Manipulimi i Thaçit me çështjen e Bashkimit Kombëtar, shtytje e projektit serb për ndarje të Kosovës

Politika

Manipulimi i Thaçit me çështjen e Bashkimit Kombëtar, shtytje e projektit serb për ndarje të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 maj 2019 Në ora: 16:28
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një fjalimi në njëzetvjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

Kjo e fundit ishte vetëm deklarata e radhës e Presidentit për bashkimin kombëtar. Një të ngjashme Thaçi e ka përmendur edhe para qytetarëve të Hasit, derisa pranoi dekoratën “Qytetar nderi” në Krumë të Shqipërisë.

Por, Presidenti i vendit Hashim Thaçi që një kohë të gjatë ka lobuar për ndarje të Kosovës me idenë për korrigjimin e kufijve, duke pretenduar që një pjesë të veriut t`ia jap Serbisë në këmbim të marrjes së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Përfaqësues opozitar dhe analistë konsiderojnë se me këto deklarata, Presidenti Thaçi po luan me ndjenjat e shqiptareve, pasi  herë hlet për korrigjim e herë për shkëmbim, e herë për ndarje dhe për bashkim.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se pazaret politike të Hashim Thaçit me shkëmbim territoresh pastaj korrigjim dolën vetëm ofertë e tij personale, ai po luan me fatin e shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc dhe i ka bërë ata sikur të ishin kurban për Bajram.

“Tash doli agjenda tjetër e Bashkimit Kombëtar pasi ajo ofertë nuk i piu ujë dhe këto lojëra të tij janë të rrezikshme për vendin tonë. Ne mire e dimë që pa forcimin e shtetësisë së Kosovës para BE-së dhe ndërkombëtarëve, pa ndikimin e fortë të Shqipërisë në rajon e më gjerë as që mund të diskutohet Bashkimi Kombëtar, e aq më tepër në kohën kur Kosova po ec shumë zbehtë me përfaqësuesit tanë pas pavarësimit të saj”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Ajo ka thënë se ka kohë, që Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet tjetër, madje rrezikohet të largohet edhe nga anëtarësime të ndryshme në organizatat ndërkombëtare, të cilat janë tepër të nevojshme dhe pa të cilat nuk mund të prosperojmë si shtet.

“Është mëkat që në krye të këtij vendi gjendet një president i cili agjendën dhe të ardhmen e Kosovës e lidh me fatin dhe interesat e tij, personal dhe kjo i dëmton qytetarët e vendit të cilët nuk shohin perspektivë me të kryerën të saj”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Duhanaj: Presidenti Thaçi ka humbur rrugën n’ oborr dhe arsyen e plotë

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se përderisa Kosova nuk e mbyllë procesin e shtet ndërtimit, çdo nismë nën parullën e Bashkimit Kombëtar, nuk është asgjë tjetër, pos shtytje e projektit serb për ndarje të Kosovës.

“Ata që vërtetë e duan Bashkimin Kombëtarë, punojnë në heshtje për atë ideal. Ndërsa ata që pallën me deklarata boshe, ose nuk shohin më larg hundës së tyre, ose kanë ndonjë hall të madh, të cilin synojnë ta mbulojnë n‘kurriz t ‘interesit kombëtar. Për shumë vite, ishte VV ajo që e trumbetonte këtë slogan, përderisa e luftonte shtetësinë e Kosovës me të gjitha mjetet. Tani kemi presidentin e vendit, i cili me gjasë e ka humbur jo vetëm rrugën n’ oborr, por edhe arsyen e plotë. Sjelljet e tij i përngjajnë dikujt që është në panik të madh dhe po lufton për jetë a vdekje. Vërtetë është për keqardhje që kemi një President të tillë”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, është për keqardhje që nuk kemi politikë apo parti, që ja ndalin turrin antikushtetues dhe antikombëtar Thaçit.

“Mos harroni se në rast se dikush tjetër do të ishte në vend të tij dhe do ta bënte tërë ketë përpjekje , ky Thaçi do ta kishte ndërmarrë që moti ndonjë nismë për shkarkimin e tij dhe do ta kishte nxjerrë para përgjegjësisë kushtetuese. Kundër tij, nuk bën askush asgjë, pasi që me gjasë ai i kontrollon, në mos të gjithë atëherë shumicën e pushtetarëve”, ka thënë Duhanaj.

Krasniqi: Hashim Thaçit nuk i besohet për asgjë, pasi ai është një gënjeshtar dhe mashtrues

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se Hashim Thaçit nuk i besohet për asgjë, pasi ai është një gënjeshtar dhe mashtrues.

“Si mund t'i besohet një njeriu që i ndërron fjalët çdo pesë minuta, kur në mëngjes del me një deklaratë në drekë me një deklaratë tjetër, kurse në darkë me një deklaratë krejtësisht tjetër nga deklaratat e mëngjesit dhe drekës. Herë flet për shkëmbim territori, herë për korrigjim të kufijve dhe tash thotë se Lugina e Preshevës do t'i bashkohet Kosovës pa i dhënë Serbisë asnjë milimetër territor të Kosovës, Utopi ky njeri e ka humbur busullën,” ka thënë politologu Krasniqi duke shtuar se Thaçi nuk din as çka flet se e ka humbur arsyen.

Ai ka thënë se të gjitha këto deklarata kontraverse është duke i bërë për shkak se ideja e tij për ndarjen e Kosovës nuk i ndezi, dhe mundohet që me deklarata populite të mbetet në qendër të vëmendjes.

“Atij nuk i intereson Bashkimi Kombëtar se dikur ishte kundërshtari më i fortë i ribashkimit të trojeve shqiptare, kurse sot bëhet gjoja se po angazhohet për një gjë të tillë. Po luan me ndjenja të qytetarëve e sidomos të shqiptarëve të Kosovës Lindore, mjerë ata që akoma i besojnë gënjeshtrave të tij, ka thënë politologu Krasniqi.

Mehmeti: Diktatorët, kur e shohin fundin e tyre në politikë e përdorin partinë e kombëtarizimit për tu mbrojtur

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se shqiptarët nuk duhet të bien viktimë e lojërave të pista të Thaçit, që është dëshmuar kaherë si njeri që nuk ka interesin primar të shteti por atë personal, kush mendon ndryshe e gënjen veten.

“Zakonisht diktatorët kur e shohin fundin e tyre në politikë e përdorin partin e kombëtarizimit për tu mbrojtur, por kjo është dëshmuar si kartë e djegur, pasi shqiptarët tashmë e njohin kush është Hashimi. Presheva nuk bashkohet e Thaçin, por si projekt ruso -serb për të krijuar Serbinë e madhe në baza etnike. Thaçi është shndërruar në argat të Serbisë, që po punon kundër Kosovës dhe ëndrrës së saj”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Burjani: Sjelljet e Thaçit politikisht sa duken absurde ashtu edhe fjalë boshe

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike e politike në vend Blerim Burjani ka thënë se sjelljet e Thaçit politikisht sa duken absurde ashtu dhe fjalë boshe.

“Duhet diçka me dhënë, pra marrëveshje për shkëmbime territoriale duhet të përmbaj një dokument teknik më shumë përderisa vetëm pajtimi duhet të jetë politik. Ka shumë çudira që Thaçi përmend koha e këtij njeriu ajo politike po ec dhe epoka e këtij njeriu që merret me politikë do të përmbyllet për dy vjet e ardhshme. Klasa politike e Thaçit po perëndon, Kosova ka nevojë një gjeneratë politik të re jo kontraverze të pastër, jo profitabile personale. Thaçi është një djalë që ka hy në politik nga lufta, por kjo luftë ka përfunduar, për Kosovën nuk është prioritet me Serbia, Kosova është e pavarur përgjithmonë. Kjo klasë politike duhet të shkojë ka kryer kaherë punën e vet. Por ka kapacitete profesionale të pa përgatitur, përfitues e tjera, e tash për çdo ditë po ka skandale të lloj-llojshme. Prokuroria do të ketë punë edhe 20 vjet me këta njerëz, për të zbardhur periudhën e sundimit 20 vjeçar gati”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat