Kadriaj: Deklarimet e BE-së nuk duhet t’i shohim si armiqësore

Politika

Kadriaj: Deklarimet e BE-së nuk duhet t’i shohim si armiqësore

Nga: N.H Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 15:31
Federica Mogherini dhe Maja Kocijancic

Analisti politik, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogu do të përfundojë me pasoja që do e cungojnë funksionimin e Kosovës nga aspekti territorial.

“Meqë ecuria e Kosovës si shtet ka qenë me përkrahjen e perëndimit, për fat të keq do të mbyllet me pasoja që do e cungojnë funksionimin e Kosovës nga aspekti territorial që njëherit është dëmtim edhe ekonomik e sidomos kur bëhet fjalë për pasurit nëntokësore, në këtë rast edhe Trepça që parimisht do të ishte një promotor i zhvillimit ekonomik nëse do të punonte me kapacitet të plotë”, ka thënë Kadriaj.

Tutje, analisti politik është shprehur se Kosova duhet të përmbyllë dialogun me Serbinë duke shpresuar që epilogu të jetë sa më me pak pasoja.

“Mendoj që Kosova duhet të përmbyllë dialogun me Serbinë duke shpresuar që epilogu të jetë sa më me pak pasoja. Por, duhet të kemi të qartë që bisedimet janë kompromis, ndërsa pasurit nëntokësore duhet të jenë të padiskutueshme, sepse cungohet edhe funksionimi i Kosovës si shtet, sepse Kosova si përparësi krahasuese në tregtinë ndërkombëtare i ka pasurit nëntokësore”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke e komentuar deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijanciç, e cila deklaroi se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse, Kadriaj është shprehur se deklaratat e tilla nuk duhet të shihen si armiqësore.

Image
Mustafë Kadriaj

“Duhet t’i marrim shumë qetë deklarimet dhe kërkesat nga Bashkimi Evropian. Pra, nuk duhet t’i shohim si armiqësore apo duke tentuar që të na dëmtojë sepse për ne Bashkimi Evropian është partner strategjik së bashku me SHBA-të, pra ketë janë organizatorët kryesor të dialogut, kështu që ata tentojnë të provojnë ide me qëllim që të na ulin në bisedime duke joshur të dy palët, sepse ne duhet të kuptojmë Bashkimin Evropian. Mirëpo, Kosova duhet të sillet si partnere e sinqertë dhe të veproj me një diplomaci të lart duke manifestuar sjellje diplomatike sa më larg emocioneve, sepse në të kundërtën kjo shkon në favor të Serbisë”, ka shtuar Kadiraj

Në fund, ai ka theksuar se Kosova duhet të pranojë çdo ide, por, siç shprehet Kadriaj, duke e analizuar dhe duke treguar maturi që mbyllja e saj të ketë sa më pak pasoja në raport me territorin Kosovës.

“Pra, ne duhet të pranojmë çdo ide, por duke e analizuar dhe duke treguar maturi që mbyllja e dialogut të ketë sa më pak pasoja në raport me territorin Kosovës. Me ketë dua të theksoj që bisedimet janë kompromis dhe duhet të përgatitemi që do të këtë epilog që nuk do kënaqemi, por mbyllja do të jetë me njohje të Kosovës dhe me korrigjime në kufi, por së paku çdo korrigjim i kufirit të jetë me një masë krahasuese edhe për palën serbe”, ka përfunduar Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat