Haradinaj-Stublla falënderon Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës për kurajën dhe punën e tyre

Zgjedhjet 2021

Haradinaj-Stublla falënderon Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës për kurajën dhe punën e tyre

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 17:52
Pamje nga takimi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla vizitoi sot në Krushë, Fahrije Hotin dhe ndërmarrjen bujqësore “Krusha” që kjo fundit e udhëheq.

Haradinaj-Stublla shprehu vlerësimin e lartë për kurajon Fahrijes që përkundër tragjedisë së luftës, kurrë nuk u dorëzua.

“Historia e saj, është historia e një gruaje qëndrestare që mbi dhimbjen rindërtoi të ardhmen e saj dhe të qindra grave tjera të këtij fshati, burrat dhe ëndrrat e të cilave u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Milosheviqit. Kurajo e saj për t’ju mbijetuar plagëve të luftës është shembull i forcës së grave, e popullit të Kosovës, për të ndërtuar jetë edhe pas tragjedisë.”, u shpreh ajo.

Më tej Krye-diplomatja e Kosovës vizitoi kooperativën bujqësore “Krusha” ku edhe vlerësoi punën e Fahrije Hotit dhe grave të Krushës që i kthyen plagët e luftës në forcë, për të ardhmen e familjeve të tyre, fëmijëve të tyre.

Ministrja Haradinaj-Stublla gjithashtu ka folur edhe për kauzën për drejtësi për personat e zhdukur që shkon përkrah dhimbjes për të rënët në luftë.

“Kjo e vërtetë e dhimbshme, ecën përkrah dhimbjes së personave të zhdukur gjatë luftës, dy kauza të cilat ende mbeten pa drejtësi finale, por për të cilën po luftojmë çdo ditë ta vëmë në vend.”

Historia e znj. Fahrije Hoti është përjetësuar në filmin “Zgjoi”/ “Hive” i regjisores Blerta Basholli, i cili arriti suksesshëm të promovojë Kosovën në botë, duke fituar edhe tri çmime kryesore në Sundance Film Festival.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat