Ejupi-Hajzeraj: AAK-ja ka paraparë 1 miliard euro për rimëkëmbjen ekonomike

Zgjedhjet 2021

Ejupi-Hajzeraj: AAK-ja ka paraparë 1 miliard euro për rimëkëmbjen ekonomike

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 18:36
Pranvera Ejupi-Hajzeraj

AAK-ja e ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit në qytetin e Prizrenit.

Kandidatja për deputete nga kjo parti, Pranvera Ejupi-Hajzeraj, ka treguar se cila ishte arsyeja pse këtë herë AAK-ja e zgjodhi Prizrenin.

“Prizreni është një ndër qytetet më të bukura të Kosovës dhe është më domethënës. Ku mund të hapet fushata më bukur sesa në Prizrenin e Lidhjes së Prizrenit? Ishte një pamje e mrekullueshme dhe ishte nder të jesh pjesë e organizimit atje”.

Ajo, në Info Magazine, ka shpalosur programin e AAK-së ku në fokus të veçantë është rimëkëmbja e ekonomisë.

“Ne si AAK e kemi programin, të paraparë për vitet 2021-2025, i cili ndahet në disa fusha. Po kalojmë një kohë shumë të vështirë, jo vetëm ne, por gjithë rajoni dhe bota. I jemi dedikuar fillimisht ekonomisë që të bëjmë një rivitalizim të ekonomisë. Është shumë e rëndësishme edhe siguria, sepse aty ku nuk ka siguri nuk mund as të investohet. Shteti i së drejtës është një nga top prioritetet. Rëndësi të veçantë i kemi dhënë mirëqenies së qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që kemi përpiluar një program sa i përket rinisë dhe sportit. Duket e ditur që Kosova që ka kaq shumë të rinj i kemi dhënë hapësirën që i duhet, sepse ne në botë shquhemi për një rini të shëndoshë”.

Kandidatja për deputete nga AAK-ja ka deklaruar se kjo parti ka paraparë 1 miliard euro për fondin për rimëkëmbje ekonomike.

“Sa i përket Fondit të Rindërtimit Ekonomik, ne kemi paraparë 1 miliard euro. Këto mjete e kemi paraparë që do të financohen nga paratë publike. 20 % të kësaj shume do të merret nga buxheti i shtetit, 10 % nga Fondi i Privatizimit, 10 % do të vijnë nga Fondi i Garantimit të Kredive dhe pjesa tjetër prej 60 % do të merret nga Borxhi Publik – pasi Kosova e ka borxhin publik më të ulëtin në rajon”.

“Me masat e propozuara nga ky fond kemi për qëllim që t’iu dalim në ndihmë bizneseve, pasi sektori privat është goditur më së shumti nga pandemia. Po ashtu do t’iu dalim në ndihmë qytetarëve e cila është paraparë në disa mënyra. Masat që do të ndërmerren planifikohen që të jenë për tre muajt e parë, pasi pandemia ka bërë që ekonomia të ketë rënie në gjithë botën”.

Në ndërkohë, Gani Dreshaj i AAK-së është parë sot gjatë ditës në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Vrellë të Istogut.

Derisa Ejupi-Hajzeraj nuk ishte e informuar për një gjë të tillë tha se nuk është asgjë e keqe nëse kolegu i saj nga AAK-ja është përshëndetur me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

“Kemi qenë shumë të koncentruar në hapjen e fushatës. Ka mundur të jetë në tubim dhe pse mos me u përshëndet, edhe pse janë kundërshtarë politikë. Unë kam qenë në Prizren dhe tash po i shoh këto pamje. Po e përsëris se nuk po shoh asgjë tragjike nëse ai i ka përshëndetur”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat