Largimi i Mogherinit dhe ardhja e Helga Schmidt lajm i madh Kosovën

Politika

Largimi i Mogherinit dhe ardhja e Helga Schmidt lajm i madh Kosovën

Nga: A.M. Më: 5 prill 2019 Në ora: 16:00
Federica Mogherini

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, është shprehur për “Bota sot” se udhëheqësja e dialogut të Kosovës me Serbinë, Federica Mogherini është kritikuar për shkak të politikës së njëanshme.

“Kritikat që qytetarët dhe subjektet e ndryshme i kanë drejtuar përfaqësues së lartë për politikë të jashtme të BE-së nuk janë drejtuar asaj si individ, por për shkak të politikës së njëanshme të saj karshi pozicionit zyrtar që organizata që përfaqëson ka marrë në dialogun Kosovë – Serbi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur nga “Bota sot” nëse dialogu udhëhiqet nga diplomatja gjermane Helga Schmidt e cila po thuhet se është kandidate serioze për ta zëvendësuar Mogherinin, Daku është përgjigjur duke thënë se kushdo që do të vie pas Mogherinit do të duhej të kishte një qasje serioze, një dinamikë tjetër dhe një version serioz e përmbajtjesor të dialogut.

“Sa i përket pyetjes tuaj, konsideroj se kushdo që do të vie pas Mogherinit do të duhej të kishte një qasje serioze, një dinamikë tjetër dhe një version serioz e përmbajtjesor të dialogut. Kjo nënkupton se dialogu do të duhej të zhvillohej në mes të palëve me ndërmjetësim dhe jo me anime.

Bashkimi Evropian nuk do të jetë më si ka qenë, nuk do të ketë hapësira për politikanë si Mogherini që me punën e saj nuk ka përfaqësuar vlerat që Bashkimi Evropian proklamon”, ka shtuar Daku për “Bota sot”.

Image
Selim Daku

Sipas, Dakut, nëse Schmidt do të udhëheqtë dialogun do të ishte një përparësi pasi që e njeh Kosovën, e njeh historinë e Ballkanit.

“Hipotetikisht po të vinte në këtë pozicion Helga Schmidt për Kosovën do të ishte një përparësi pasi që mendoj se zonja Shcmidt e njeh Kosovën, e njeh historinë e Ballkanit. Ajo ka qenë këshilltare politike e dy ministrave të jashtëm të Gjermanisë Klaus Kinkel dhe Joschka Fisher të cilët gjatë kohës sa kanë shërbyer kanë patur rol aktiv në zgjidhjen e problematikës së Kosovës. Kjo nënkupton se zonja Shmidt për Kosovën ka njohuri mbi 25 vjeçare dhe është e familjarizuar me zhvillimet në këtë pjesë të Evropës”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Daku ka theksuar se duhet të kihet parasysh se  politika e jashtme e BE-së nuk varet vetëm nga qëndrimet personale  të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme.

“Duhet të kemi parasysh se politika e jashtme e BE-së nuk varet vetëm nga qëndrimet personale të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, por është shumë me rëndësi edhe qasja e shteteve anëtare në veçanti shteteve si Gjermania dhe Franca të cilat kanë një peshë më të lartë politike brenda organizatës”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat