Hoti fajëson LDK-në për ekzistencën e VV-së: S’i dolëm në ballë të keqes me kohë

Zgjedhjet 2021

Hoti fajëson LDK-në për ekzistencën e VV-së: S’i dolëm në ballë të keqes me kohë

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 18:02
Avdullah Hoti

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, në tubimin zgjedhor në Prishtinë është ankuar se në këto zgjedhje nuk pati konfrontim të programeve qeverisëse mes partive.

Ai tha se e vetmja ishte LDK-ja që e prezantoi atë para qytetarëve në secilin vend të Kosovës.

“E kam pritur me padurim që të dal përballë kundërkandidatëve të tjerë dhe të ballafaqojmë programet. S’kanë pasë guxim as me dalë, por as s’kanë pasë çka të prezantojnë. Njëri është endur rrugëve me megafon në dorë, tjetri i ka lexuar si ia kanë shkruar dhe kur e kanë pyetur se si do ta bësh këtë ka thënë se nuk e di se ia bën dikush tjetër. Pra, krejt kjo fushatë është bërë pa u ballafaquar programet. E vetmja është LDK-ja që ka prezantuar program, dhe ky është një argument i fuqishëm që kemi me marrë mbështetje të dielën”.

Hoti ka lëvduar edhe Marrëveshjen e Washingtonit duke e quajtur atë si më të rëndësishmen që nga pavarësia e Kosovës.

Ai këtë herë ka qenë më i ashpër ndaj Vetëvendosjes duke thënë se është edhe “fajtor për ekzistencën e saj”.

“Në lëkurën time jam përballë me këta njerëz që 15 vjet. Që nga viti 2006 kur kam filluar të punoj me institucionet e Kosovës. Por, s’kanë qenë të shpërfaqur. Kanë krijuar kauza të rrejshme. E kanë përdorur kauzën e planit të Ahtisaarit duke i nxjerrë njerëzit në rrugë. Dy qytetarë janë të vrarë për një kauzë të rrejshme. Ai plan ka sjellë pavarësinë e Kosovës”.

“Kanë vazhduar mandej me kauzën e demarkacionit. Gaz dhe dhunë në Kuvend edhe jashtë tij. Polici e përgjakur, e thyer ndërtesa e Qeverisë e gjithçka tjetër. Së fundi e kanë nxjerrë kokën komplet duke e treguar orientimin e tyre të qartë komunist me këto shamitë e kuqe të lidhura në Prishtinë dhe qytete të tjera”.

Hoti me bindje tha se e diela do ta nxjerrë LDK-në fituese, ndërsa Vetëvendosjen do ta çojë në opozitë.

“Ne do të fitojmë sepse populli e ka braktisur ideologjinë e majtë dhe të kuqe para 30 vjetëve. LDK i ka prirë popullit prej momenteve më të vështira që i ka pasë. Këta na kanë penguar gjatë gjithë koës, por gjithmonë këta janë pakicë. Dhe ju garantoj se edhe të dielën kanë më mbetur pakicë. Do t’i trajtojmë me respekt në opozitë”.

Hoti duke i quajtur “të kuqtë” kandidatët e Vetëvendosjes ka kërkuar që votuesit e LDK-së t’i respektojnë votuesit e Vetëvendosjes për të cilët tha se janë të manipuluar.

“Ne si LDK nuk i kemi dalë të keqes përballë me kohë. Unë e di që është dashtë me i ndalë në vitin 2008 dhe 2009 kur hynin në shkolla të mesme dhe iu mbanin ligjërata fëmijëve. Sot, 20 vjeçarët, djem e vajza, studentë apo të diplomuar, kanë shkaktuar telashe edhe brenda familjeve. Djali dhe vajza 20 vjeç me e nda votën prej nënës, babës, gjyshes e gjyshit”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat