Ibrahim Kelmendi “deklason” Xhavit Halitin: Vrasja e Ilir Konushevcit nuk ishte aksidentale

Politika

Ibrahim Kelmendi “deklason” Xhavit Halitin: Vrasja e Ilir Konushevcit nuk ishte aksidentale

Nga: v.r Më: 16 qershor 2019 Në ora: 11:00
Ilir Konushevci

Njëri prej themeluesëve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka thënë se, Xhavit Haliti, nuk është i sinqertë në deklaratën e tij për dhe rreth vrasjes së heroit, Ilir Konushevcit, shkruan “Bota sot”.

Kujtojmë këtu, që Ilir Konushevci, u vra pabesisht në hapësirën shqiptare. Një veprim tejet sa i turpshëm po aq edhe monstruoz.

Sidoqoftë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, është shprehur i gatshëm që Prokuroria të nis sa më parë hetimet rreth vrasjes së Konushefcit. Ai, përmend arsyet se përse është e nevojshme nisja e një hetimi të menjëhershëm.

“Unë kam ni kërkesë me vite të tëra që e kam bërë në Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri, e kam dërguar edhe prokurorit të Prokurorisë speciale të Kosovës, Zotit Sylë, me ni kërkesë, që personalisht jam i hapur të hetohem për akuzat që më janë ba publikisht përmes gazetave dhe kam kërkuar që t’hetohem për dy vrasje për t’cilat jam përmend unë, për të cilat, po besoj, organet, në nifarë mase i kanë t’qarta dhe i dinë”, ka thënë Haliti në emisionin Rubikon të Adriatik Kelmendit.

Haliti, ngre hipotezën se vrasja e Konushevcit mund t’ketë qenë aksidentale por megjithatë ka shqetësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës prandaj siç shprehet ai, kjo vrasje duhet të ndriçohet patjetër.

“Ai është Ilir Konusheci që është ni çështje që t’gjithë sistemin e UÇK-së e ka brengos dhe e brengos. Duhet të ndriçohet patjetër. Por duhet t’thuhet e vërteta, ajo siç ka ndodh, me protagonistët edhe dëshmitarët e ngjarjes, në vendin e ngjarjes, në gjithë sistemin që ka funksionuar atë ditë, ni ditë para, ni ditë mrapa, s’është me ransi ajo, por unë po besoj që nuk është e vështirë në qoftë se shteti dëshiron me e zbulue. Nga t’dhënat e mia çështja e Ilir Konushevcit është ni çështje aksidentale”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Ibrahim Kelmendi, një njeri jo më pak i njohur për ngjarjet e kohës, jep detaje nga ngjarja e kobshme e vitit 1998.

“Në natën e 8 majit 1998, rreth orës 22, duhet të jenë nisur nga Tirana në drejtim të Bajramcurrit Ilir Konushevci, Dr. Hazir Mala (i Tropojës), me auto (i regjistruar në emrin e Raif Gashit) dhe një kamion i ngarkuar me armë e municion. Organizues i ngarkesës së kamionit me armë i dhe udhëtimit duhet të ketë qenë Raif Gashi, bashkëveprimtar i Ilir Konushevcit. Me veti, si shoqërues, Iliri dhe Haziri duhet t’i kenë pas të paktën tre veta, oficerë shqiptarë. Rreth orës dy pas mesnate të datës 9 maj 1998 duhet të jenë ballafaquar me pritën vrastare në Qafë Mali. Shefi i bandës vrastare duhet të ketë qenë tropojani Bislim Demiri, atëherë i punësuar si shofer i shefit të policisë në Bajramcurr (atëherë ishte shef policie Jonuz Hyka, në ndërkohë i vrarë). Nga të shtënat në pritë duhet të jetë plagosur Agim Demiri, vëllai i Bislimit. Agimin e plagosur banda duhet ta ketë dërguar në spital në Bajramcurr. Duhet të jetë Konstatatuar vdekja e tij. Banda duhet të jetë kthye mbrapa. Duhet të jenë takuar me Dr. Hazir Malën, i cili duhet të ketë pas mbi supe Ilir Konushevcin, tashmë të plagosur nga ballafaqimi i mëhershëm me bandën. Aty duhet t’i kenë ekzekutuar Ilirin dhe Hazirin dhe trupat e tyre t’i kenë hedhur në urë”, thotë Kelmendi.

Ai, pohon se këto të dhëna i ka nga rrëfimi i Kryeprokurorit të atëhershëm në Shqipëri, Theodhori Sollakut. Sipas Kelmendit, Sollaku, ka thënë se hetimet për vrasjen e Konushefcit, janë ndërpre me urdhër të liderit të Partisë Socialiste Fatos Nano.

 

 

“Këto i kam mbajt mend nga rrëfimi i Kryeprokurorit të Shqipërisë, Z. Theodhori Sollaku, kur e kam lut të më informonte për hetimet që janë bërë. Ato hetime duhet të jenë ndërpre me urdhër të Kryeministrit Fatos Nano. Një deklaratë e Xhavit Halitit nuk ka qenë pjesë e dosjes përkatëse hetimore, e kyçur në kasafortë të Kryeprokurorit, për të mos u hetuar. Mjeku Hazir Malaj ka qenë dhëndër i Familjes Haklaj. Thuhet se Fatmir Haklaj duhet të ketë vra Bislim Demirin për hakmarrje”, tha ai.

Kelmendi, thotë se vrasja e Ilirit nuk mund t’ketë qenë aksidentale siç pohon nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit deputet nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.

 

“Të shtunën e 9 majit 1998 në Gjermani po mbante mbledhje Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes. Xhaviti ishte pjesëmarrës, por gjithë kohën rrinte i fjetur mbi ca karrige, meqë thuhej se ishte i pa gjumë, sepse në mëngjesin e hershëm të asaj dite ishte ardhur (me aeroplan) nga Tirana. Duke qenë në mbledhje, rreth orës 11, kemi marrë lajmin e kobshëm për vrasjen e Ilirit dhe Hazirit... Rezulton se Xhaviti duhet të ketë qenë në Shqipëri kur ka ndodhur vrasjet, dhe jo siç thotë ai në këtë intervistë, se nuk ka qenë në Shqipëri. Për mua ato vrasje nuk ishin aksidentale, siç i diskualifikon Xhaviti”, tha ai.

Tutje, Kelmendi shprehet se Haliti është duke mashtruar/gënjyer.

“Vë bast edhe me Xhavitin (por edhe me të tjerë), se Xahviti nuk duhet të ketë deponuar deklaratë as në Prokurori të Përgjithshme në Tiranë, as në Prokurori Speciale në Prishtinë. Por, Xhaviti mashtron edhe kësja radhe për konsum propagandistik dhe për mjegullim, si edhe për të fituar kohë që ndokush tjetër të mos kërkon vazhdimin e hetimit, me shpresë se meqë ka deponuar Xhaviti deklaratë dhe ka bërë kërkesë, hetimet do të aktivizohen. Bazuar në përjetimet gjatë marsit dhe prillit 1998 në Shqipëri unë kam dyshuar Xhavit Halitin dhe Azem Sylën duhet të kenë paguar Bislim Demirin për vrasjen e Ilir Konushevcit”, thotë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat