Valmira Ramadani si uragan me Fer Volley-n : Kupën ia dedikojmë qytetit, tifozëve të klubit dhe familjarëve 

Volejboll

Valmira Ramadani si uragan me Fer Volley-n : Kupën ia dedikojmë qytetit, tifozëve të klubit dhe familjarëve 

Nga: Kemajl Goca Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 22:15
Valmira Ramadani pranon Kupën e Federatës nga Bahri Gjinovci, president i FVK-së.

Fer Volley nga Ferizaj, klub i ri por që është shembull për të gjithë, ka fituar trofeun e parë në histori të klubit, Kupën e Federatës (FVK-së).

Volejbollistet ferizajase treguan zemër të madhe në krye me kapitenen Valmira Ramadani, duke i dhënë leksion kampiones në fuqi Dritës nga Gjilani. 

Fer Volley triumfon me rezultat 3:1 (25:17, 22:25, 25.14, 25:16) ndaj Dritës, në finalen që u zhvillua në palestrën e sportit “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.

Image

Fer Volley

Gjithçka funksiononte si ora zvicerane në radhët e vashave të Fer Volleyt me kryetrajner Edon Ibrahimi.

Me përjashtim të setit të dytë që e humbën, tre setet tjerë i dominuan dhe i fituan bindshëm. 

Çdo repart funksiononte për mrekulli, kampionja e paforcë dhe e dorëzuar karshi të ashtuquajturit uragan Fer Volley.

Valmira Ramadani, lojtare si ‘bishë’, që sa herë paraqitet shkakton frikë për rivalet, tha se është e emocionuar për trofeun e çmuar.

Ajo është sikur në qiellin e shtatë dhe për një arsye të fortë, si klub janë debutues në elitë dhe fituan trofe, duke e përmbyllur vitin 2021 në mënyrën më madhështore.

“Thënë të drejtën, jam ende e emocionuar dhe po e shijoj momentin.

Ekipi i Dritës, ekip shumë i mirë, i kompletuar dhe dihet që është rivali direkt për titull dhe kjo na bën neve të punojmë edhe me fort. ndeshja shkoj 3:1 me sete, puna e fort në ekip dhe angazhimi maksimal i vajzave në ekip të cilat i përgëzoj dhe i falënderoj shumë sepse kanë bërë punë të shkëlqyer.

Kupa e Federatës ishte një nga synimet tona dhe mendoj se tani pushojmë më mirë”, tha Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Volejbollistja, ndryshe është anëtare e Kombëtares së Kosovës, nuk e kishte të lehtë përballjen me ish ekipin e saj.  

Kujt ia dedikon fitoren?

“Kupën ia dedikojmë qytetit, tifozëve të klubit dhe familjarëve, që nuk ndalën kurrë duke na perkrah neve në fushë”, përfundon Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat