Kuçi: Kushtëzimi me njohje është një nga kushtet e PSD-së për përfshirje në dialog

Politika

Kuçi: Kushtëzimi me njohje është një nga kushtet e PSD-së për përfshirje në dialog

Nga: G. B. Më: 21 janar 2019 Në ora: 14:39
Natyra Kuçi

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se PSD ka pasur kusht kushtëzimin e marrëveshjes eventuale përmbyllëse në Bruksel me njohjen reciproke me Serbinë dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB, ku kjo nuk mund të bëhet pa Rusinë.

“Një nga kushtet kryesore e përfshirjes së Partisë Socialdemokrate si bashkë kryesuese e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë është kushtëzimi i marrëveshjes eventuale përmbyllëse në Bruksel me njohjen reciproke me Serbinë dhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pa këto, nuk ka marrëveshje me Serbinë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë anëtarësim të Kosovës në OKB nëse Rusia vazhdon ta vendosë veton e saj”, është shprehur ajo.

Sipas saj, duke mbyllur çështjet me Serbinë, besojnë se edhe Rusia do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Duke qenë se besojmë se duhet t’i përmbyllim çështjet e hapura me Serbinë me njohjen e shtetësisë të Republikës së Kosovës nga Serbia (e rrjedhimisht edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur ende), si dhe veçanërisht me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, ne shpresojmë që Rusia do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës me arritjen e marrëveshjes përmbyllëse me Serbinë. Njohja e Republikës së Kosovës është garanci për paqen afatgjate dhe stabilitetin rajonal. E kundërta është në shërbim të politikave destabilizuese dhe luftënxitëse në Ballkanin Perëndimor dhe gjetiu”, ka theksuar Kuçi.

Se sa është e rëndësishme për Kosovën njohja nga ana e Rusisë, derisa dihet se është vend mik i Serbisë, zëdhënësja e PSD-së thotë se kjo ndikon për organizimin e Kosovës në OKB.

“Njohja e Rusisë është e rëndësishme për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në disa institucione relevante ndërkombëtare, sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Rusia gëzon të drejtën e vetos”, ka deklaruar Natyra Kuçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat