Mocion mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, në shtator zgjedhje të jashtëzakonshme?

Politika

Mocion mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, në shtator zgjedhje të jashtëzakonshme?

Diana Bunajku Nga Diana Bunajku Më 24 maj 2019 Në ora: 20:57
Qeveria PANA-Lista serbe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë takuar të mërkurën dhe kanë paralajmëruar mundësinë e ngritjes së mocionit për votëbesim të Qeverisë. Lidhur me këtë, analistët shprehen të mendimit se opozita do të duhej të koordinohej më mirë dhe paraprakisht të shihet se a janë të gjithë partitë politike, serioze në çështjen e rrëzimit të Qeverisë.

Ata kanë deklaruar se opozita duhet të jetë e kujdesshme shumë në rastin e mocionit, pasi në rast se dështon ky mocion vetëm sa do të forconte Qeverinë, e rrjedhimisht do të dobësonte edhe opozitën.

Millaku: Shpresojmë në koordinim

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë se situata politike në vend dhe bisedimet me Serbinë në këtë klimë ku krerët e shtetit janë në konflikt dhe konfuzion mendimesh e idesh zgjedhjet janë mëse të nevojshme dhe të domosdoshme. Sipas deputetes Millaku, kjo qeveri nuk ka kapacitet për të provokuar zhvillimin ekonomik. “Kriza permanente në arsim, shëndetësi dhe sidomos në politikën e jashtme si dhe ngecja në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë arsye shtesë për të shkuar në zgjedhje. Mjafton të shikohen skandalet e fundit si në parlament ashtu edhe në qeveri dhe të vërtetohet se zgjedhjet janë të domosdoshme dhe shumë urgjente. Shpresojmë në një koordinim të mirë të partive që janë për rrëzimin e kësaj qeverie dhe mocioni të vijë sa më shpejt në Kuvend”, ka thënë deputetja Millaku.

Rugova: Vendi ka nevoje për zgjedhje të jashtëzakonshme

Image
Naser Rugova

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se tani liderët e partive opozitare vetëm se po i koordinojnë veprimet lidhur me mocionin për rrëzimin e qeverisë. “Ne si LDK, nënshkrimet i kemi gati për këtë. Degradimi politik dhe institucional i shtetit të Kosovës, keqqeverisja, keq menaxhimi i parasë publike, zhvatja dhe falimentimi i ndërmarrjeve publike, korrupsioni dhe nepotizmi enorm, rrënimi i imazhit të vendit në rrafshin e brendshëm dhe vrasja e shpresës së qytetarëve janë vetëm disa nga arsyet, se përse vendi ka nevoje për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ndryshim emergjent të qeverisjes”, ka thënë deputeti Rugova.

Gecaj: Është e vërtetë nonsens qëndrimi se nuk do të rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe

Image
Bajram Gecaj

Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se opozita fillimisht duhet të sigurohet se e ka numrin e mjaftueshëm prej 61 votash, që do të thotë, se do të duhet të gjenden së paku edhe ë vota nga radhët e partive në koalicion , përfshirë këtu edhe Listën Serbe. “Është e vër tetë nonsens qëndrimi i disa zyrtarëve të disa partive opozitare se nuk do të rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe. Është nonsens posaçërisht nëse kjo do të ndodhte pa ndonjë kushtëzim, dhe në veçanti kur kemi parasysh faktin se Qeveria Mustafa ishte rrëzuar edhe me votat e Listës Serbe, por edhe Qeveria Haradinaj nuk do të mund të formohej pa votat e kësaj liste”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, kjo qeveri ka humbur legjitimitetin e nevojshëm për të qeverisur kohë më parë dhe në vazhdimësi është e kushtëzuar nga votat e opozitës për të kaluar madje edhe ligjet dhe vendimet tjera të thjeshta. “Gjithashtu, qeverisja me këtë nomenklature ka degraduar si asnjëherë më parë, prandaj është e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të reja, të fitohet legjitimiteti i nevojshëm dhe të ndërrohet kjo shkollë me mbrapshtë e qeverisjes. Pos demarkacionit dhe ushtrisë kjo qeveri nuk ka mund të shtyjë asnjë nga çështjet e mëdha, të propaguara aq bujshëm gjatë fushatës së tyre zgjedhore, por edhe këto dy çështje të mëdha nuk do të mund ti shtynte asnjëherë po të mos ishte LDK-ja, parti kjo e cila çdo herë ka vendosur interesin nacional para atij partiak, grupore apo individual”, ka thënë Ishkëshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafës, Bajram Gecaj.

Kelmendi: Partia e Shpend Ahmetit e pabesueshme

Image
Jeton Kelmendi

Ndërsa, analisti politik dhe profesori i shkencave të politikës, Jeton Kelmendi, ka thënë për “Bota sot” se kjo iniciativë për rrëzimin e qeverisë është shumë e vonuar, sepse nga kjo qeverisje janë sjellë dëme të mëdha të cilat janë vështirë të riparueshme, se kur do të mundet që kjo opozitë ti kërkojë qeverisë votë-besimin. ”Unë e kam frikën të flas për data, për arsye se kjo qeveri është shumë e brishtë dhe pavarësisht se me numra opozita realisht nuk është ashtu siç duket. Pasi që është partia e Shpend Ahmetit aty e cila është e pa besueshme, ku lirishtë mund të themi se është parti paraqeveritare, pasi që sa herë që ata nuk mund ti kryejnë punët e veta kjo qeveri, i ka të sigurta 12 votat e këtij subjekti, pra të PSD-së. Në qoftë se do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, atëherë këtu mund të çalojë në çdo moment partia e Shpend Ahmetave. E pse i duhet Kosovës kjo, është domosdo pasi që shumica shkoi, duhet që të shpëtohet ajo që ka mundësi përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për ta zbardhur keqpërdorimin e aseteve të shtetërore nga i qeverisë, deri tek ai qeveritari i fundit i cili kurrë nuk i zbret xhipeve dhe shëtitet në kurriz të qeverisë, por më mirë është vonë se kurrë”, ka thënë Kelmendi.

Zgjedhjet varen nga PDK Sipas tij, duke pasur parasysh Gjykatën Speciale, vendin në zgjedhje të reja mund ta qojë vetëm PDK, pasi që në qoftë se asaj nuk i konvenojnë zgjedhjet e reja, atëherë do të gjejë përkrahje nga partia e Shpend Ahmetit i cili nuk do ta votojë rrëzimin e qeverisë. “Është banalitet të thuhet se nuk bashkëpunojmë me Listën Sërpska, pasi që ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës, është budallaki dhe anormalitet nga ana e atyre që thonë se nuk i duam votat e Listas Serbe për ta rrëzuar qeverinë, prandaj jam shumë skeptik që të jap ndonjë konstatim tjetër pos këtij. Thjesht qeverinë e rrëzon kur të dojë PDK-ja ose binomi Thaçi Veseli. Pra, vetëm nëse nga ana e Gjykatës Speciale i kanoset këtyre dyve ndonjë rrezik, me ç’rast do t’iu hynte në udhë ndonjë tollovi, dhe do të kemi zgjedhje të reja, përndryshe është e pamundur, pasi që për mua opozitë janë vetëm LDK dhe Vetëvendosje dhe jo PSD , pasi që ata janë para-qeveritarë dhe sa herë që iu duhet qeverisë ata janë aty”, ka thënë Kelmendi.

Test për opozitën

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se opozita duhet të jetë e kujdesshme shumë në rastin e mocionit, pasi në rast se dështon ky mocion vetëm sa do të forconte Qeverinë, e rrjedhimisht do të dobësonte edhe opozitën. Ai ka thënë se pikërisht për këtë opozita duhet që së pari të sigurojë votat e mjaftueshme për të fituar mocionin ndaj qeverisë e pastaj të reagojë.

 “Nëse e ka siguruar numrin e nevojshëm të votave duhet që sa më parë ta hedh në kuvend, ndryshe lë të pres derisa të ketë numrat e nevojshëm. Në njërën anë opozita thotë se aktualisht nuk i kemi numrat që nënkupton së ky mocion nuk do të ndodh së shpejti. Megjithatë nëse ndodh dhe Qeveria i mbijeton do të ishte dështim i madh i opozitës”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

 Opsioni shtator

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se opozita parashikon që në shtator të këtë zgjedhje dhe përgatitjet e saj, janë që të bëhen sa më parë numrat për mocion. Sipas tij, opozita parashikon që në shtator të këtë zgjedhje dhe përgatitjet e saj janë që bëhen sa më parë numrat për mocion. “Ideja është se ka stagnim në zhvillim të përgjithshëm dhe që trendi i zhvillimeve dhe punës së kësaj qeveri nuk ofron më shumë që plotësisht ka të drejtë. Kjo qeveri mbetet më e dobëta në historinë e institucioneve të shtetit me më së shumti skandale dhe punësim nepotist dhe qeveri glomaze dhe jo efektive. Qeverisja PAN e ka përshfaqë mënyrën e të menduarit për shtetin, dhe sipas PAN-it shteti është një nocion përfitim pa bazë prej tij, e karakterizon patriotizmi i skajshëm dhe përmendja e Serbisë në secilën fjali të këtyre njerëzve të PAN-it dhe pa asnjë zgjedhje për të varfëritë, të papunët, pa fond për mbrojtje shëndetësore, dhe ikje të qytetarëve. Është e çuditshme kur fjalët e njerëzve të PAN-it asnjëherë nuk ndryshojnë, po janë çdo herë një reprizë e shpeshtë dhe e pandalshme e një fjalori të njëjtë politik që 19 vite”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat