Skënderbeu është skuadra e parë finaliste e Kupës së Shqipërisë

Volejboll

Skënderbeu është skuadra e parë finaliste e Kupës së Shqipërisë

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 11:15
Pamje nga ndeshja

Skënderbeu është skuadra e parë finaliste e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Korçaret, të cilat janë edhe fitueset në fuqi të këtij kompeticioni, likuiduan me dy takime Partizanin në gjysmëfinale.

Moment nga ndeshja e djeshme Skënderbeu-Partizani 3-0

Skuadra e Orlando Kojës i mbylli dje llogaritë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj të kuqeve që drejtohen nga Amarilda Prenga.

Të mbështetura nga publiku i zjarrtë dhe i shumtë në numër, vajzat e Skënderbeut zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, duke marrë edhe kualifikimin e merituar për në finale, teksa kishin fituar edhe në ndeshjen e parë në Tiranë me rezultatin 2-3.

NDESHJA – Në një atmosferë elektrizuese, ashtu sikurse ndodh rregullisht në takime të tilla në Korçë, Skënderbeu dhe Partizani zbritën në parket me qëllime të qarta, me vendëset që kërkonin ta mbyllnin çështjen e kualifikimit, ndërsa kryeqytetaset për ta çuar me ndeshje të tretë. Seti i parë ishte edhe më interesanti i të gjithë sfidës. Korçaret ishin gjatë të gjithë kohës në epërsi, por pa mundur që të krijonin shkëputjen decizive, me setin që shkoi në pikët 19-19.

Por në fund vajzat e Orlando Kojës u treguan më të qarta, për ta fituar setin 25-23. Suksesi në fraksionin e parë e shtoi edhe më shumë dozën e besimit në radhët e Skënderbeut, ndërsa miket u demoralizuan. Kjo u pa qartë në setin e dytë, me ekipin korçar që u shfaq dominues në parket në të gjitha komponentët e lojës. Kështu Skënderbeu krijoi avantazh që në pikët e para, për ta thelluar gradualisht epërsinë, me setin që u mbyll 25-14. I njëjti skenar u pa edhe në setin e tretë, teksa Partizani ishte i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa korçaret e kontrolluan lojën qetësisht, për ta fituar setin 25- 15, duke e vulosur takimin 3- 0 në harkun kohor të 75 minutave.

Më tej kishte vend për festën e merituar të vajzave korçare para publikut të tyre, duke iu gëzuar kualifikimit për në finale, aty ku do të kërkojnë trofeun e nëntë të Kupës së Shqipërisë në historinë e klubit.

Ndërkohë ditën e sotme do të jetë radha për gjysmëfinalen tjetër ndërmjet Tiranës dhe Pogradecit, takim që do të luhet në orën 17:00 në sallën “Farie Hoti” në kryeqytet.

Vajzat bardheblu, të drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi e kanë fituar bindshëm me rezultatin 0-3 ndeshjet e parë, ndërsa tashmë synojnë që ta certifikojnë kualifikimin për në finale në fushën e tyre.

Nga ana tjetër ekipi liqenor vjen në kryeqytet me shpresën për ta çuar serinë me tri takime, edhe pse vajzat e Mimoza Shahut janë të vetëdijshme për shkallën e vështirësisë në këtë sfide, teksa do të gjejnë përballë një ekip që po kalon një formë të shkëlqyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat