Kroacia nis lëshimin e pasaportave të COVID-it, pas rekomandimit të KE-së

Evropë

Kroacia nis lëshimin e pasaportave të COVID-it, pas rekomandimit të KE-së

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Kroacia nga sot është bërë një prej vendeve të Bashkimit Evropian që ka nisur lëshimin e të ashtuquajturave pasaporta të COVID-19 për udhëtimet e lira nëpër vendet e bllokut.

Një vendim të tillë Qeveria në Zagreb e mori vetëm një ditë pasi që Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare që të nisin koordinimin dhe që nga mesi i muajit qershor të heqin kufizimet e udhëtimit për qytetarët e tyre. Udhëzimet e propozuara nga organi ekzekutiv i BE-së synojnë të lehtësojnë udhëtimet mes vendeve anëtare, para se të hyjë në fuqi më 1 korrik rregullorja e re e bllokut për certifikatat COVID-19.

Nëse qeveritë e BE-së miratojnë rekomandimet, rregullat e reja, të cilat mundësojnë udhëtimet e lira për personat plotësisht të vaksinuar ose të shëruar, mund të zbatohen që nga mesi i muajit qershor. Sipas udhëzimeve, personat plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë nga një vend i BE-së në tjetrin pa ndonjë kufizim, të paktën 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane për Barna.

Të shëruarit nga COVID-19 mund gjithashtu të udhëtojnë nëpër BE pa u testuar për virusin ose pa detyrimin për karantinim. Për ata të pavaksinuarit dhe personat që nuk janë infektuar më parë me virus, Komisioni Evropian ka këshilluar që t’u kërkohen testet PCR jo më të vjetra se 72 orë apo testet rapide me antigjen të kryera më së shumti 48 orë më parë. Rregullimet e reja janë pjesë e fushatës së BE-së për hapjen e Kontinentit para nisjes së sezonit veror të pushimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat