Ambasadori britanik ia “shuan” shpresat Kadri Veselit

Politika

Ambasadori britanik ia “shuan” shpresat Kadri Veselit

Nga: A.ZH Më: 23 maj 2019 Në ora: 18:51
Ruairi O’Connell dhe Kadri Veseli

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Connell, sot një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, ka folur edhe për krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se intervenimi i NATO-s për të larguar forcat jugosllave nga Kosova është një çështje që është shënuar në histori.

O’Connell ka deklaruar se është e tmerrshme ajo që ka ndodhur në Kosovë, duke e quajtur të papranueshme dhe të ligë, tentativën për të mohuar krimet serbe, përcjell Bota sot.

“NATO ka intervenuar për shkak të asaj që forcat jugosllave dhe serbe po bënin si rezultat i politikës shtetërore në Kosovë. Dhe kjo është një çështje që është shënuar në histori. Kur lexoj tregimet për atë që i ndodhi komunitetit shqiptar në Kosovë, si psh. ngjarjet e 22 majit në Vushtrri, ku isha dje, ku 68 civilë shqiptarë u vranë, pasi që u ndanë nga familjet e tyre, dhe kur sheh memorialet e luftës dhe sheh që disa nga të vrarët janë bebe as një vjeç, është e tmerrshme. Ne duhet ta pranojmë këtë të vërtetë dhe është komplet e papranueshme, bile e ligë, të tentojë dikush të mohojë atë që ka ndodhur”, është shprehur ambasadori britanik.

O’Connell ka thënë se përpos 10,812 shqiptarëve të vrarë, në luftë janë vrarë edhe 2197 serbë. Në mesin e këtyre të fundit, ai ka thënë se ishin edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes së tij. Sipas tij, secila viktimë, meriton drejtësi.

“Meqë po flasim për pranim të së vërtetës, ti po flet për 13.500 shqiptarë që janë vrarë, kjo nuk është e vërtetë, nuk ishin 13.500 shqiptarë. Si fillim a të brengos ty që vetëm shqiptarët janë vrarë, sepse nëse po, atëherë nuk mund të jemi miq. Faktikisht po, 10,812 shqiptarë janë vrarë dhe 2197 serbë. Për mua secila viktimë meriton drejtësi. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kuptojmë çka është bërë në të kaluarën për shkak të politikës shtetërore në rajon. Por, nëse i numërojmë viktimat serbe pas luftës, nga të gjithë të vrarët, 1196 ishin civilë. Po, ka pas edhe forca të sigurisë që janë vrarë se ka qenë luftë, dhe kjo ndodhë fatkeqësisht në luftë, por janë mbi 1000 viktima civile serbe. Në mesin e tyre edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes sime, të cilët u vranë në gusht 1999, vetëm pse dikush donte banesën e tyre. Edhe ata meritojnë drejtësi, apo jo? Secila viktimë meriton drejtësi”, ka deklaruar ambasadori britanik.

O’Connell ka theksuar se vetëm duke e pranuar atë që ka ndodhur në Kosovë, mund të ketë pajtim me vendet e rajonit.

“Të gjitha shtetet e rajonit duhet të pranojnë atë që ndodhi këtu, sepse kjo është e vetmja bazë për pajtim. Secila viktimë, 8676 civilë shqiptarë, 1196 civilë serb, 265 romë, 86 boshnjakë dhe 94 nga komunitetet tjera, të gjithë këta meritojnë drejtësi. Unë pajtohem me këtë, por nuk pajtohem me idenë që aty ka pasur vetëm viktima shqiptare, dhe kurrë nuk do të pajtohem”, ka thënë më tej O’Connell.

Megjithëkëtë, sipas ambasadorit britanik, Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar ku do të gjykohen krimet serbe. Sipas tij, krimet serbe të kryera gjatë luftës, mund t’i gjykojnë vet gjykatat e Kosovës, nëse të njëjtat kanë interes për ta bërë këtë.

“Kur po flet për një tribunal ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur per terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saj, të cilat duhet të kenë interes t'i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, ka deklaruar Ruairi O’Connell.

Iniciativën për formimin e një Tribunali ndërkombëtar, i cili do të gjykonte krimet që shteti i Serbisë i ka kryer në Kosovë, së fundmi e ka marrë kryeparlamentari Kadri Veseli./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat