Hoxhaj nga Mitrovica: UÇK e solli lirinë, PDK pavarësinë – dyjave iu prinë Thaçi e Veseli

Zgjedhjet 2021

Hoxhaj nga Mitrovica: UÇK e solli lirinë, PDK pavarësinë – dyjave iu prinë Thaçi e Veseli

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 18:56
Pamje nga vizita

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka takuar banorët e fshatit Broboniq të Mitrovicës, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.

 Hoxhaj nga vendlindja e Kadri Veselit theksoi se janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, ata që i kanë prirë projekteve kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 "Kur sot jemi në Broboniq e ndjejmë mungesën e tyre, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore, edhe vëllazërore, edhe njerëzore e emocionale, sepse ky fshat i ka dhënë shumë Kosovës. Ky fshat ka bërë shumë për Kosovën dhe ka dy projekte të cilat neve na kanë mundësuar që të jemi të lirë dhe të pavarur, UÇK dhe PDK. Ka edhe dy njerëz të cilët iu kanë prirë këtyre dy projekteve kombëtare e këta janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi", tha ai.

 Hoxhaj tha se PDK-ja është partia që do të rimëkëmbë edhe një herë Kosovën në aspektin ekonomik, politik, kombëtar, shëndetësor dhe arsimor.

 "Kur dikush bënë përpjekje si Gjykata Speciale me na marrë neve nëpër këmbë, ne do ta rimëkëmbim Kosovën edhe një herë. Do ta rimëkëmbim edhe në planin politik edhe në planin kombëtar, edhe në planin ekonomik, edhe në planin shëndetësor, arsimor", tha ai. 

Kandidati i PDK-së për kryeministër tha se entuziazmi që po e sheh në çdo tubim anekënd Kosovës është tregues se PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit. 

"Kudo ka një vendosmëri, ka një entuziazëm, një vullnet dhe kudo po ndodhë fitorja jonë e madhe e PDK-së sikurse në vitin 2007. Unë ju ftoj që të mos i besoni atyre që bëjnë sondazhe të rrejshme, që janë mashtrues me certifikatë dhe që për shkaqe të ndryshme në fushata zgjedhore bëjnë përpjekje t'ua thyejnë vullnetin. Por, sa herë dikush ka bërë përpjekje t'ia thyej vullnetin PDK-së, kanë qenë qytetarët e Kosovës të cilët e kanë bërë fitoren tonë sa më të madhe", tha ai. 

I shoqëruar nga kandidatët e PDK-së për deputetë nga Mitrovica, Hoxhaj gjatë ditës ka qëndruar edhe në kullën e Ali Kadriut në Kodrën e Minatorëve në veri dhe është takuar me banorët e Lagjes Bair.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat