Ndarja e Kosovës në momentin e pezullimit të taksës - Bota Sot
Ndarja e Kosovës në momentin e pezullimit të taksës

Politika

Ndarja e Kosovës në momentin e pezullimit të taksës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 shkurt 2019 Në ora: 12:15
Foto ilustrim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga SHBA ka mbajtur një konferencë për media.

Thaçi ritheksoi edhe një herë se duhet të dëgjohet edhe këshilla e ndërkombëtarëve, e cila nënkupton një pezullim të taksës. Thaçi në SHBA mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ku është takuar me zyrtarë të ndryshëm amerikan.

“Unë kam potencuar se dialogu duhet të vazhdohet i pakushtëzuar, prandaj mendoj se kjo këshillë nga institucionet e vendit duhet të respektohet. Jo të hiqet taksa por përmes një pezullimi t’i jepet hapësirë një procesi të gjithanshëm.  Vendimi i takon  Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit. Në shikim të parë duket se Serbia po dëmtohet, por nuk ka ndonjë çmim që paguan prishjen e raporteve me SHBA-të”, ka thënë ai.

Këtë qëndrim të presidentit Thaçi, mban edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po kërkon pezullim të taksës për 120 ditë.

Deputetë dhe analistë politik e kanë komentuar për gazetën “Bota sot” këtë deklaratë të presidentit Thaçi.

Rugova: Zbehja e raporteve me SHBA është gabimi më i madh i këtyre krerëve institucional

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova ka thënë se, taksa u vendos pa koordinim e partnerëve të Kosovës dhe krerët e shtetit bënin gara për t’i marrë meritat e saj, e tani që kërkohet pezullimi i saj, po vihet në pikëpyetje partneriteti me SHBA-në.

“Kjo taksë u vendos pa konsultime me miqtë tanë, pa një analizë të mirëfilltë, bënin gara partnerët e koalicionit se e kujt ishte ideja e taksës, kurse tani kërkohet pezullimi, pas një ultimatumi nga qeveria e SHBA-ve, ultimatum ky që kërcënon me një paket masash që e vë në pikëpyetje partneritetin tonë strategjik me miqtë amerikane”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, krerët e shtetit nuk po kanë strategji dalëse nga ky qorrsokak politik dhe se duhet menduar mirë në çdo hap ku është në pyetje miqësia me SHBA-të.

“Prandaj krerët shtetëror nuk po kanë strategji dalëse nga ky qorrsokak politik, janë të çakorduar në deklarime dhe qëndrime, prandaj pezullimi do i nxirrte me fytyrë edhe institucionet edhe miqtë tanë. Zbehja e raporteve me SHBA është gabimi më i madh i këtyre krerëve institucional, çdo hap i ardhshëm i pamenduar në këtë drejtim është i pafalshëm”, është shprehur Rugova.

Islami: Po realizohet modeli i sponzorizuar nga Sorosi – Rama dhe Vuqiq-Thaçi

Image
Gazmend Islami

Ndërsa publicisti Gazmend Islami thotë për “Bota sot” se presidenti Thaçi ka për qëllim që t’i arrijë objektivat e tij sipas modelit të propozuar dhe sponzorizuar nga Sorosi – Rama dhe Vuqiq-Thaçi.

Islami mendon se kryeministrit Haradinaj i ka mbetur vetëm taksa si kartë e fundit për të mos mbetur në humnerën që po duan ta hedhin PDK-ja.

“Hashim Thaçi qëllimin e vetëm e ka që të arrihet objektivat e tij politik, pra që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas modelit të propozuar dhe sponzorizuar nga Sorosi – Rama dhe Vuqiq-Thaçi. Ramush Haradinajt i ka mbetur vetëm karta e fundit politike për të mos mbetur në humnerën që po duan ta hedhin PDK-ja, taksa mund të shpëtoj politikisht por edhe po e parandalon ndarjen e Kosovës që duket vetëm se Thaçi e ka nisur drejtimin e trenit në at rrugë”, potencoi Islami.

Tutje Islami mendon se pezullimi i taksës do t’i hap rrugë nënshkrimit të menjëhershëm të marrëveshjes Kosovës – Serbi, e cila sipas tij do të përfundojë me ndarje.

“Thaçi natyrisht që kërkon pezullimin sepse me fillimin e dialogut do të vije shpejt edhe tek nënshkrimi i marrëveshjes finale me Serbinë e që do të jetë fatale për Kosovën me ndarje. E vetmja mundësi e parandalimit të këtij skenari famëkeq është që Haradinaj ti bashkohet konceptit të opozitës LVV-LDK-AAK, pushteti shkon e vjen e Kosova duhet të mbetet si është”, ka thënë Islami.

Krasniqi: Taksa në asnjë mënyrë nuk duhet as të hiqet e as të pezullohet

Image
Faik Krasniqi

E analisti politik, Faik Krasniqi për “Bota sot” ka thënë se, taksa në asnjë mënyrë nuk duhet as të hiqet e as të pezullohet dhe e sheh shqetësim njëanshmërinë e BE-së dhe SHBA-së në raportet Kosovë-Serbi.

“Taksa në asnjë mënyrë nuk duhet as të hiqet e as të pezullohet. Jo pa u mbushur mend Serbia dhe mos ta luftojë Kosovën dhe shtetësinë e saj. Është edhe e pakuptimtë nga ana e BE-së dhe SHBA-së që na kërkojnë heqje ose pezullim të taksës, kurse ne anën tjetër Serbisë nuk i bëjnë asnjë presion që mos të bëjë një luftë të egër ndaj Kosovës. Nëse Serbia nuk dëshiron dialog me Kosovën pa u hequr taksën, atëherë është problemi dhe faji i fundit”, nënvizoi Krasniqi.

Sipas tij, arsyeja që presidenti Thaçi po kërkon pezullim, është se po i ngutet që të vazhdoj dialogun me Serbinë, në mënyrë që të zbatohet plani i tij për ndarjen e Kosovës.

“Përmbyllja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi më shumë i leverdis kësaj të fundit, sepse ata janë më pranë të behën pjesë e BE-së e jo ne. Hashim Thaçi po të ishte kryeministër as që do përmendej fjala taksë, sepse s'do ta vinte kurrë këtë takse. Falë idiotizmave të tij në arenën ndërkombëtare, Serbia ka krijuar një avantazh të madh ndaj Kosovës. Arsyeja pse presidenti Thaçi kërkon që taksa të pezullohet, është se po i ngutet që të vazhdoj dialogun me Serbinë, në mënyrë që të zbatohet plani i tij për ndarjen e Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat