Klod Hoxha: Sikleti që kaluam gjatë skenave intime në filmin “Internimi”, 30 vetë mbi kokë na shihnin gjatë tradhtive me fund tragjik

Mediale Vip

Klod Hoxha: Sikleti që kaluam gjatë skenave intime në filmin “Internimi”, 30 vetë mbi kokë na shihnin gjatë tradhtive me fund tragjik

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 18:19
Klod Hoxha

Protagonisti i filmit që u kthye pas në kohën e diktaturës me rolin e operativit rrëfen impresionet e premierës në Tiranë. Për Klod Hoxhën, kënaqësia e vërtetë e aktorit është se i provon të gjitha jetët, nga lypësi e deri te mbreti, nga monarkia, diktatura e deri në demokraci. Roli i fundit në kinema e ka bërë të provojë pushtetin e një operativi në kohën e komunizmit në filmin “Internimi”, premiera e të cilit u shfaq pak ditë më parë në Tiranë. Për trekëndëshin e dashurisë, tradhtinë, fundin tragjik dhe paskuintat e skenave intime, Klodi në rolin e protagonistit i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pak ditë më parë u shfaq në Tiranë premiera e filmit “Internimi”, me regji të Kast Hasa. Nga pozitat e publikut, si e gjykove veten në rolin e Tomorit, një personazh i Shqipërisë komuniste të vitit 1983?

Me thënë të drejtën, mezi po e prisja ta shikoja se si do ishte realizuar roli i Tomorit, se e kam pas shumë për zemër si rol qëkur më është dhënë nga regjisori, e kam studiuar aq shumë saqë edhe pritshmëritë i kam pas të mëdha. Aktori gjithmonë kur e sheh një punë të vetën, gjëja e parë është të gjykojë veten se asnjëherë nuk kënaqet. Por unë mendoj se ka qenë një punë e mirë dhe një rol shumë i mirë që mund të më ndihmojë më shumë në të ardhmen. Pastaj, edhe komentet kanë qenë pozitive, qoftë nga profesionistët, qoftë edhe nga publiku.

Ti, Enxhi dhe Kristi, protagonistët kryesorë të filmit, pozuat me grushtin lart pas premierës. Ishte e lodhshme për ju të hynit nën lëkurën e karaktereve të një kohe, që në fund të fundit, nuk e keni jetuar?

Normalisht që ka qenë shumë e vështirë, sepse kur janë zhvilluar ngjarjet në film, unë atëherë kam lindur. Por fatmirësisht, kemi shumë materiale që ne na ndihmojnë për të njohur kohën, plus një ndihmesë të madhe e kam pasur edhe nga babai. Duke qenë se ai ka qenë ushtarak dhe e njeh mirë atë kohë, më ka treguar shumë edhe më ka ndihmuar në realizimin e këtij roli. Pastaj, aq shumë kam hyrë në rol, saqë sa herë dilja aty në fshatin ku xhiroja, edhe banorët më thërrisnin Operativ. Edhe Enxhi me Kristin kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe shpresojmë të ecim mirë duke i marrë frytet e punës sonë.

Edhe pse filmi sillte dramën e familjes Kulla në internim, e gjithe intriga nxitej nga një marrëdhënie treshe për një femër, ti dhe Arturi me Fridën në mes. Cila ishte ndjenja e një burri me pushtet si ti, që nuk mund të çonte dot në shtrat të fejuarën e tij?

Duke iu referuar edhe skenarit, edhe kohës, atëherë një çift, në qoftë se nuk ishte i martuar, nuk mund të bënte dot asgjë, as ta puthte. Pastaj, Operativi mendonte se kishte gjithë kohën e mjaftueshme dhe e merrte me qetësi, duke qenë se kishte edhe Mozën, personazhin tjetër në film.

Në fund përfundoi me tragjedi, pasi duke i kapur në intimitet në një bunker, përfunduat të dy të vrarë. Si e përjetove tradhtinë, a të çon ajo vërtet në vrasje?

E vërtetë, fundi është shumë tragjik. Në rol e përjetova rëndë, deri sa arriti deri në vrasje sepse karakterit të Tomorit nuk i shkonte të ishte i tradhtuar. Ai është një personazh shumë kompleks, që as nuk arrinte ta mendonte një situatë të tillë e jo më tepër t’i bëhej! Përsa i përket jetës, mendoj se askush nuk ka të drejtë të ta marrë atë. Është një akt shumë i rëndë, e kemi dhuratë nga Zoti, kështu që nuk mund të na e marrë njeriu!.

Çfarë momentesh pikante kujton nga paskuintat e xhirimeve të skenave erotike në bunker, apo në stallën e lopëve ku e fejuara të gjeti me një tjetër?

Kanë qenë skena të vështira edhe te stallat, edhe te bunkeri dhe normalisht që ka pasur shumë gjëra që kanë ndodhur te momenti që ngjita shkallët, ku m’u gris xhepi i xhaketës për shembull, edhe me zor e sajuam dhe xhiruam gjysmën. Ose Kristit, për shembull, duke vrapuar i bie një lopë me bisht në fytyrë, edhe na u desh të ndalonim xhirimet. Skenat intime, gjithashtu, kanë qenë të sikletshme, duke qene se kishe 30 vetë mbi kokë e të tjera situata, por ia kemi kaluar shumë mirë dhe ajo atmosferë u ndie edhe në film, të paktën për mua.

E ke konsideruar këtë rolin më të rëndësishëm në kinema për karrierën tënde. Mendon se do të shërbejë si biletë për në SHBA, duke qenë se filmi ka marrë pjesë në festivale atje?

Mendoj se ky është një rol i rëndësishëm në karrierën time dhe shpresoj të jetë një ogur i mirë në të ardhmen. Edhe në Amerikë është vlerësuar shumë si film, ku në dy festivale është shpërblyer me çmime. Përkatësisht, në “Arizona Film Festival” me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” dhe në Los Angelos në “Riverside Film Festival”, ku mori edhe çmimin për regjinë më të mirë. Tani shpresojmë për çmime të tjera.

Të luash një kohë tjetër nga ajo që jeton, çfarë vështirësish i sjell një aktori apo këtu qëndron dhe kënaqësia e të qenit aktor?

Kjo është shumë e vështirë, por njëkohësisht edhe e bukura e profesionit të të qenit aktor, sepse një herë jeton si mbret, një herë si politikan, një herë si lypës. Kështu, çdo aktor mezi atë pret, të hulumtojë sa më shumë për rolin, që ta realizojë sa më mirë të jetë e mundur.

Nëse do të duhej të jetoje në rol, jetën e kujt do të doje të provoje?

Në qoftë se do duhet të jetoj një rol, nuk di kë mund të zgjedh, por falënderoj Zotin që më ka dhënë këtë rol që kam tani dhe do mundohem më së miri ta luaj. Është pak i vështirë roli i jetës se nuk e ke skenarin, ke vetëm karakterin, ndaj na duhet të improvizojmë e të përshtatemi. Por kjo e bën një rol të veçantë e shumë të bukur, kështu u them njerëzve respektoni veten se jeta është kalimtare. Ne e bëjmë atë të larmishme dhe të bukur.

Aktorët, kudo janë artistët e preferuar e të pasur. Po ju në Shqipëri, si e ndieni veten?

Me thënë të drejtën, aktorët në Shqipëri janë të lënë pas dore. Kur isha i vogël, idhujt e mi ishin: Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa, Timo Flloko, kurse po të pyesësh fëmijët sot se kë kanë idhull, do thonë kam X politikan.

Televizionet në Shqipëri japin më shumë politikë e lajme, sa s’u lënë hapësirë njerëzve për t’u argëtuar, saqë edhe atë pak hapësirë që mund të kenë për argëtim, transmetojnë telenovela turke. Mendoj se shteti duhet ta mbështesë më shumë artistin e vendit të vet, ta vlerësojë atë sa ai është këtu në Shqipëri dhe jo të krenohet me të kur ai bëhet dikush jashtë atdheut të tij.

Je shprehur se po përgatitesh për t’u vendosur në SHBA, cilat do të jene angazhimet e tua atje?

Unë mendoj se ëndrra e çdo aktori është Hollywoodi dhe pse të mos ëndërrojmë, duke qenë se ëndrrat janë falas. Për momentin jam duke punuar për një film amerikan, jemi në përfundim të xhirimeve. Kam një rol interesant dhe filmi është në anglisht. Kaq mund të them për momentin, kurse të tjerat, kur të vijë koha.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat