Abazi: Kuvendi arenë e pazareve, vendet e Srpska-s janë kancer i demokracisë në Kosovë - Bota Sot
Abazi: Kuvendi arenë e pazareve, vendet e Srpska-s janë kancer i demokracisë në Kosovë

Politika

Abazi: Kuvendi arenë e pazareve, vendet e Srpska-s janë kancer i demokracisë në Kosovë

Nga: G.B Më: 14 qershor 2019 Në ora: 15:33
Haki Abazi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes platformës Vota ime, ka nxjerrë përfundimet se mungesa e kuorumit vazhdon ta pamundësojë marrjen e vendimeve në seancat e Kuvendit, e ngjashëm po ndodhë edhe në komisione, për po të njëjtën arsye.

Sipas kësaj platformë, numri i mbledhjeve të dështuara të komisioneve për mungesë kuorumi është rritur dukshëm gjatë muajit maj. Për vetëm një muaj, 11 mbledhje të planifikuara kanë dështuar të mbahen si rezultat i mungesës së deputetëve, që janë anëtarë të komisioneve përkatëse duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhje.

Se si vlerësohet kjo, që seancat e Kuvendit dhe mbledhjet e komisioneve të mos mbahen, derisa dihen pagat e larta të deputetëve, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Parlamenti i Kosovës është në krizë është që nga largimi i Listës Srpska dhe vendet e tyre në parlament janë kancer i demokracisë së Kosovës.

“Që nga largimi i Listës Srpska, Parlamenti i Kosovës është në krizë dhe qeveria është me legjitimitet të cunguar. Lista Srpska dhe vendet e tyre të garantuara në parlament janë kanceri i demokracisë në Kosovë. Me votat e tyre është bërë qeveria dhe është bërë e mundur që PDK të jetë në pushtet. Kjo është pjesë e marrëveshjes Thaçi Vuçiq që ata duke i bërë favore njëri-tjetrit kanë mundësuar që të mbajnë peng Kosovën në proceset legjislative dhe në progresin që i duhet për të ecur drejt zhvillimit dhe integrimeve evropiane”, është shprehur ai.

Sipas Abazit parlamenti është shpenzues i buxhetit të vendit, nuk është kuvend por arenë e pazareve, duke shtuar se deputetët nuk meritojnë asnjë pagesë, sidomos të pozitës pasi nuk po kryejnë detyrat sipas betimit.

“Ky parlament është shpenzues i kotë i buxhetit të vendit dhe shumica e parlamentarëve të pozitës dhe disa të opozitës kryesisht nga PSD janë aty për përfitime personale dhe për favoret që ju krijon kjo pozitë edhe kundrejt bosave të politikës por edhe përfitimet që i kanë nga votimi i tyre i orkestruar. Ky që kemi sot nuk është parlament, është një arenë e pazareve. Aty nuk ka shumicë parlamentare dhe aty nuk ka vullnet nga pozita që të ngritët llogaridhënia dhe transparenca e funksionimit të shtetit dhe mbrojtjes së Kushtetutës. Deputetët sidomos të pozitës nuk meritojnë asnjë pagesë, ata nuk janë duke kryer punën dhe detyrat sipas betimit të deputetit”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...