CEV mban peng Tiranën ndaj izraelitëve

Volejboll

CEV mban peng Tiranën ndaj izraelitëve

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 14:23
Tirana

Konfederata Europiane e Volejbollit (CEV) ka thyer çdo limit, duke tejkaluar të gjitha afatet kohore, teksa vazhdon të mos marrë asnjë vendim për ndeshjen ndërmjet Makabi Tel Avivit dhe Tiranës, e vlefshme për raundin e parë të “Challenge Cup”.

CEV vazhdon të shtyjë gjithçka, teksa është kthyer në palë me skuadrën izraelite, duke injoruar tërësisht kërkesat e bardhebluve, të cilët prej kohësh presin të dinë kur dhe ku do të luajnë.

Te Tirana bëjnë me dije se në çdo komunikim që kanë pasur CEV-in nuk marrin përgjigje, por vetëm driblohen, aq sa në shtëpinë bardheblu shprehen tashmë u duket sikur komunikojnë me klubin e Makabit dhe jo institucionin më të lartë të volejbollit europian, që duhet të jetë asnjëanës.

Kujtojmë se Tirana bëri gjithçka gati për transfertën në Izrael, duke paguar biletat e avionit, akomodimin dhe çdo detaj për ndeshjen e parë që duhej të zhvillohej sipas kalendarit më 24 tetor. Ndeshja u anulua dhe askush nuk dha përgjigje për shpenzimet që shkuan dëm.

Më pas Tirana u njoftua se takimi do të luhej në fushë neutrale, duke e pranuar edhe këtë zgjedhje, ndonëse skuadra izraelite mund të vinte fare mirë në Shqipëri. Ndeshja më pas u mendua të luhej në Qipro, por së fundmi mësohet se as ky vend nuk e merr përsipër ta presë takimin.

Ndërkohë skuadra izraelite nuk pranon të vijë në Tiranë, pasi sipas tyre nuk janë të sigurt në Shqipëri, ndërkohë që në kryeqytetin tonë vetëm pak ditë më parë u zhvillua një prej ngjarjeve më të mëdha sportive, “Tirana Marathon 2023”, eveniment që solli rreth 5000 vrapues nga e gjithë bota.

Ndërsa Tirana mban gjthashtu edhe statusin e “Qyetit Europian të Sportit” për vitin 2023, duke pritur aktivitete ndërkombëtare nga më të ndryshmet dhe fare mirë mund të presë edhe një ndeshje volejbolli.

Një situatë absurde, me qëndrimin CEV-it që tregon se është pozicionuar hapur në krah të skuadrës izraelite, duke i kërkuar bardhebluve shtyrje të vazhdueshme të takimit, ndryshe nga sa ka vepruar me ekipe të tjera izraelite, rezultatet e të cilave i ka vendosur 0-3 në tavolinë.

Kujtojmë se deri më datën 31 tetor, sipas kalendarit duhet të zhvillohet edhe ndeshja e kthimit në Shqipëri, ndërsa gjithçka vazhdon të mbetet pezull. Kjo situatë ka krijuar konfuzion të madh te Tirana, teksa në klubin bardheblu tashmë janë të gatshëm që ta ndjekin edhe në rrugë ligjore çështjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat