Mustafa thumbon Vetëvendosjen, ja mesazhi i tij nga hapja e fushatës zgjedhore

Zgjedhjet 2021

Mustafa thumbon Vetëvendosjen, ja mesazhi i tij nga hapja e fushatës zgjedhore

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 19:26
Isa Mustafa

(E plotësuar 19:32) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha të mërkurën në hapje të fushatës së kësaj partie, se do të bëhet gabim i pariparueshëm nëse lejohet që në Kosovën e vitit 2021, të fitojë mendësia e diktatit dhe pushtetit absolut gjë që do të eksperimentonte më të arriturat tona shtet-formuese dhe demokratike.

“Me votën e lirë më 14 shkurt, duke i besuar LDK-së dhe numrit 132, ju qytetarët e Kosovës, këtu dhe në diasporë, do të përcaktoheni për rrugën e integrimit, do të refuzoni përpjekjet për instalimin e pushtetit autoritar në zemër të Evropës”, tha Mustafa.

Sipas tij, oponentët politikë të LDK-së, janë në gjendje që për pushtet ta djegin shtetin, ta rrënojnë rendin juridik dhe të linçojnë çdonjërin që nuk u nënshtrohet dhe nuk mendon si ata.

“Ne nuk e duam krejt pushtetin, ashtu siç po kërkojnë rivalët tanë. Duam demokraci dhe ndarje të pushteteve. Duam forcimin e shtetit të Kosovës, të një shteti që nuk ndahet, nuk pjesëtohet dhe nuk bashkohet. Integrohemi vetëm në Bashkimin Evropian. Jemi miq me të tjerët, por miqësia me SHBA-të është e veçantë. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka respektuar vullnetin tuaj në zgjedhjet e kaluara për të bërë koalicion me Vetëvendosjen. Por, për 50 ditë qeverisje u provua, se ata, jo vetëm që nuk janë të aftë për ta qeverisur shtetin, por janë të gatshëm të dezertojnë nga përgjegjësia karshi qytetarëve dhe karshi partnerëve tanë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës cenohet në themel nga prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë euroatlantikë”, tha kreu i LDK-së.

Ai foli edhe për kalimin e Vjosa Osmanit në listën e Vetëvendosjes.

“Fatkeqësisht kësaj valleje të dëmtimit të interesave të Kosovës ju bashkua edhe ish kandidatja jonë për kryeministre në zgjedhjet e fundit. Ajo u bë kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes me votat e LDK-së, i mori të gjitha privilegjet dhe e tradhtoi besimin tonë dhe tuajin. E kuptoj dhe e miratoj nevojën e përhershme për ndryshime, për avansim të njerëzve të rinj, për mendje të re, për jetë demokratike. Por ulja në prehrin e një partie ekstreme të majtë kundërshtare e LDK-së, nuk është ndryshim, është kapitullim politik, njerëzor dhe etik”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së i falënderoi të gjitha strukturat dhe anëtarësinë që kanë refuzuar të bëhen pjesë e një projekti të paramenduar për dëmtimin e LDK-së sepse tha ai, duke penguar dëmtimin e qëllimshëm të LDK-së, ju keni penguar përpjekjet për dëmtimin e Kosovës.

Mustafa u shpreh bindur se LDK do të vazhdoj të qeverisë me Kosovën edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit pasi ka kandidatin më të mirë për kryeministër dhe listën për deputetë me vlera të veçanta.

Mustafa: Qytetarëve mos t’u shkojë mendja që të votojnë dikë tjetër, VV i ka sondazhet, ne i marrim votat

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore në Podujevë, në një nga komunat ku për disa vite radhazi e kishte udhëhequr pikërisht kjo parti.

Me këtë rast, lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se e ka të vështirë të zgjedh se çfarë të thotë, por që sipas tij LDK duhet të fitojë dhe LDK do të fitojë.

“Ne ia lëmë Vetëvendosjes sondazhet dhe ne do t’i marrim votat. Sepse ne kemi besimin e qytetarëve. Ne e kemi qeverisur Kosovën dhe e kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, kemi pas besimin e qytetarëve dhe ne i besojmë ata për këtë besim. I falënderojmë edhe për besimin që ia keni dhënë z.Agim Veliut këtu për kryetar të komunës e nesër edhe kandidatin tjetër të LDK-së për kryetar komune. Se asnjëri prej nesh s’mund ta sheh Llapin pa e parë një njeri të LDK-së në krye të Podujevës e një njeri të LDK-së në krye të Kosovës.Ne e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër, asnjë prej atyre që janë aty s’i bën dëme. Njeri i mençur, i urtë e që di të komunikojë me qytetarët e Kosovës”, tha Mustafa.

Tutej ai shtoi se Avullah Hoti është njeri që di ti zgjidhë problemet e qytetarëve e që mund të komunikojë me zyrat më të rëndësishme të shteteve më të mëdha në vend e që është njeriu që e pruri njeriun nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë.

Isa Mustafa tha se as s’duhet t’i shkojë mendja qytetarëve që të votojnë dikë tjetër.

“Duhet të votoni kandidat për deputet të LDK-së, duhet të votoni kandidatin për kryeministër të LDK-së, ky është fati i Kosovës, e ardhmja e Kosovës. Unë sot këtu s’dua t’u flas se si do të zhvillojmë ekonominë apo si ta forcojmë shtetin ligjor, apo se si do ti bëjmë reformat në arsim, se si do të zhvillojmë kulturën, sportin e si do të përkrahim rininë sepse konsideroj se në këto zgjedhje kemi probleme me të mëdha se të shtyjmë një njeri në punë, e këto probleme janë se kah po shkon Kosova. Ne kemi dallime të mëdha, ne me VV-në dhe me ata që janë afër Vetëvendosjes kemi dallime të mëdha ideologjike, ne dallojmë shumë, prandaj ata që janë për demokraci janë me ne, ata që janë për një shtet unitar janë me VV-në. Do të mendojë qytetar i Kosovës se kë duhet ta përkrahë”, shtoi Mustafa.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat