Kadri, hapi dosjet e SHIK-ut

Politika

Kadri, hapi dosjet e SHIK-ut

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 17 prill 2019 Në ora: 09:32
Kadri Veseli, foto ilustrim nga "Bota sot"

Që nga paslufta emri më i lakuar ka qenë SHIK. Kjo organizatë që ka vepruar deri vonë në Kosovë, së paku zyrtarisht pasi jo zyrtarisht elemente të saj ende veprojnë. SHIK-u është sinonim i krimit, vrasjeve të pasluftës si dhe kërcënimit ndaj atyre që nuk janë me ta. Së fundi shohim akuza kundër njëri tjetrit të deputetëve në mes tyre se kush ka qene pjesë e kësaj organizate e kush jo. Sikur SHIK-u mos të kishte bërë krime, apo së paku sikur mos të kishte dyshime s`do të ishe e turpshme të kesh qenë pjesë e saj.

Në të vërtetë roli i SHIK-ut do të duhet të ishte asgjësimi i agjentëve të huaj që cenojnë sigurinë e vendit, pastaj të ndihmonte luftëtarët me informacione për lëvizjet e ndihmësve të Serbisë etj. Me pak fjalë, SHIK-u do të duhet të ishte marr me spiunët, njerëz që kanë penguar përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës ndaj Serbisë, e jo të merrej me përndjekjen, eliminimin dhe kërcënimet ndaj kundërshtarëve politikë. Këtë nuk e themi vetëm ne, e thotë edhe KFOR-i në raportin e 2004. Aty përshkruhet lidhja e saj me PDK-në, të cilën e ka ndihmuar të vjen në pushtet përmes vrasjeve të rivalëve politikë, duke qenë se edhe është financuar nga kjo parti. Tashmë askush nuk ka dyshim se SHIK-u ka shërbyer, dhe vazhdon ende të jetë strehë e njerëzve të PDK-së, të cilët e kanë kapur shtetin me të gjitha segmentet e saja. Efekti PDK-SHIK e ka sjellë vendin në pikën më të ulët të saj, me varfëri, krim dhe ikje të qytetarëve.

Më kujtohet kur në fillim të këtij mandati qeverisës, njeriu kryesor i SHIK-ut, që është edhe kryetar i kuvendit kërcënoj deputet e opozitës “kam me ju ngi SHIK, do t’i hapim edhe dosjet”, pikërisht kjo e fundit ka më së shumti nevojë të ndodhë. Le të hapën dosjet e SHIK-ut, të dimë kush ka qenë në SHIK, çfarë roli ka pasur dhe në të vërtetë çfarë ka bërë. Nuk duhet paragjykuar se të gjithë në SHIK kanë qenë kriminelë, njerëz me duart e përgjakura. Ka pasur njerëz që janë bërë pjesë e SHIK-ut me qëllim të mirë për t’i ndihmuar vendit, andaj duhet seleksionuar kush i ka duart me gjak e kush jo. Por më takon e drejta e gjithë botës të them se Kadri Veseli i ka duart me gjak, pasi duke qenë kreu i SHIK-u asgjë nuk është bërë pa lejen e tij, kjo edhe me gjasë është arsyeja që Kadriu nuk i hap dosjet. Hapja e dosjeve të SHIK do të rrënonte përfundimisht PDK-në, andaj edhe nuk i hap Kadriu dosjet, ndryshe do e bënte qysh moti.

Ka mundësi që edhe nga partitë tjera, jo vetëm nga PDK të ketë pasur njerëz në SHIK, e që fatkeqësisht kanë dhënë apo zbatuar urdhra për të vrarë kundërshtar politik, megjithatë kjo nuk është arsye që këto parti të heshtin. Kjo duhet të bëhet për të mirën e Kosovës, por edhe për ata që njollosën kot që ishin në SHIK e që faktikisht mund të mos kenë pasur lidhje me krimet që janë bërë. Nuk duhet futën të gjithë në kazanin e akuzave. Duhet ditur për secilin kush ka qenë, çfarë ka bërë e çfarë një. Tanimë është koha që të hapën dosjet, megjithatë kjo më duket e vështirë me PDK në pushtet, duke qene se një gjë e tillë do e varroste përfundimisht këtë parti, edhe ashtu e mbetur me vetëm frymën e fundit.

SHIK-u ende vazhdon të jetë aktiv, e kjo e pengon edhe më shumë hapjen e dosjeve. Për të ndodhur kjo së pari duhet që PDK të shkoj në opozitë, përndryshe rrezikojmë të jetojmë me frikën e vrasjeve, përveç krimit dhe korrupsionit që ka instaluar binomi PDK-SHIK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat