Shijakasit regjistrojnë fitoren e gjashtë radhazi

Volejboll

Shijakasit regjistrojnë fitoren e gjashtë radhazi

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 11:57
Erzeni

Erzeni ka arritur fitoren e gjashtë radhazi në gjashtë javë të Superligës në volejboll për meshkuj. Pasditen e së shtunës, në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, Erzeni ka patur përballë Studentin, që vazhdon të flasë me gjuhën e sambas. Nën organizimin e De Nasedo Aleksandrinos, Da Silva Gonçalves dhe Donda Don Santos i japin bukuri Studenti. Mirëpo përvoja e Erzenit përmbys dhe atëherë kur skuadra është në vështirësi.

Seti i parë është i ekuilibruar, por gjithnjë nën udhëheqjen e shijakasve: 18-14, 20-17, 23-18 dhe në fund 25-20. I dyti ka nisur mirë për Studentin, që ka kryesuar 7-12, 13-14, 19-20 e vetëm në pikët e fundit Erzeni ka përmbysur duke fituar 25-23. I treti është udhëhequr nga Erzeni deri në 13-11. Më pas kryeson Studenti 17-18. 21-18 për shijakasit dhe vetëm në pikët shtesë, Erzeni fiton 26-24 dhe krejt ndeshjen 3-0. Në përfundim të takimit për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar kanë ardhur trajneri i Studentit, Kestrin Batalli, dhe ai i Erzenit, Ilia Koja.

"Lojë u bë. Nuk është se nuk u luajt fort. Pakujdesi, por në një farë mënyre reflekton dhe mosha e re e ekipit sepse katër lojtarë në fushë janë të rinj, kur njëri prej tyre është ende 16 vjeç. Tre të tjerët janë 21 vjeç. Kështu që eksperienca bëri të vetën, kurse në skuadrën tjetër përvoja është e padiskutueshme", shpjegon Kestrin Batalli.

"Nuk ishte nënvlerësim. Normalisht ne e kemi vlerësuar jashtëzakonisht shumë. Normalisht u munduam t'i fusnim skuadrës frymën e moslëshimit të skuadrës. Por njerëz jemi. Ndodh në momente të veçanta humbje vigjilence se sa lëshim. Unë them humbje vigjilence dhe vetëbesim i tepruar", tregon trajneri i shijakasve, Ilia Koja.

Në ndeshjet e tjera Tirana është rrëzuar në Shkodër, 1-3 ndaj Vllaznisë. Po kështu ka fituar Elbasani, 3-2 ndaj Teutës. Partizani ka mundur Skënderbeun në Korçë 3-1. Tirana për vajza ka mundur Vllazninë në Shkodër, 3-0, kurse Partizani ka fituar në Korçë, 3-2. Sakaq Teuta ka fituar ndaj Lushnjës 3-0. Tanimë për meshkuj kryeson Partizani e Erzeni me 18 pikë, kurse për femra Skënderbeu me 16 pikë. E fundjavën e ardhshme përfundon faza e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat