Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur se situata politike në Shqipëri është e tensionuar.
Po ashtu, ai ka thënë se PBKD është anëtare e koalicionit opozitar.
“Në Shqipëri ka një situatë politike të tensionuar. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat është anëtare e koalicionit Opozitar dhe si e tillë nuk mund të ketë vendime jashtë frymës së tij, pavarësisht rezervave që kemi në raportin e krijuar me faktorin ndërkombëtar i cili është për zgjedhje në datën e dekretuar”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Roshi është shprehur se është pro shtyrjes së zgjedhjeve deri në korrigjimin e kodit zgjedhor.
“Ne mendojmë se këto zgjedhje edhe mund të shtyhen deri në korrigjimin e kodit zgjedhor i cili duhet të përputhë lirinë e besimit me votën e lirë. Zgjedhjet Lokale janë zgjedhje administrative dhe në këndshikimin e ndërkombëtarëve nuk kanë rëndësinë e atyre politike, por pavarësisht kësaj ato kërkojnë një klimë politike të stabilizuar e cila nuk ekziston”, ka potencuar ai për Roshi.
Në fund, Roshi ka shtuar se shtyrja e zgjedhjeve e stabilizon gjendjen politike përmes lirisë së votës së lirë që ende nuk është e tillë.