Kundërshtime të shumta pati kur u bë publike ideja për rishikim kufijsh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
E të tilla kundërshtime të kësaj ideje vazhdojnë edhe sot, edhe nga shtetet mike të Kosovës, duke thënë se nuk do të lejohet ndarja e Kosovës.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se kjo ide ka të bëjë me një plan për ndarje të brendshme të Kosovës, ka në plan edhe ndarjen e faktorit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“E ashtuquajtura ide për shkëmbim kufijsh, e them kështu, e kamufluar kështu, ka të bëjë me një plan për ndarjen e brendshme të Kosovës, ka plan dhe për ndarjen e faktorit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, sidoqoftë, kur jemi e fokusuar tek e para, në vend që bisedimet të sillnin si rezultat integrimin e gjithë qytetarëve në shtetin e përbashkët që quhet Republikë e Kosovës, atëherë po del që bisedimet me Serbinë po e sjellin si rezultat ndarjen e Kosovës, diçka e planifikuar, e kërkuar në mënyrë shumë strategjike nga vetë Serbia. Sepse tek e fundit, Serbia nuk e ka fort problemin e qytetarëve serbë të Kosovës, as të shqiptarëve por është e fokusuar tek territori, tek marrja aq sa mundet e territorit, nëse nuk do të mundte ta merrte Kosovën, ta kthente sërish nën sovranitetin e vet. Pra, në pamundësi që ta kthejë Kosovën nën sovranitetin e vet, atëherë Serbia ka vazhduar me planin për të pasur kontrolle të Kosovës në territor, eventualisht edhe për t’i aneksuar krejt”, ka deklaruar deputeti Selimi për “Bota sot”.