FARK-u edhe pas 20 vitesh po tmerron klanin e Rognerit

Politika

FARK-u edhe pas 20 vitesh po tmerron klanin e Rognerit

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 24 prill 2019 Në ora: 07:48
Foto ilustrim "Bota sot"

“FARK-u ka ekzistuar dhe është shkrirë në UÇK në një kauze të përbashkët, marrëveshja në mes tyre është bërë dhe këtë e kanë pohuar protagonistët e këtyre formacioneve, nga dy formacione në një”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka hedhur poshtë mundësinë e ekzistimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Ai në një deklaratë ka thënë se nuk është në dijeni që ndonjëherë ka pasur FARK, pasi, sipas tij, nuk ekziston asnjë argument i vetëm për këtë punë.

“Nëse e kanë pasur uniformën e UÇK-së nuk kanë mundur të jenë FARK. Nuk pranova të shkoj në betimin e të quajturve FARK. Nuk kanë pasur njerëz, nuk kanë pasur as armatim. Në territorin e Kosovës nuk ka pas FARK”, ka deklaruar Haliti për Dukagjinin.

Se a ka pasur FARK ose jo, për gazetën “Bota sot”, kanë folur Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Ramush Tahiri analist politik, Blerim Burjani jurist dhe analist, si dhe analisti Kenan Gashi.

Krasniqi: Komunikimi me ndërkombëtarët është bërë nga Shtabi i Përgjithshëm

Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, tha se për këtë çështje ka shkruar edhe më herët dhe se në Kosovë ka pasur një formacion ushtarak (UÇK-ja).

Ndërsa, sa i përket se a ka pasur njerëz që janë thirrur ndryshe, Krasniqi për “Bota sot”, thotë se ka pasur mundësi të ketë.

“A ka pasur njerëz që e kanë quajtur veten ndryshe, mbase edhe ka pasur”- u shpreh Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi thotë se gjatë asaj periudhe të gjitha komunikimet kanë qenë në emër të UÇK-së, ai përmend edhe Rambujen dhe thotë se përfaqësimi ka qenë nga UÇK-ja.

Image
Jakup Krasniqi

“Por, gjithë komunikimi me ndërkombëtar në emër të UÇK-së është bërë nga përfaqësuesit e SHP-së të UÇK-së. UÇK-ja e kishte edhe delegacionin e saj edhe në Rambuje të Francës. Pas luftës, zakonisht gjithçka ka me shumicë”, ka përfunduar Krasniqi.

Tahiri: Bujar Bukoshi të flet për FARK-un

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, thotë për “Bota sot”, se për këtë duhet të deklarohet Qeveria e Republikës së Kosovës e Bujar Bukoshit.

Image
Ramush Tahiri

“Duhet të deklarohet Qeveria e Republikës së Kosovës e Bujar Bukoshit, duhen të deklarohen ata që kanë punuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri, tutje, thotë se në atë kohë kanë pasur edhe një revistë profesionale që është botuar në Tiranë.

“Gjithashtu, oficerët dhe personeli por edhe ushtarët kanë nënshkruar atë botë një kontratë pune dhe aty shkruan njësia dhe formacioni. Të shihet arkiva e Qeverisë përkatësisht e Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtypi i asaj kohe”, shtoi Tahiri.

Ai shtoi se kjo gjë duhet të tregohet pamarrë parasysh se a ka pasur Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës(FARK).

“Nëse ka pasur Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës të thuhet, nëse nuk ka pasur gjithashtu të tregohet. Dhe nëse ky formacion ka ekzistuar një periudhë të caktuar dhe më vonë është shuar apo është shpërbërë kjo duhet të thuhet”, tha Tahiri.

Ai, gjithashtu, tha se duhet ditur se nga kush është formuar dhe kur është shpërndarë, nëse nuk ka ndalesa kohore për këtë gjë.

“Nga kush është formuar, kur është formuar dhe kur është shpërndarë apo është shuar apo është demobilizuar. Kjo është histori dhe duhet të thuhet sipas dokumentacionit nëse nuk ka ndonjë ndalesë kohore, 30-50 vjeçare publikimi i këtyre të dhënave”, përfundoi Tahiri.

“FARK-u ka ekzistuar dhe është shkrirë në UÇK për kauzë të përbashkët”

Nga ana tjetër, analisti Blerim Burjani ka thënë se FARK-u ka ekzistuar dhe është shkrirë në UÇK për një kauzë të përbashkët.

Image
Blerim Burjani

“FARK-u ka ekzistuar dhe është shkrirë në UÇK në një kauze të përbashkët, marrëveshja në mes tyre është bërë dhe këtë e kanë pohuar protagonistët e këtyre formacioneve, nga dy formacione në një”, ka thënë juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani.

Ai thotë se shkrirja në një “ombrellë”, e FARK-ut dhe UÇK-ës, më vonë ka ndodhur edhe furnizimi i strukturave ushtarake, në një formacion ushtarak. Ushtri e cila ka mbrojtur pragun e shtëpisë dhe një ushtri çlirimtare.

Po ashtu, edhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Avonet” dhe analisti politik, Kenan Gashi, u shpreh se FARK-u, sipas atyre që kanë qenë pjesë e këtij grupit kanë qenë nënë emblemën e UÇK-së.

“Xhavit Haliti, tenton ta mohojë FARK-un”

Duke parë që ky grup ka pas armë më të mira dhe poashtu kanë qenë edhe me kushte shumë më të mira se sa shumë grupe tjera.

Image
Kenan Gashi

“Shumë prej pjesëtarëve të këtij grupit, ishin edhe pjesë e ngritjes së zërit për të emëruar ushtrinë e Kosovës me shkurtesën FARK”, tha Gashi.

Poashtu, Gashi shtoi se, “nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tenton ta mohojë një gjë tillë, ndoshta këtë e bënë me qëllim”.

Ndryshe, Nasim Haradinaj nga OVL UÇK, ish-komandant në Betejën e Koshares, ka thënë se nuk duhet të kemi frikë ta pranojmë se ka pasur dy grupe që janë bashkuar në Koshare.

Ai ka thënë se Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Seli Çekaj kanë dashur të mbështeten te UÇK-ja. Sipas tij ata kanë qenë pjesa e revoltuar e FARK-ut.

“Këta kanë qenë pjesa e mbetur anash edhe prej FARK-ut edhe prej betejës. Ata donin të luftonin për Kosovën. Këta e kanë ndier veten të zhgënjyer dhe e kanë ndier veten keq që kanë dalë nga fronti”.

“…Edhe Sali Çeku edhe Rrustem Berisha, Agim Ramadani kanë vepruar nën komandën e Haziz Hysenit në Junik. Këta kanë dalë kur ka ra Juniku-tri ditë përpara. Ata kanë qenë çdoherë të dëshpëruar me të gjithë sepse nuk ju është ofruar ndihmë”.

“Betimi i Agim Ramadanit ka qenë të arrijë deri në Junik dhe ka thënë se nëse arrin aty nuk do të ndalet deri në Zhegër”, ka theksuar Nasim Haradinaj.

Krahas kësaj, për këtë çështje, deputeti i LDK-së Anton Çuni, ka thënë se ekzistojnë dokumentacione të shumta për ekzistimin e FARK-ut.

Në këtë pikë ai e përmendi Kushtetutën e Kaçanikut, ku tha se është pranuar ekzistimi i forcave të armatosura në vend.

Sipas të dhënave që ka për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), thuhet se është krijuar nga Bujar Bukoshi në gusht 1998. Numri i tyre vlerësohet të ishte diku ndërmjet 3.000 dhe 5.000 luftëtarë në vitin 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat