Gjinovci mburret me të arriturat e vitit 2021, synon edhe më shumë

Volejboll

Gjinovci mburret me të arriturat e vitit 2021, synon edhe më shumë

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 18:29
Gjinovci mburret me të arriturat e vitit 2021, synon edhe më shumë

Bahri Gjinovci, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, është i kënaqur me të arriturat e sportit skofiar për vitin 2021, duke pretenduar se viti 2022 do të jetë edhe më i bereqetshëm.

Gjinovci tha se volejbolli gradualisht po rritet në vendin tonë dhe po ashtu iu janë besuar edhe disa aktivitete evropiane që do të organizohen në Kosovë. 

“Federata e Volejbollit të Kosovës gjatë vitit 2021 ka qenë pjesëmarrëse, nikoqire dhe organizatore  e eventeve të ndryshme, ku kanë gjetur përfshirje të gjitha grupmoshat dhe kategoritë në aktivitete.

Gjatë vitit që lamë pas, theks dhe vëmendje të veçantë kanë pasur eventet dhe organizimet si: Kualifikimet për Kampionatin Evropian (femrat); Kosova, nikoqire e Kampionatit Ballkanik në Volejboll U20 (meshkuj).

Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian Beach; volleyball nga grupmosha U20 (meshkujt) në Turqi, pjesëmarrja e Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian në Beach Volley U18 (femra) në Slloveni.

Pjesëmarrja e Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian Beach Volley U18 (meshkuj) në Slloveni; Kosova, nikoqire e Kampionatit Ballkanik në Beach Volley U20 (meshkuj). Kosova, nikoqire e Kampionatit Ballkanik në Beach Volley U20 (femra); Kosova, nikoqire e Kampionatit Ballkanik në Beach Volley U22 (meshkuj); osova, nikoqire e Kampionatit Ballkanik në Beach Volley U22 (femra). Pjesëmarrja e volejbollisteve kosovare në turnetë e Beach Volley në Turqi, Velipojë dhe Tetovë.

Padyshim një prej eventeve më të rëndësishme të volejbollit të Kosovës në përgjithësi ishte arritja historike e gjyqtarit Istref Elezaj, i cili u bë gjyqtari i parë nga Kosova që certifikohet nga CEV për ndarje të drejtësisë në ndeshjet ndërkombëtare.

Për të nënvizuar dhe përforcuar bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Volejbollit, gjithashtu gjatë vitit 2021 u organizua 'Kupa e Pavarësisë' në konkurrencën e meshkujve dhe femrave, ku morën pjesë nga dy ekipe nga Kosova dhe Shqipëria.
Sa i përket kampionatit nacional për grupmoshat e reja, në gara morën pjesë rreth 60 ekipe të ndryshme, të cilat garuan me përkushtim e maturi. Vitin 2022 po e fillojmë me lajme jashtëzakonisht të mira, teksa së fundmi Kosova u konfirmua si nikoqire e ndeshjeve të Grupit E të Kampionatit Evropian.

Në këtë grup, veç Kosovës, garojnë edhe Holanda, Sllovakia dhe Azerbajxhani, me ndeshjet që do të zhvillohen mes datave 19 dhe 23 maj.

Me insistimin e FVK-së, Kosova gjithashtu ka fituar të drejtën për organizimin e ndeshjeve të Kampionatit Evropian U19 (femrat) në Grupin I ku, përveç 'Dardaneve', do të garojnë Turqia, Estonia dhe Hungaria. Përballjet luhen mes datave 7 dhe 11 prill 2022”, ka shkruar Gjinovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat