Hoti: Në këtë fushatë deri tani kemi dëgjuar vetëm ndarje të posteve

Zgjedhjet 2021

Hoti: Në këtë fushatë deri tani kemi dëgjuar vetëm ndarje të posteve

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 18:14
Avdullah Hoti

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria të cilën ai e drejton ka arritur rezultatet më të mira që mundet t’i realizojë ndokush në situatën e shkaktuar nga pandemia.

Hoti në një tubim me elektoratin e LDK-së në Shtime këtë të shtune ka theksuar se ata i kanë mbështetur familjet dhe bizneset që kishin nevojë.

“Ne kemi pasë ministra të cilët kanë punuar për qytetarët. Ne kemi ndarë 700 milionë euro për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetarët. Nuk ka familje në Kosovë e cila nuk ka marrë mbështetje nga shteti, pra ato që kanë pasë nevojë. Ne kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi, kemi mbështetur gratë që janë në biznes”.

“Ne i mbështesim bizneset, ne nuk i quajmë biznesmenët oligark, ne ua lehtësojmë punën, nuk u dërgojmë inspektoratin. Ne jemi me program të qartë në ekonomi, duke punuar zhvillohemi në shumë sfera”.

Hoti ka deklaruar se vetëm në fushatën e LDK-së është shpalosur një program për qytetarët, duke thënë tërthorazi se në fushatën e AAK-së është dëgjuar vetëm Ramush Haradinaj duke synuar postin e presidentit dhe Vjosa Osmani në LVV duke thënë se sa ishte pjesë e LDK-së ishte e shtyrë të bëjë gjëra që ajo s’ka dashtë.

“Ne e kemi të qartë në çdo pikë programin tonë. Në këtë fushatë nuk kemi dëgjuar asgjë, vetëm njëri e kemi dëgjuar duke dashtë gjithsesi të bëhet president. Ndërsa, tjetrën e kemi dëgjuar duke thënë se pasi e ka lëshuar familjen tonë (LDK) thotë se i kemi thënë të veprojë kështu dhe ashtu. Deri tani kemi dëgjuar vetëm duke u ndarë poste për vete, por nuk kemi dëgjuar dikë që mendon për qytetarët, ata jemi ne që mendojmë për ju”.

Hoti para qytetarëve të Shtimes ka shpalosur edhe planin e tij për arsimin, por ka pohuar se do të jenë të gatshëm t’iu dalin përballë sfidave të vendit.

“Ne jemi të gatshëm t’iu dalim përpara sfidave të kohës me integritet dhe profesionalizëm. Në këto zgjedhje jemi më të mirët, Kosovën do ta dërgojmë vetëm para, ata tjerët janë të majtë dhe do ta dërgojnë vendin në izolim”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat