Haradinaj: Do të punojë pa përfillur Serbinë

Zgjedhjet 2021

Haradinaj: Do të punojë pa përfillur Serbinë

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 17:05
Tubimi i AAK-së

Kandidati për president, Ramush Haradinaj, tha se vota për AAK-në do të thotë anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke shtuar se partia e tij do të punojë pa përfillur kërkesat e Serbisë.

“Jam shumë krenar me këtë listë që kam bashkudhëtuar. Për dy ditë merret vendimi me votë, qytetarët do të vendosin. Këto zgjedhje janë referendum për dy tema me rëndësishme. E para është statusi ynë ndërkombëtar. Të finalizohet anëtarësimi në BE e të jemi anëtar i NATO-së. Këtë të diel vendosim se a kemi me prit edhe 20 vjet apo jo”, tha ai.

“Nëse votohet 135 Aleanca votohem unë për president vendi që do t’i kryej punët e Kosovës duke mos e përfillur Serbinë. Kosova do të ec para sepse nëse në vitin 2025 nuk jemi anëtar NATO e BE unë do të punojë që bashkë të vendosim për union me Shqipërinë. Nëse Vuçiq frikësohet nga kjo le ta njohë Kosovën që të jetojmë në paqe”, u shpreh ai.

Tutje, Haradinaj tha se do t’i mbrojë territorin e vendit, duke e forcuar Kosovën.

“Të dielën vendosim për demokracinë e brendshme të vendit. Ne sot po dëgjojmë politikë e politikanë që po kërkojnë kontroll absolut andaj ne nuk do të lejojmë të humb demokracia jonë”, tha ai.

“Unë e kam marr vendimin tim me i dal përballë Serbisë dhe në këtë drejtim kam përvojë. Do të punojë me secilin në Kosovë e jashtë që me mbrojt vendin nga secili. Bashkë do ta bëjmë Kosovën e fortë”, shtoi ai.

Kandidati për deputet, Shemsedin Dreshaj, gjatë tubimit përmbyllës tha se këto janë zgjedhjet më te rëndësishme që prej themelimit të shtetit të Kosovës.

“Po përballemi me zgjedhjet më të rëndësishme prej themelimit të shtetit të Kosovës. Janë vendimtare. Unë nuk jam politikan jam profesionit dhe këto zgjedhje janë vendimtare për mbylljen e shtetësisë së Kosovës. Në këtë periudhë na nevojitet një përkushtim i veçantë për menaxhim. Kosovës i duhet qeveri e njerëzve të guximshëm”, u shpreh ai.

“Vendosa të kyçem që 37 vite të përvojës sime si mjek e 29 si pedagog t’ia ofrojë Parlamentit të Kosovës dijen time. Mendoj se kjo është ajo që i duhet Kosovës tash. I duhet një AAK e fortë ne Qeveri e Parlament me një lider të dëshmuar dhe i vetmi që mund ta bëjë këtë është Ramush Haradinaj”, tha ai.

Tutje, Dreshaj tha se Kosovës i duhet një person me experiencë si Haradinaj.

“Ramushi është ai që do të sigurojë vaksina të mjaftueshme që të mbrohemi nga Coronavirusi. Kosovës nuk i duhen eksperimente por njerëz me eksperiencë të dëshmuar. Ditën e diel Kosova ka vetëm një zgjedhje dhe ajo është lista më e mirë AAK-ja. Votoni njerëzit që doni. Dhe mos harroni votoni numrin 1 si më të besuarin e dëshmuarin që ka lënë 3 vëllezër gur themel për shtetësinë e Kosovës”, përfundoi ai.

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dardan Islami, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ka theksuar se mesazhi më i fuqishëm që sot mund t’ia dërgojmë Serbisë se Vuçiqit, është vota për Ramushin President.

“Sot kjo është salla më e fuqishme në Kosove sepse votojmë presidentin, votojmë për institucione demokratike stabile, votojmë AAK-në si një ekuilibër të suksesit qeverise, votojmë kandidatin tonë Ramush Haradinaj!”, potencoi Islami.

Islami tha se të flasësh për Ramush Haradinajt nuk është e vështirë, për faktin se ai është faqebardhë.

“Të flasësh për Ramushin nuk është aspak e vështirë, sepse ai e ka faqen e bardhë, por ta ndjekësh këtë trim dhe hapat e tij të guximshëm nuk është punë e lehtë, të jetosh në të njëjtën kohë me Ramushin është fat historik, t’i shërbesh Komandantit suprem është privilegj! Mesazhi më i fuqishëm që ne sot mund t’ia dërgojmë Serbisë së Vuçiqit, është vota jonë për Ramushin President!”, theksoi ai.

Ai më tej tha se jemi mashtruar dhe zhgënjyer me qeveritë dhe kryeministrat jetshkurtër që edhe pse i kishin fituar votat dhe mandatin, silleshin si opozitë, iknin nga përgjegjësia duke i ulur maredhëniet me SHBA-në ne nivelin me të ulët!

“ Vjosa Osmani nuk e ka përvojën e as fuqinë për t’u ballafaquar me temat, sjelljet e saj prej axhamie politike me tregimin për “çkapjen e shtetit” për ta kapur pastaj “krejt vet”, është rrezik për sistemin tonë demokratik. Vetëm pas 5 vjet kur ta kemi përmbyllur shtet ndërtimin e Kosovës, hyrjen në NATO, një ulëse në OKB, AAK edhe mund ta votojë një president tjetër, por tash është koha e ballafaqimit, e këtë mund ta bëjë vetëm Ramushi”, deklaroi Islami.

“Amerika nuk na la në baltë asnjëherë, as me 1999, as me 2008, as para 5 muaj në Washington, ku pas Ushtrisë na e solli një njohje të fuqishme nga Izraeli, të cilën Vjosa me Albinin duket se nuk e pëlqejnë! Si nip i Prizrenit, dhëndër i Gjakovës, djalë i Prishtinës, veteran i brigadës 138 Agim Ramadani ju ftoj që ta votoni njeriun qe asnjëherë nuk lëvizi nga bindjet e tij pro perëndimore, luftoj dhe nuk u dorëzua asnjëherë para presioneve, e mbrojti me nder integritetin dhe sovranitetin e vendit, mbrojti vlerat e Ushtrisë Çlirimtare në luftë dhe në paqe, figura që unifikoi dhe asnjëherë nuk përqaua, ftoj në skenë Presidentin e ardhshëm të Kosovës Ramush Haradinaj!”, përfundoi Islami.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat