Abazi: Deklaratat për njohje nga Rusia e Serbia, mjegull për ndikimin e Gjykatës Speciale

Politika

Abazi: Deklaratat për njohje nga Rusia e Serbia, mjegull për ndikimin e Gjykatës Speciale

Nga: G.B Më: 21 janar 2019 Në ora: 19:45
Haki Abazi

Ditë më parë presidenti rus, Vladimir Putin ka vizituar Serbinë, ku pas kësaj vizite, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se Rusia është në rrugë të njohjes se Republikës së Kosovës.

Se sa mund të ndodhë një gjë e tillë dhe rëndësinë që do të kishte kjo për Kosovën, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e Veselit është boshe dhe pa përgjegjësi, ashtu siç ka deklaruar dhe për liberalizimin e vizave.

“Deklaratë boshe e papërgjegjësi janë bërë sinonim i kësaj klase politike. Është për të veçuar deklaratat e Veselit i cili po tregon nivelin më të lartë të papërgjegjësisë ndaj fjalës publike. Përveç që në rrafshin e brendshëm ka lansuar disa herë gjuhë urrejtje dhe vazhdimisht përdor fjalor që nuk përdoret as në rrugë, ai gjithashtu kishte deklaruar vitin e kaluar vazhdimisht se do të bëhet liberalizimi i vizave dhe asnjëherë nuk është kthyer për të marrë përgjegjësinë për këto deklarata boshe”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, Putin në Serbi ka thënë se mbështet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, një mundësi e krijuar nga Thaçi.

“Ndërsa kjo e fundit për njohjen nga Rusia sikur mendon që njerëzit janë analfabet sikur ai. Presidenti i Rusisë Putin gjatë vizitës së tij në Beograd tha se mbështet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Këtë mundësi ja kanë dhuruar pikërisht dialogu dhe angazhimi i Thaçit. Juridikisht dialogu e ka kthyer Kosovën në pikën e 1244”, ka vlerësuar ai.

Abazi thotë se paralajmërimet se Serbia dhe Rusia mund ta njohin Kosovën, janë mjegull mbi lajmet dhe ndikim e Gjykatës Speciale dhe dialogut në statusin e Kosovës.

“Paralajmërimet se Serbia dhe Rusia mund ta njohin Kosovën janë vetëm mjegull dhe po tentojnë të fshehin lajmet dhe ndikimin që Gjykata Speciale dhe dialogu së bashku kanë në statusin e Kosovës. Këto deklarata boshe po bëhen përderisa Serbia po vazhdon lobimin për tërhiqen e njohjeve dhe forcimin e pozitës së saj duke përdorur Rusinë dhe ndikimin e saj edhe në Ballkan por edhe në vendet tjera të krizës dhe konflikteve të hapura”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat