Haradinaj: Kosova s’do të ketë më nevojë për reciprocitet ndaj Serbisë

Zgjedhjet 2021

Haradinaj: Kosova s’do të ketë më nevojë për reciprocitet ndaj Serbisë

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 17:26
Ramush Haradinaj

Kandidati për president nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk do të ketë nevojë më për taksa e reciprocitet ndaj Serbisë, pasi që do të jetë referendumi për bashkim me Shqipërinë si kundërpërgjigje nëse Beogradi vazhdon me bllokada ndaj Kosovës.

Haradinaj para qytetarëve të Suharekës ka përkujtuar se ka ende punë për të bërë, të cilat do të përfundojnë nën qeverisjen e AAK-së.

Haradinaj: AAK ka program për rritjen e ekonomisë së Kosovës

“Unë e di se qytetari i Suharekës e ka më lehtë të vendosë se për kë do të votojë. Por, tash po flasim për gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm për të Suharekës. Nëse e dëshironi një Kosovë të qeverisur, ashtu siç qeveris Bali Muharremaj sot, atëherë e dini se kush mund të bëjë atë, Aleanca mundet. AAK ka programin e vet me të cilin do të ndalojë rënien ekonomike, përmes pakove financiare për bizneset, për të punësuarit, për ata që kanë humbur vendet e tyre të punës dhe për ata që kërkojnë vende të reja të punës. Në këtë program i kemi paraparë zgjidhjet për ekonominë tonë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj tha se këtë proces duhet të udhëheqë dikush që nuk është dorëzuar asnjëherë para Serbisë.

Haradinaj: Ne kemi përgjigje për Serbinë: Referendum për bashkim me Shqipërinë

“Ne kemi përvojat e ballafaqimit me Serbinë në të gjitha etapat, i kemi kryer një pjesë të punëve pa e pyetur Serbinë, sikurse ishte rasti i Ushtrisë, Trepçës, pavarësimit energjetik, unë besoj shumë që do të dimë të shkojmë deri në NATO, në OKB. Nëse Serbia vazhdon të na bllokojë edhe më tutje e kemi përgjigjen për Serbinë: do të shkojmë në referendum, për bashkim në union me Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj.

Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se aleatët e Kosovës e kanë më të lehtë tani që t’i kërkojnë Serbisë njohjen e Kosovës.

Haradinaj: Kësaj here nuk do të vendosim më taksa e reciprocitet

“Kësaj here nuk do të vendosim më taksa e reciprocitet. Nëse na bllokojnë dhe na vonojnë, ne e kemi zgjidhjen për bashkim në union me Shqipërinë. Kush e ka plan t’i kryejë punët e Ballkanit, Kosovë-Serbi, ne do t’i ndihmojmë”, tha Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj deklaroi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës respekton ligjet, andaj edhe listës në Suharekë i prin kandidatja për deputete, Albena Reshitaj.

Muharremaj: Ramush Haradinaj na i ka shpëtuar 30 milionë euro

“Ramush Haradinaj na i ka shpëtuar 30 milionë euro, sot Damperi do të jetë pjesë e Komunës së Suharekës që është shumë e madhe. Të mos ishte Ramushi, do të privatizohej siç janë privatizuar në Suharekë. Thoshin Aleanca është parti e kazinove, kush ishin ata të parët që ndalen kazinotë, kush ishin ata që morën vendimin, e mori kryetari i komunës së Suharekës me gjitha partitë politike pa dallim dhe i mblodhëm për dy ditë 11 mijë e 800 nënshkrime. Dhe a e dini çfarë ndodhi pastaj? U takuam në Prishtinë tek ambasadori gjerman, dhe ish-kryeministri në atë kohë tha e keni marrë vendimin, mos e lësho. Ky vendim duhet të shkojë në parlament, dhe sot nuk kemi kazino në Suharekë”, ka deklaruar Muharremaj.

Ai ka folur edhe veprimet në nivel lokal, ku theksoi se 100 shtëpi janë ndërtuar për skamnorët. Veç tjerash premtoi se shumë shpejt do të hapet edhe fabrika e përpunimit të mishit me vlerë 2.5 milionë euro.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat