në një të ardhme te luani edhe jashtë Kosovës?
Leonita Hoxha
: Pa dyshim që po. Kosova ka shumë sportiste të mirë në të gjitha fushat por kushtet dhe mundësitë për këta sportist janë të kufizuara. Është mundësi e mirë me shpreh talentin dhe me fitu përvojë të re në ndonjë shtet tjetër.

“Bota sot”: Pas një kohe pushimi të padrejtë, mezi prisni që të paraqiteni për Prishtinën F në ndeshjet zyrtare dhe a e sheh kandidate për kreun e tabelës?
Leonita Hoxha:
Puna që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, besoj që kemi me arrit sukses pse jo edhe kreun e tabelës. Bashkëpunimi dhe ambiciet e klubit do të na bëjnë që të triumfojmë besojë në këtë sezon.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat