Drita e Gjilanit dhe Peja ngadhënjejnë në finale

Volejboll

Drita e Gjilanit dhe Peja ngadhënjejnë në finale

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 20:59
Drita

Veprimtaria mbarëkombëtare e volejbollit për femra e meshkuj, Kupa e Pavarsisë, e cila këtë fundjavë është përmbyllur në Prishtinë, ka kurorëzuar si fituese dy skuadrat vendase, Dritën e Gjilanit dhe Pejën.

Kjo veprimtari vuri përballë 4 skuadrat më të mira të sezonit të shkuar nga Shqipëria dhe Kosova dhe u zhvillua përgjatë 3 ditëve të fundjavës.

Tek femra, Drita e Gjilanit, e drejtuar nga trajneri Lorik Ilazi, ka bërë të vetin trofeun pasi mposhti në finale Skënderbeun në 3 sete, 25-21, 25-18 dhe 25-16.

Ndërkaq, tek meshkujt përballë njëra-tjetrës në duelin për trofeun kanë qenë Peja dhe Partizani. Ndryshe nga dueli i femrave, që është mbizotëruar nga gjilanaset, sfida e meshkujve ka qenë edhe më e luftuar dhe ka qenë ekipi vendas që e ka fituar setin e parë, 25-22. Seti i dytë ka qenë edhe më i luftuari dhe ka zgjatur edhe më tepër, teksa në pikët shtesë është fituar nga Partizani me shifrat 34-32.

Megjithatë, Peja e udhëhequr nga veterani Gazmend Husaj, e ka marrë setin e 3-të, me shifrat 25-22 duke u rikthyer kështu sërish në epërsi.

Dhe skuadra vendase ka vijuar ta fitojë edhe setin e 3-të, 25-23, dhe bashkë me të gjithë takimin 3-1 me sete, duke bërë të vetën gjithashtu edhe trofeun e Kupës së Pavarsisë 2023 në volejboll për meshkuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat