“Me një kolaboracionist si Thaçi dhe me një të papërgjegjshëm si Haradinaj”, Kosova shkon e papërgatitur në Paris - Bota Sot
“Me një kolaboracionist si Thaçi dhe me një të papërgjegjshëm si Haradinaj”, Kosova shkon e papërgatitur në Paris

Politika

“Me një kolaboracionist si Thaçi dhe me një të papërgjegjshëm si Haradinaj”, Kosova shkon e papërgatitur në Paris

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 qershor 2019 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Takimi i Parisit, nga i cili na ndajnë edhe pak ditë, i organizuar nga nikoqiri francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë do të provojë edhe një herë të sqarojë se në çfarë formati do të vazhdojë dialogu mes dy vendeve.

Kosova tashmë ka filluar përgatitjet e saja për këtë Samit, ndërsa në mëdyshje është pala serbe, e cila në vazhdimësi deklarohet se një gjë e tillë do mund edhe të dështojë në rast të mos pezullimit të taksës 100 për qind.

Përfaqësues të opozitës konsiderojnë se mungesa e konsensusit të gjerë politik në Kosovë, por edhe në Serbi, e bëjnë edhe më të vështirë dialogun dhe arritjen e një konsensusi të mundshme mes dy vendeve.

Ndërsa, në anën tjetër, nga pozita kanë mohuar zërat se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake mund të hiqet para Samitit të Parisit.

E, analisti politik dhe profesori i shkencave të politikës mendon se Samiti i Parisit do të jetë vazhdimësi e atij të Berlinit që ishte pak javë më herët. Gjersa shton se për fat të mirë të Kosovës është se në krye të shtetit Gjerman qëndron Angela Merkel, e cila, sipas tij, ua prishi planet trinomit Vuçiq-Thaçi-Rama, për copëtimin e Kosovës.

Kelmendi: Samiti i Parisi vazhdimësi e Berlinit, Merkel ua prishi planet trinomit Vuçiq-Thaçi-Rama

Analisti politik dhe profesori i shkencave të politikës, Jeton Kelmendi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se samiti i radhës është vazhdimësi e atij të Berlinit.

Ai shpjegon se kancelarja Merkel ua prishi prishur planet trinomit Vuçiq-Thaçi-Rama, për copëtimin e Kosovës.

Image
Jeton Kelmendi

“Samiti i Parisit është vazhdimësi e atij të Berlinit që ishte pak javë më herët, ku për fat të mirë të Kosovës  në krye të shtetit Gjerman qëndron Angela Merkel e cila ua kishte prishur planet trinomit Vuçiq-Thaçi-Rama, për copëtimin e Kosovës. Mendoj se në Paris do mund të gjejë nuanca të mbështetjes, por natyrisht jo aq të fuqishme, sepse Franca është gjithmonë prapa Gjermanisë, po flas në aspektin politik, në politikat e jashtme. Natyrisht, kjo bëhet duke rëndë nën ndikimin e ekonomisë më të madhe të Bashkimit Evropian, pra Gjermanisë”, ka potencuar Kelmendi.

Analisti politik tutje ka thënë se në Samitin e Parisit, Macron do të provojë të tregojë rolin e tij në çështjet ndërkombëtare, sidomos me ato që kanë të bëjnë me kontinentin e Evropës.

“Në këtë samit, presidenti Macron do të provojë të tregojë rolin e tij në çështjet ndërkombëtare, sidomos me ato që kanë të bëjnë me kontinentin e Evropës, në rastin konkret me Kosovën. Nuk pres ndonjë rezultat të madh e konkret, për faktin se këtu kemi tri palë. Pra, janë serbët, presidenti i shtetit Hashim Thaçi, dhe kryeministri shqiptarë, të cilët përpiqen ta kamuflojnë dhe të gjejnë mënyra e mekanizma. Madje, edhe deklaratat e fundit të presidentit Thaçi, i cili sillet po ashtu siç është sjellë Serbia dikur, kur thotë se do të bëjë bashkimin e trojeve shqiptare”.

“Është një mënyrë për ta provokuar Serbinë në mënyrë që Serbia të reagojë. Përfundimisht e ka bërë të qartë Angela Merkel dhe mendoj se prapa saj nuk duhet të largohet, duhet të qëndrojë dhe do të qëndrojë edhe presidenti Macron dhe kësaj radhe do të flitet qartë se Serbia duhet ta njohë sovranitetin e Kosovës”, ka thënë mes tjerash analisti politik.

Gjithashtu, Kelmendi ka thënë se beson se në këtë samit për Serbinë do të dalin edhe kushte shtesë.

“Janë duke kaluar dekada që Kosova është shpallur e pavarur, dhe është njohur nga shumica e vendeve të botës dhe nuk mund të funksionojë Serbia kësisoj. Madje, besoj se do të ketë kushte shtesë për Serbinë”, shprehet ai.

Krejt në fund, ai deklarohet i zhgënjyer me ata të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Samitin e Parisit.

Sipas Kelmendit, Thaçi është një kolaboracionist, ndërsa Haradinaj një i papërgjegjshëm.

“Më shqetëson se Kosova shkon tërësisht e papërgatitur, me një kolaboracionist që është tipi i Hashim Thaçit, dhe shkon me një njeri krejtësisht të papërgjegjshëm siç është kryeministri Haradinaj. Prandaj, Kosova nuk e ka merituar këtë përfaqësim kaq jo dinjitoz. Kosova ka intelektual, ka kasta dhe fundi i fundit ka edhe një demokraci edhe pse e brishtë e cila nuk do të duhej të përfaqësohej as nga Thaçi e as nga Haradinaj, por të shkonte në zgjedhje, në mënyrë që populli t’i zgjidhte ata njerëz të cilët mund të vendosin për fatin e Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Rugova: Mungesa e konsensusit, vështirë të pritën hapa konkret

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ashtu sikurse në Samitin e Berlinit, edhe në këtë të Parisit që pritet të mbahet në korrik nuk pritet të ndodhë diçka konkrete sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

 “Sikurse edhe nga Samiti i Berlinit edhe nga ky i radhës në Paris nuk pres diçka konkrete sa i takon zhbllokimit të dialogut Kosove-Serbi, kur kësaj ja shtojmë se pritën ndryshime në vet mekanizmat e BE-së, tani pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian”, ka thënë deputeti i LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Mes tjerash, Rugova ka thënë se mungesa e konsensusit në skenën politike në Kosovë, si dhe në Serbi, e bëjnë edhe më të vështirë që të ketë diçka pozitive në këtë drejtim.

“Mirëpo, edhe mungesa e konsensusit të gjerë politik në Kosovë, por edhe në Serbi, vështirë të pritën hapa konkret në këtë drejtim”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Nitaj: Taksa nuk hiqet në Paris, ky kapitull është i mbyllur

Image
Muharrem Nitaj

Ndërsa, nga ana tjetër, Muharrem Nitaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit edhe nënkryetar i kësaj partie, për gazetën “Bota sot”, ka bërë të ditur se ky samit nuk po bëhet vetëm për Kosovës, por po bëhet edhe për Serbinë.

Sipas Nitajt, ose do të ketë dialog të mirëfilltë pa kushtëzime e me një afat të caktuar ose nuk do të këtë fare.

“Kosova nuk do të mund të kushtëzohet me asgjë. Samiti i Parisit nuk bëhet vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë. Nëse ne kemi pranuar dialog pa kushtëzime, pse do të duhej të shtrohej dilema e dështimit të Samitit të Parisit nga kushtëzimet e Serbisë. Taksa nuk hiqet nga kushtëzimet që mund t’i bëjë Serbia”, ka thënë nënkryetari i AAK-së.

Me tej, ai ka theksuar se nuk mund të pezullohet taksa ndaj mallrave serbe në emër të rifillimit të dialogut në mënyre siç shprehet ai, që dialogu më pastaj të zgjasë pa fund.

“Sikur të arrihej një marrëveshje kornizë për Dialogun, që nënkupton se për çfarë do të bisedohej, se kur fillon dhe kur përfundon ky proces dhe cilat do të ishte marrëveshja e synuar, unë jam i bindur se lidershipi në Prishtinë do ta konsideronte edhe pezullimin e përkohshëm të taksës, por jo kështu siç po kërkon Serbia. Nuk mund të pezullohet taksa në emër të rifillimit të dialogut në mënyre që dialogu më pastaj të zgjasë pa fund, pa rezultat e pa marrëveshje, siç ka ndodhur deri më tash”, ka shpjeguar ai.

Në fund, Nitaj ka nënvizuar se ky kapitull është i mbyllur sa i përket çështjes së taksës.

“Ky kapitull është i mbyllur. Ose do të ketë dialog të mirëfilltë, pa kushtëzime e me një afat të caktuar kohor, ose nuk do të ketë fare”, ka përfunduar deputeti i pozitës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...